LAJMI I FUNDIT:

Gara për Kuvendin e Prizrenit

Në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor, për 41 ulëse të Kuvendit të Prizrenit do të garojnë gjithsejtë 26 subjekte politike. Është me rëndësi tejet të madhe se çfarë konfiguracioni politik do të marrë Kuvendi i Prizrenit pas zgjedhjeve lokale, pasi që kryetari i ri i zgjedhur i Prizrenit për të zgjedhur qeverinë e tij, do të jetë i detyruar të formojë koalicionin qeverisës të përbërë prej disa subjekteve politike, pasi që pa marrë parasysh se kush do të fitojë garën për kryetar, është e pamundur të qeverisë me Prizrenin pa koalicion i cili do të dalë pas rezultatit të ulëseve të fituara nga subjektet politike që garojnë.

Kuvendi aktual i Prizrenit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007 ka pas këtë renditje të konfiguracionit politik, në të cilin kanë qenë të përfshirë gjithsejtë 10 subjekte politike: Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja) 12 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) 10 ulëse, Aleanca Kosova e Re (AKR-ja) 4 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja) 3 ulëse, Partia Demokratike Turke e Kosovës(KDTP-ja) 3 ulëse, Koalicioni Vakati 3 ulëse, Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD-ja) 2 ulëse, Partia Reformiste ORA 2 ulëse, Partia e Drejtësisë (PD-ja) 1 ulëse dhe Partia e Aksionit Demokratik (SDA-ja) 1 ulëse.


Gjatë mandatit aktual vijues, kryetari aktual i Prizrenit z. Ramadan Muja ka udhëhequr me qeverinë komunale nga një koalicion zyrtar qeverisës i përbërë prej 4 subjekteve politike (PDK-ja, AKR-ja, KDTP-ja dhe VAKAT-i, i mbështetur jozyrtarisht edhe nga dy subjekte politike (LDD-ja dhe ORA). Pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit 2009 Kuvendit Komunal i ri i Prizrenit sipas parashikimeve do të ketë këtë përbërje të numrit të ulëseve:

Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja), pas përplasjeve të brendshme që kanë ndodhur në degën e Prizrenit, vështirë do ta ketë të shtojë numrin e ulëseve në Kuvendin e Prizrenit, për PDK-në do të ishte sukses që të mbajë numrin aktual të ulëseve 12, por ka gjasa reale të humb një ulëse me siguri, eventualisht edhe dy, ashtu që pas rezultateve përfundimtare pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen, numri i ulëseve të PDK-së do të jetë minimum 10 ulëse, maksimum 12 ulëse në legjislativin e ri të ardhshëm të Prizrenit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja), është e sigurt që do të mbajë numrin e ulëseve aktuale, 10, në Kuvendin aktual, por ka gjasa reale që të shtojë numrin e ulëseve me siguri për 1 ulëse, me gjasa reale edhe për 2 ulëse, si rezultat i përplasjeve brenda partiake të subjekteve politike të Prizrenit, ashtu që sipas parashikimeve numri i ulëseve të LDK-së minimum do të jetë 10 ulëse, maksimum 12 ulëse në legjislativin e ri të ardhshëm të Prizrenit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja), ka treguar një dinamizëm dhe zhvillim të aktivitetit të saj partiak brenda kësaj kohe dyvjeçare, dhe se është e sigurt që do ta mbajë numrin aktual të ulëseve, me gjasa reale që të shënojë një rritje të votave të fituara që automatikisht do t’ia sillnin edhe një ulëse më tepër. Ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 3 ulëse, maksimum 4 ulëse në legjislativin e ri të komunës së Prizrenit.

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP-ja) është parti e vetme e komunitetit turk në Prizren, e ka një elektorat stabil që nuk ndryshon, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 hendikep do të ketë largimin e votuesve të Mamushës, pasi që ajo garon e ndarë, si komunë e veçantë tani, pritet që të mbajë numrin e ulëseve aktual 3, eventualisht mund të fitojë 1 ulëse më tepër në rast se do të jetë pjesëmarrja më e madhe e votuesve, për ç’gjë jam shumë skeptik, ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 3 ulëse, maksimum 4 ulëse në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.

