LAJMI I FUNDIT:

Gabimisht shet jahtin për më pak se 23 euro

Gabimisht shet jahtin për më pak se 23 euro

Gjermani Jakob Kauder ka bërë gabimin për të cilin sigurisht do të paguajë tërë jetën. Jahtin e tij, me vlerë rreth 12.000 euro, e ka shitur në ankandin e internetit për vetëm 22.50 euro, sepse ka harruar të përcaktojë gjënë më të rëndësishme të ankandit, çmimin minimal.

Kur ka kaluar afati për lajmërimin e blerësve të interesuar oferta më e shtrenjtë ka qenë me vlerë prej 22.50 eurosh. Blerësit serioz as që janë paraqitur në shpalljen e bërë, sepse, duke parë që nuk ka çmim minimal, kanë menduar se bëhet fjalë për një shaka.

Kur në fund të ankandit e ka kuptuar se çfarë ka bërë, Jakob Kauder ka tentuar të zhvlerësojë shitjen, duke theksuar si arsye “problemet teknike“, mirëpo gjykata në Köln ka qenë e palëkundshme. Ka vendosur se ankandi ka qenë i ligjshëm dhe se jahti duhet t’i shitet blerësit më të mirë.

"Ligjet standarde të tregtisë duhet të respektohen. Kjo vlen edhe për ankandet në internet", ka thënë zëdhënësi i gjykatës.