LAJMI I FUNDIT:

Futbolli i Kosovës 1991-1999…Flet ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Hadi Mehmeti

Futbolli i Kosovës 1991-1999…Flet ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Hadi Mehmeti

Futbolli i Kosovës, një histori e fragmentarizuar…

Futbolli i Kosovës tashmë ka arritur në stacionin  që për më shumë se gjysmë shekulli ka ëndërruar ta kishte. U pranua në UEFA dhe FIFA. Me një fjalë, është bërë pjesë e pandashme e futbollit botëror e evropian në të gjitha përmbajtjet.

Pjesë e kësaj historie ishte dhe po vazhdon të jetë edhe Hadi Mehmeti, ish-sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës, që në këtë post trashëgoi Sejdi Mërkojën, gjatë kohës sa ishte kryetar i këtij asociacioni, Agim Bytyçi. Pos tyre këtë detyrë e ushtroi edhe i ndjeri Ali Shkreli, kur fedeqratën e drejtoi edhe Rexhep Abdullahu…


Si i sheh këto ngjarje për gjithçka të veçanta, Hadi Mehmeti, i cili edhe më tutje vazhdon të jetë veprues në futbollit e Kosovës?

Puna e palodhshme e gjithë punëtorëve sportivë të të gjithë brezave; të futbollistëve, trajnerëve dhe të gjyqtarëve më në fund u shpagua. Ëndrra u bë realitet. Rruga ishte e shumë e gjatë, e mundimshme, me sakrifica të mëdha, me tortura, në kushte mjaft të vështira dhe të papërshtatshme, por kurrë nuk hoqëm dorë mbi të drejtën tonë.

Për dhunën sistematike që ushtrohej ndaj futbollistëve, gjyqtarëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportivë, vazhdimisht janë njoftuar organet e futbollit evropian e botëror ( UEFA dhe FIFA). Kryesia e parë dhe e dytë e Federatës së futbollit të Kosovës njoftonte saktësisht se në cilën lojë, në cilin vend kanë ndodhur këto maltretime, rrahje, plaçkitje dhe burgosje të aktorëve. Lidhur me këtë dhunë kam dërguar shkresa të ndryshme edhe unë si sekretar i FFK-së gjatë mandatit tim. Për çudi përgjigja vinte në të ashtuquajturën selinë e Lidhjes së Futbollistike të KM; arsyetimi i tyre ishte se ne nuk ishim anëtarë të saj dhe nuk mund të na ndihmonin. Nënshkrimi ishte i një administratori me prejardhje serbe. Na kaploi një gëzim i madh i cili na përcjell edhe sot e do të na përcjell çdoherë.

FFK-ja e pati paraqitur kërkesën për konkurrim edhe para luftës, por që nuk u shqyrtua seriozisht. Me angazhimin maksimal të legjendës tonë të futbollit, të të pavdekshmit, Fadil Vokrri dhe të bashkëpuntorëve të tij,  Federata jonë u pranua në UEFA dhe FIFA. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm, një ëndërr që u bë realitet. U hapen dyert për kombëtaren tonë dhe për klubet tona të futbollit.

-Ku zënë fill këto përpjekje të brezave të futbollit të pavarur të Kosovës?

Rreth viteve të ‘80-ta të shekullit të kaluar mbi qiellin e Kosovës valvonin do re të zeza të cilat paralejmëronin ogurin e zi për Kosovën dhe popullin e saj… Ashtu edhe ndodhi. U paralizu jeta në Kosovë.

Ushtrohej një dhunë sistematike mbi popullatën e pafajshme dhe duarthatë. U suprimua Kuvendi i Kosovës, u futen masat e dhunshme në çdo organizatë të punës, i larguan nga puna pjesën dërmuese të punëtorëve, u ndaluan mjetet e infromimit.

Kësaj dhune nuk i shpëtoi as sporti e sportistët. Të njëjtin fat e patën futbollistët, gjyqtarët, trajnerët dhe punëtorët e tjerë sportivë. Kosova në atë kohe kishte institucionet e veta sportive, organizonte gara në të gjitha nivelet. Kishte të organizuara garat në tri rangje; Liga e parë, Liga e dytë dhe Ligat rajonale. Poashtu , organizoheshin gara edhe me grupmoshat e reja në të gjitha nivelet.