Aleanca Kosova e Re (AKR-ja), do të shënojë një ulje të numrit të votuesve, për shkak të pasivitetit të saj politik dyvjeçar, jo që nuk ka qenë interesimi i degës në Prizren, por për mosinteresimin total të qendrës në raport me degën, po ashtu ka treguar një perfomansë më të zbehtë gjatë fushatës elektorale në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2007, dhe ka mbetur në hije të partnerit të saj në koalicion LDD-së, me ç’rast si pasojë e saj do të jetë humbja me siguri e 1 ulëse me tendencë ndoshta edhe të 2 ulëseve , ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 2 ulëse, maksimum 3 ulëse në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.

Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD-ja), në saje të kandidatit të saj të propozuar në Koalicionin për Prizrenin Ruzhdi Rexha, gjatë fushatës elektorale ka treguar një perfomansë të duhur dhe se pritet që të korr rezultatin që ka pas nga zgjedhjet e vitit 2007, ashtu që pres që përsëri të fitojë 2 ulëse në legjislativin e ri të Prizrenit, aq sa i ka pasur edhe gjer tani.

Koalicioni VAKAT, është një koalicion i përbërë nga komuniteti boshnjak, por gjatë punës së tij dyvjeçare ka pas një pasivitet politik, si pasojë e së cilës ka rezultuar formimi i subjekteve të reja politike nga komuniteti boshnjak, që do të ndikojë në humbjen e sigurt të një ulëse nga zgjedhjet e kaluara, ashtu që numri i ulëseve të saja në legjislativin e ri do të jetë vetëm 2 ulëse, në krahasim me 3 ulëse që i ka pasur.

Partia Reformiste ORA, ka treguar një pasivitet politik dyvjeçar në Prizren, ndoshta edhe si pasojë e përplasjeve të saja brenda degës, po ashtu ka pas një prezantim më të dobët elektoral në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ashtu që për ORËN do të ishte sukses i madh në qoftë se arin të ruajë 2 ulëse aktuale që i ka, gjasat janë që do të humb një ulëse, ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 1 ulëse, maksimum 2 ulëse në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.

Partia e Drejtësisë (PD-ja), ka treguar një aktivitet dhe një zhvillim të dukshëm politik gjatë periudhës dyvjeçare, po ashtu me kandidimin e Shend Kabashit për kryetar të Prizrenit ka bërë një risi që me të vërtet dukshëm e ka shtuar imazhin dhe rejtingun e saj politik, gjatë fushatës së saj zgjedhore ka treguar një prezantim më dinamik dhe më të begatshëm me aktivitetet e saja të shumta elektorale. Mbarëvajtja e fushatës së saj elektorale në Prizren ka qenë në nivelin më të lartë që nga themelimi i saj në Prizren. Kjo pritet që me siguri të rezultojë në shtimin e 1 ulëse të saj në Kuvend, ashtu që numri i ulëseve të saja do të jetë minimum 1 ulëse, maksimum 2 ulëse në legjislativin e ri të Prizrenit.

Partia e Re Demokratike e Kosovës (NDS-ja), është parti e re e sapoformuar nga komuniteti boshnjak i Prizrenit, ka treguar një aktivitet të dukshëm politik, dhe se zgjedhjet e 15 nëntorit do të jenë testi i saj i parë, me gjasa reale dhe e suksesshme pasi që pritet të fitojë 1 ulëse në legjislativin e ri të Prizrenit.

Në përmbyllje të kësaj do të konkludojë se pas rezultateve që do të dalin pas zgjedhjeve të 15 nëntorit 2009, nuk pritet ndonjë ndryshim rapid i konfiguracionit politik aktual të ulëseve në Kuvendin e Prizrenit, por pritet që të ketë një ndryshim vetëm 10% në total të konfiguracionit politik të subjekteve politike të caktuara në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit.