LAJMI I FUNDIT:

Galdini: Do të bëjmë në Tiranë atë që bëri Gandi

Galdini: Do të bëjmë në Tiranë atë që bëri Gandi

Arjan Galdini, drejtues i Partisë për Liri Demokraci dhe Etikë thotë se situata në Shqipëri ka degraduar vazhdimisht drejt një hendeku që po thellohet, një proces vetëshkatërrues “ku palët e etura për pushtet nuk kanë gjë tjetër veçse të kundërshtojnë ekstremisht njëra-tjetrën”.

Galdini thotë në një intervistë dhënë Telegrafit se konkluzion natyral i gjuhës së urrejtjes njeri-tjetrin ishte gjuha e urrejtjes që palët kanë mbjell drejt njëra-tjetrës. “Kjo duhet të ndryshojë. 21 janari ishte vetëm fillimi i një kambane të rëndë që po bie për qytetarët dhe sistemin politik sepse mund të humbasim terrenet qe kemi fituar në 20 vite përpjekje për të perëndimizuar Shqipërinë. Ky vjen tek kapaciteti i liderëve për te promovuar paqe sociale. Kur kjo mungon, kur nuk u ofrohen shërbime qytetarëve, duhet të deklarojmë se sistemi ka nevojë për riformatim, ku qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre, të jenë dalëzotësa”, thotë ai.

Galdini thekson se ka besnikëri të vazhdueshme prej 20 vitesh të komunitetit ndërkombëtar ndaj qytetarëve shqiptarë. “Ata bëjnë thirrje që partitë të dalin mbi interesat e tyre. Klasa politike të maturohet që të prodhoje paqe sociale e funksionalitet të sistemit, qeveria dhe opozita duhet të jenë pjesë komplimentare që konfirmojnë njëra-tjetrën sipas rregullave të lojës dhe parimeve. Ndërkombëtarët imponojnë dhe joshin klasën politike dhe qytetarin”, thotë ai.

Galdini nënvizon megjithatë se pjesa jobesnike janë këto dy udhëheqësi politike – të majta, e të djathta. “Ata duan pushtetin dhe jo qytetarët shqiptarë. Kjo etje e tmerrshme për pushtetin e tyre i ka shtyrë që të ndërtojnë dy kampe përjetësisht në konflikt me njëra tjetrën. Ne jemi bota e shqiptarit që duhet të perëndimizohemi duke konfirmuar identitetin tonë kombëtar vlerat qe kemi nga e shkuara duhet t’i rigjejmë dhe t’i ripropozojmë. T’i mbledhim dhe vlerat perëndimore përndryshe nuk bën sens aplikimi i Shqipërisë për në BE dhe retorika pro integrimit evropian pasi po bëhet luftë për pushet dhe jo betejë e madhe alternativash për të ndërtuar një qytetërim demokratik, modern, perëndimor", thekson ai.


Beson se qoftë liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO, dhe çdo hap pozitiv tjetër është provë e besnikërisë së ndërkombëtarëve ndaj shqiptarëve dhe provë e qytetarëve shqiptarë për t’u lartësuar e ndërtuar si shoqëri perëndimore. “Liderët tanë nuk i ndjekin dot qytetarët e tyre dhe ndërkombëtarët gjithashtu. Ata kanë 20 vite që dështojnë. Kanë 20 vite kanë ndërtuar vazhdimisht skena si 21 janari. Viktimat janë policët dhe qytetarët. Kemi tre të vrarë dhe qindra të plagosur policë e qytetarë dhe retorika e urrejtjes vazhdon”, thotë ai.

Sipas tij, 21 janari dëshmoi pamaturinë e udhëheqësve shqiptarë dhe thekson se në fushën e betejës pamë sërish qytetarët shqiptarë të veshur me uniformë policie dhe ata të varfrit që kërkojnë kushte më të mira jetese. “Nuk është faji i asnjërës palë se çfarë ndodhi aty më 21 janar. Faji qëndron tek Edi Rama dhe Sali Berisha që e sjellin situatën të tillë që fusha e betejës ka viktima nga njerëzit e keqpërdorur”, thotë ai.

Galdini ka prodhuar një terminologji të re në shqip duke nxjerrë një grup njerëzish të quajtur dalëzotësat, të cilët janë ata qe i dalin zot punëve të vendit të tyre. Ai thotë se nga karvani i paqes ka dalë dërgata a dalëzotësëve për paqen që takoi presidentin e republikës Bamir Topi, do të takoje kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama.

“Tek kreu i shtetit përcollëm mesazhin e paqes dhe përkushtimit qytetarë për paqe. Në rast se asgjë nuk do te jetë efektive në bashkëbisedimet në zyrat e këtyre zotërinjve, pozicioni dhe reaksioni qytetar do të radikalizohet. Ne do të vendosim në dispozicion të ideve dhe misionit tone te paqes, trupat tane. Paralajmërojmë se do të bëjmë atë që bëri Mahatma Gandi”, thekson Galdini.

Paralajmëron grevë urie për paqen, një grevë jo nga partitë politikë, por nga qytetarët shqiptarë që u kërkojnë partive të ngrihen në lartësinë që koha kërkon, për të bërë paqe sociale.”Dokumenti bazë që ne i propozojmë presidentit është ai që quhet akti i madh i mirëbesimit. Pika e zgjidhjes është firmosja e këtij akti ku palët duhet të vendosin të stopojnë akuzat dhe përbaltjen ndaj njëri-tjetrit. Liderët duhet të ulen në tryezë të bëjnë paqe. Por, jo paqe përmes pazarit e për shkak te pazarit, por marrëveshje publike, transparente, me drejtësi për qytetarët. Një marrëveshje e fshehtë do të ishte vrastare për demokracinë”, thekson ai. /Telegrafi/