LAJMI I FUNDIT:

Gardistët, prokuroria asnjë prove me rëndësi

Gardistët, prokuroria asnjë prove me rëndësi

Prokuroria nuk ka mundur të sigurojë prova të mjaftueshme për të dëshmuar fajësinë e tre gardistëve që aktualisht janë në qelitë e paraburgimit, në ngjarjet e 21 janarit. E përditshmja Mapo raportoi të martën se kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga caktimi i masës së sigurisë ndaj gardistëve që ishin pjesë e “grupit të zjarrit”, provat në ngarkim të tyre kanë mbetur gati në të njëjtën gjendje.

Burime të rezervuara pranë prokurorisë i thanë Mapos se ndërkohë që gardistët Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli ndodhen në qeli, Grupi hetimor ka mundur të mbledhë vetëm disa prova periferike dhe jo me rëndësi thelbësore për procesin.

Përveç disa dëshmive, në ngarkim të tyre Prokuroria ka vetëm ekspertizën balistike të armëve që ata përdornin. Gardistët kanë qëlluar më 21 janar, por Grupi hetimor nuk ka mundur të provojë nëse plumbat e dalë prej armëve të tyre kanë vrarë apo plagosur demonstrues.

Vetë gardistët kanë pranuar se kanë qëlluar në ajër për të paralajmëruar demonstruesit me qëllim ndalimin e tyre për të hyrë në rrethimin e kryeministrisë. Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar nga Garda e Republikës që të vërë në dispozicion të hetimeve pistoletat e shërbimit të tipit “Bereta”, të cilat ashtu si automatikët “MP5” përdorin fishekë të kalibrit 9 mm. Mapo bën të ditur se organi i akuzës do të kërkojë edhe automatikët model AK-47, ose kallashnikovët, që gjithashtu janë përdorur nga garda më 21 janar. /Telegrafi/