Për fat të keq , masat e dhunshme shkatërruan çdo gjë. Mirëpo, klubet futbollistike, futbollistët, trajnerët, gjyqtarët dhe punëtorët sportivë nuk qëndruan duarkryq. Të ndërgjegjshëm se po ndodhë një segregacion i paparë ndonjëherë, se po shkatërrohet çdo gjë që ishte ndërtuar deriatëherë, morrën nismën për themelimin e Institucioneve tona të pavarura, tash në bazë të deklarimit të sovranit, Deklaratën Kushtetuese të datës 2 /7/1990. Ashtu edhe ndodhi. S`kishte më kush të na ndalonte, as dhuna e maltretimet thuaja të përditshme. Ishim të vendosur për qëllimin dhe idealin tonë – themelimin e institucioneve të pavarura sportive. Themeluam Federatën e Futbollit, Shoqatën e gjyqtarëve të futbollit dhe Shoqatën e trajnerëve të futbollit.

-Kush janë protagonistët e kësaj lëvizjeje historike të futbollit të Kosovës?

Pas uzurpimit të fushave tona sportive dhe të masave të dhunshme, klubet, futbollistët, gjyqtarët, trajnerët dhe punëtorët e tjerë sportivë bojkotuan garat nën ombrellën e të shtuquajtures LF e KM.

Më 20/8/1991, në Prishtinë, ndodhi një ngjarje historike, që bëri jehonë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë trojeve tona; mbahet Kuvendi dhe themelohet Federata e Futbollit e Kosovës ( Bashkimi i Sindikatave të Pavaruara të Futbollit të Kosovës; kështu është quajtur atëherë). Kuvendi zgjodhi për kryetar të ndjerin Agim Bytyçi.

Pra , ekzistoi në atë kohë uniteti i të gjithë faktorëve realevantë se rininë tonë nuk duhet të lejojmë që të bredhte rrugëve, mos t’i shuajmë shpresat e atyre breznive të mrekullueshme.

Periudha më domethënëse e futbollit të Kosovës ishte, pa mëdyshje, ajo e fundsheshullit të 20-të, më saktë, 1991-1999… Si i shihni zhvillimet e kësaj kohe?

Se duam, dijmë dhe mundemi, tregoi periudha më domethënëse dhe më e ndritshme, ajo e viteve 1991-1999. Përkundër maltretimeve, plaçkitjeve dhe dhunës sistematike, aktorët tanë me krenari dhe dinjitet vazhduan garat. Liga ishte paraparë që t’i kishte 20 klube, por KF Juniku nuk ia doli të organizohej. Meritat më të mëdha i kanë futbollistët që bënin gara në kushte të vështira. Fushat e futbollit ishin të përshtatura dhe shumë të rënduara. Kur jemi tek fushat, duhet falënderuar pronarët e livadheve që i lëshuan ato për zhvillimin e garave. Po ashtu, merita të mëdha kanë edhe gjyqtarët, trajnerët, mjekët, punëtorët sportivë e donatorët e ndryshëm. Nuk duhet harruar se këtij karvani i printe populli liridashës dhe zemërgjerë i Kosovës.

Pushteti i dhunshëm serb ndiqte këmba-këmbës çdo veprimtari dhe nuk kursente asgjë që këto t’i ndalonte. Ato ndërprenin ndeshjet, maltretonin pjesëmarrësit duke përdorur dhunën brutale, arrestime. Gjykatat shqiptonin dënime për kundërvajtje dhe prishje të ‘rendit publik’, por ne kurrë nuk u ndaluam.

Duke qenë pjesë e kësaj historie, padyshim, keni edhe kujtime të shumëta…Cilat ishin angazhimet tuaja ndër vite të kësaj periudhe?

