LAJMI I FUNDIT:

Gafa e “mbeturinave” e Bidenit, mund t’i kushtojë Harrisit humbjen e zgjedhjeve në ShBA?

Gafa e “mbeturinave” e Bidenit, mund t’i kushtojë Harrisit humbjen e zgjedhjeve në ShBA?

Nga: Sean O’Grady / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve në ShBA, politika amerikane është kthyer në një betejë margjinash të vogla. Gjithçka do të reduktohet në disa mijëra vota, ndoshta edhe disa qindra, në një numër relativisht të vogël zonash votimi në shtatë shtete vendimtare – një numër tejet i vogël përballë, le të themi, 150 milionë votave që do të hidhen.

Në sistemin e kolegjit elektoral, ku fituesi merr gjithçka, një votë e vetme mund ta çojë një shtet të tërë prapa një kandidati, ndërsa në një betejë të ngushtë siç është kjo tani, mund të kuptohet se pse drejtuesit e partive shqetësohen për çdo detaj, sado i vogël të jetë ai.


Si për shembull, për atë çfarë presidenti Joe Biden sapo tha ose nuk tha për mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump.

Pasi njëfarë komediani në një tubim të Trumpit bëri atë batutën famëkeqe duke i quajtur portorikanët “mbeturina”, Bideni reagoi në një intervistë me një vërejtje të paqartë, e cila ose dënonte komedianin për shakanë e tij raciste, ose dënonte çdo mbështetës nga afërsisht 70 milionë ndjekës të Trumpit.

Gjithçka varet nga fakti nëse mendoni se Bideni tha “mbështetës” apo “mbështetësit”. Bideni ka pasur gjithmonë vështirësi në të folur – por, ndoshta në këto kohë, njësoj si Trumpi, ai po bëhet më i pakontrolluar në shprehjen e mendimeve të tij.

Ose, kjo nuk varet realisht nga ky detaj, në kuptimin që trumpianët do të zgjedhin të besojnë se Bideni, përfaqësuesi i fundit i asaj që ata e shohin si kultura politike e “kënetës”, i trajton ata – që të gjithë – me përçmim.

Në mënyrë të pashmangshme dhe me të drejtë, kjo ua kujton njerëzve atë që Hillary Clinton tha me aq naivitet për trumpianët në vitin 2016, duke i tallur ata për opinionet e tyre “të mjera”. Në vend që të reflektonin mbi paragjykimin e paqëllimshëm, ata nxituan të blinin bluzat me mbishkrimin “Jam i mjerë” dhe me krenari e përvetësuan etiketimin.

Pyes veten nëse prodhuesit e tekstilit në Kinë do të mund të prodhonin një seri të mallrave me tematikën “mbeturinë”, për ditën e votimit; me siguri do të bëheshin gati për inaugurimin e Trumpit, i cili tani ndoshta është më i mundshëm se më parë, pas deklaratës së Bidenit.

Cili është ndikimi? Relativisht i vogël, me portorikanët e indinjuar meqë janë balancuar nga votuesit e egërsuar të Trumpit, duke pasur kështu një efekt të vogël – mirëpo kjo, natyrisht, mund të ketë rëndësi në disa shtete, në mënyrë tragjike, nga këndvështrimi i Bidenit. Gjithmonë do të jetë e pamundur që të dihet ndikimi i saktë i çdo gafe ose ndonjë prej ngjarjeje të fushatës. Sa vota vlen Beyoncé? Hulk Hogan? Trumpi në McDonald’s?

Ndikimi më i gjerë është te mënyra se kjo jep përshtypjen se fushata e demokratëve ka shmangur diçka te të dy kandidatët e saj presidencialë. Fushata ka qenë, për arsye të mira, vazhdimisht negative ndaj Trumpit dhe rrezikut që ai paraqet, por kjo duket se ka motivuar bazën e tij dhe ata që priren për t’iu bashkuar, veçanërisht në ditët e fundit kur kudo u hodh etiketa (korrekte) e “fashistit”.

Si janë ndier mbështetësit e tij nga kjo? Me neveri, sigurisht, por nuk ishin assesi kundërshtues ndaj vetë fashizmit trumpian.

Elementi i munguar – jo tërësisht, por megjithatë një mangësi – ishte mungesa e një mesazhi pozitiv, një plani dhe arsyeve për të besuar se Kamala Harrisi do t’i përmirësonte, në aspektin ekonomik, votuesit amerikanë në katër vitet e ardhshme.

Gjithçka ngjan paksa me ato konkurset që mund të gjeje dikur në mbështjellëset e bonboneve ose kuponët e gazetave, ku nga ti kërkohej të plotësoje një frazë dhe të fitoje furnizimin njëvjeçar me drithëra. Në këtë rast, fraza do të ishte: “Votoj për Kamala Harrisin për presidente sepse …”!

Ashtu si me Hillaryn, nuk mjafton që përgjigja të jetë “sepse ajo nuk është Donald Trump” ose “sepse të tjerët janë të mjerë/mbeturina” ose “sepse ajo do të jetë presidentja e parë grua”.

Votuesit duan të dinë se çfarë do të përfitojnë. Përndryshe, gjithçka është thjesht mbeturinë. /Telegrafi/