LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Jemi ankuar për fyerjet në Kumanovë

Gashi: Jemi ankuar për fyerjet në Kumanovë

Presidenti i KB Peja vlerësoi të turpshme atmosferën në tribuna në palestrën e Kumanovës, ku skuadra pejane pësoi humbjen e tretë në BIBL.

Humbjen e KB Peja në Kumanovë, të hënën në mbrëmje, nuk e ka kapërdirë lehtë as kryetari i këtij klubi, Art Gashi. Mirëpo, atë më shumë e kanë nervozuar sjelljet e tifozëve maqedonas, të cilët lëshuan një seri fyerjesh kundër shqiptarëve.

“Ishte ndeshje e fortë dhe cilësore nga të dyja palët. Neve na lëshuan nervat në fund dhe humbën ndeshjen. Sa i përket atmosferës në tribuna ajo ishte e turpshme dhe për këtë gjë jemi ankuar pas ndeshjes, duke shkruar në proceverbal të gjitha thirrjet raciste kundër shqiptarëve”, tha Gashi.

Ai nuk harroi për të shprehur një falënderim special për tifozët shqiptar të Kumanovës, “Ilirët” për mbështetjen e dhënë.


“Ata ishin mbështetësit tanë kryesor në këtë ndeshje. Kur dëgjoja brohoritjet e tyre ‘Peja, Peja’ u emocionova. I falënderojmë që na dhanë përkrahje maksimale dhe u kërkojmë falje që në fund i zhgënjyem”, deklaroi shumë i mërzitur edhe nga humbja por edhe nga thirrjet antishqiptare, Gashi.

Klubi i basketbollit “Peja” nga Kosova është mundur në Kumanovë nga skuadra me të njëjtin emër “Kumanovo” me rezultat 93-85, në ndeshjen e javës së tretë të BIBL Ligës, duke mos e shijuar ende fitoren. /Sporti1/Telegrafi/