Jam krenar që mu dha rasti të isha pjesëmarrës aktiv gjatë asaj periudhe të shenjtë. Isha pjesëmarrës në kuvendin e parë të FFK-së. Po ashtu , kolegët e mi, i ndjeri Shinasi Berisha, Ismajl Kasumi, Ahmet Haxhijaha dhe unë, shumë më herët kishim krijuar një këshill nismëtar për themelimin e Shoqatës së Gjyqtarëve të futbollit të Kosovës. Kështu e quajtëm atëherë. Vizituam çdo qendër dhe morëm përkrahjen e plotë për themelimin e saj. Kuvendi u mbajt në Prishtinë, më 9/9/1991, ku kryetar u zgjodh i ndjeri Shinasi Berisha,  ndërsa unë u zgjodha sekretar. Morra për obligim përpilimin e akteve normative të Shoqatës. Me ju po ndaj një lajm mjaft domethënë; kolegu im, Ahmet Haxhijaha, e kaloi kufirin ilegalisht, duke rrezikuar çdo gje dhe udhëtoi për në Tiranë. Atje takoi në Federatën Shqiptare të Futbollit ish-Sekretarin Eduard Dervishi, i cili ia dhuroi të gjitha aktet normative.

Morra pjesë edhe në Kuvendin e 2-të të FFK-së, ku mandatar u zgjodh i ndjeri Rexhep Abdullahu e kundërkandidat kishte të ndjerin Bedri Hamza. Unë u emërova Sekretar i FFK-së.

Duhet veçuar se ish-Kryesia e parë e FFK-së nuk na dorëzoj asnjë akt normativ, asnjë vendim, protokol, apo ndonjë shkresë tjetër, duke na vështirësuar mjaft punën në vazhdimësi. Jemi detyruar që të nisim prpilimin e tyre. Në këtë kampionat u përpiluan librezat e futbollistëve me kartotekat, kontrolli mjekësor. Librezat ishin me amblemë të FFK-së me mbishkrimin Republika e Kosovës. Kjo i ra në sy pushtuesit, gjë që e ashpersuan kontrollin dhe dhunën.

Kam punuar me kryetarët e FFK-së, të ndjerin Agim Bytyçi, të ndjerin Rexhep Abdullahu, Sabri Hashanin dhe legjendën e pavdekshme, Fadil Vokrri. Të gjithë kanë dhënë një kontribut të çmuar në futbollin tonë dhe kanë merita të mëdha. Me të gjithë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë.

Pas dorëheqjes time, të gjitha materialet dhe dokumentacionin komplet ia kam dorëzuar pasardhësit tim, të ndjerit Ali Skreli.

Pas kësaj dorëheqjeje, vëllezërit Baholli më ofruan një vend pune në Ndërmarrjen e tyre dhe më emëruan skretar të KF 2 Korriku.

Pas luftës kam qenë kryetar i Komisionit të delegimit-një mandat, kryetar i Komisionit të Disiplinës-një mandat, kryetar i Këshillit të Garave, vëzhgues, kontrollor…

-Si e kujtoni organizimin e shumë punëtorëve të futbollit, trajnerëve, drejtuesve të klubeve dhe të vetë futbollistëve gjatë një dhjetvjeçari jashtëzakonisht të vështirë?

Të gjithë dhanë kontributin e tyre, aq sa kishin mundësi në pavarësimin e futbollit . Futbollistët i janë përgjigjur masovikisht inkuadrimit në garat e organizuara nga FFK-ja. Ata nuk u ndalen asnjëherë edhe përkundër dhunës dhe plaçkitjeve. Gjyqtarët themeluan shoqatën e tyre, po pokështu edhe trajnerët.

Ishte kënaqësi t’i shihje të gjithë të bashkuar rreth një qëllimi të caktuar. Ishte mjaft i vogël numri i atyre që nuk na u bashkuan dhe i atyre që qëndruan shpërfillshëm”.

-Keni njohuri për zhvillimet që askohe,  pos në Prishtinë, kanë ndodhur edhe në qendrat e tjera të Kosovës?

Puna e madhe që u bë në ato vite, pati jehonë të fuqishme në të gjitha qendrat rajonale të Kosovës. Në këtë vazhdë, u themeluan Lidhjet Rajonale dhe u organizuan edhe garat. U aktivizuan një numër i madh i klubeve të futbollit, të cilat gëzonin një përkrahje të madhe. Shikuesit në numër të madh dhe me vëmendje përcillnin këto gara. Kishin sjellje shumë të mirë, duke treguar një kulturë të lartë sportive. U krijuan Shoqatat e Gjyqtarëve dhe ato të Trajnerëve. Nisi puna edhe me grupmoshat e reja. U hapen shkollat e futbollit, të cilat ishin shumë vepruese. Ato filluan të marrin pjesë nëpër turne ndërkombëtare, ku nuk munguan as rezultatet”.

-A janë të sakta datat e ngjarjeve dhe pjesëmarrësit e tyre? Çka ka mbetur pa u thënë për periudhën 1991-1999?

Lufta ka shkatërruar pothuajse çdo gjë në Kosovë. Kësaj nuk i ka shpëtuar as dokumentacioni sportiv e në veçanti ai i futbollit. Disa aktorë të atyre ngjarjeve nuk janë më në mesin tonë, por u mbetet atyre që janë ende në këtë jetë, që t’i shkruajmë në mënyrë që gjeneratet e sotme të njoftohen me rrjedhën e ngjarjeve të atëhershme.

Mbajtja e Kuvendit të parë të FFK-së – data e saktë është 20/8/1991, ndërsa ndeshja e parë që hapi kampionatin e pavarur të Kosovës  është 13/9/1991; u takuan Flamurtari dhe Prishtina.

Kuvendi i parë i SHRFK – data e saktë është 9/9/1991. Një ndeshje e futbollit e organizuar për nder të një-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë , të Deklaratës Kushtetuese të datës 2/7/1990, u zvillua në Gërmi, në futboll të vogël (30/6/1991), ndërmjet 2 Korrikut dhe Flamurtarit.

Ndeshja e parë që hapi Kampionatin e parë të pasluftës është zhvilluar në stadiumin e Prishtinës, më 27/8/1999, ndërmjet 2 Korrikut dhe Prishtinës.

-Kush janë nismëtarët e futbollit të pavarur të Kosovës? Ose: ku zë fill futbolli i pavarur i Kosovës?

Masat e dhunshme në futboll, segregacioni, dëbimi nga puna i shumë sportisteve dhe punëtorëve sportivë, e shpejtuan këtë  proces. Klubet e futbollit e përjetuan rëndë këtë, nga shkaku se u uzurpuan fushat e tyre vetëm pse ishin shqiptare; ju ndalua hyrja, ata edhe u larguan nga puna vetëm pse ishin shqiptarë dhe nuk pranuan kurrfarë poshtërimi. Pushtuesi largoi nga puna gjyqtarët, trajnerët e punëtorët sportivë, të cilët u bashkuan me të vetmin qëllim që të krijojnë institucionet e veta sportive. Përkrahja ishte e madhe, si nga qytetarët, pronarët e tokave dhe të lokaleve dhe donatorëve të ndryshëm, pa ndihmën e të cilëve vështirë se do t’ia dilnim. Edhe mjetet e informimit, qoftë elektronike, qoftë të shkruara, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm me raportimet e tyre nga vendngjarjet, në mënyrë korrekte dhe profesionale.

-Historiku i futbollit të pavarur edhe më tej vazhdon të jetë i fragmentarizuar… Mendoni edhe Ju kështu?

Po, edhe unë e kam të njëjtin mendim. Kjo nuk është shkruar në tërësi, por pjesë-pjesë nga autorë të ndryshëm. Është vërejtur se disa personazhe kanë pasur për qëllim që veten ta paraqesin në ballinë si ideatorë dhe më të merituarit. Pati edhe të atillë që me bërryla të shtyhen, por kanë mbetur të vetmuar.

Për këtë histori të lavdishme të sportit, e në veçanti të futbollit, nuk mjafton vetëm një shkrim Duhet një angazhim maksimal i njerëzve të kësaj fushe dhe jo vetëm, sepse kjo periudhë e lavdishme është një vepër e jashtëzakonshme kombëtare.

Për shkak të luftës, mungon dokumentacioni përkatës. Kjo ka bërë që të ketë edhe mospajtime. Duhet të shfrytëzohet ai material që ka mbetur dhe ato personazhe që ende janë në mesin tonë të angazhohen në botimin e një monografie të futbollit të pavarur të Kosovës.

/Xhavit KAJTAZI/

Në trend Sport

Më shumë
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Premier League
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Vedat Muriqi ndëshkohet me karton të kuq për gjest të pahijshëm në fitoren e Mallorcas

Vedat Muriqi ndëshkohet me karton të kuq për gjest të pahijshëm në fitoren e Mallorcas

La Liga
Celta Vigo bën përmbysje të madhe për të fituar një pikë ndaj Barcelonës

Celta Vigo bën përmbysje të madhe për të fituar një pikë ndaj Barcelonës

La Liga
Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

La Liga
Kalo në kategori