LAJMI I FUNDIT:

Fushë Kosova e bindur të mposhtë Hysin

Fushë Kosova e bindur të mposhtë Hysin

Hysi nëse do të mbetet në krye të tabelës, sot në ballafaqim me Fushë Kosovën nuk ka alternativë tjetër përveç fitores dhe tre pikëve. Kjo do t’ia mundësonte ekipit të Fadil Ademit që në fund të stinorit vjeshtor të dimëroj në krye të tabelës. Mirëpo edhe Fushë Kosova i ka llogaritë e veta, veçmas pas barazimit me Prishtinën, pas së cilit është shtuar optimizmi për suksese të reja. Madje drejtuesit e skuadrës janë të bindur se do ta ndalin turrin e Hysit.

“Është një atmosferë e mirë dhe një mobilizim i shtuar, i cili na bën më optimist për ndeshjen me Hysin. Mendoj se ka ardhur kohë për fitore dhe shpresoj se do ta mposhtin Hysin, skuadër që nuk ka pësuar ndryshime nga ndeshja e parë në Merdar, kur na mposhti më shumë në saje të fatit”, tha trajneri i Fushë Kosovës, Remzi Gojnovci, duke konfirmuar se as në këtë ndeshje nuk mund të llogaris në mbrojtësit Leutrim Beqiri e Qëndrim Kida, ndërkohë që nuk është e sigurt as paraqitja e Shkëlzen Jashanicës.

Fushë Kosova përveç Prishtinës ka barazuar edhe një javë më parë kundër Ferronikelit. Kryetrajneri i Hysit, Fadil Ademi e di rëndësinë e ndeshjes, por si zakonisht është tejet i matur. “Natyrisht se vendi i parë kërkon angazhim të madh në mënyrë që ta mbajmë këtë pozitë, por na presin edhe shumë sida e njëra nga këto është edhe Fushë Kosova, e cila nuk është për t’u nënçmuar fare”. Trajneri i ekipit llapjan ende e ka në mendje rezistencën e madhe të Fushë Kosovës në ndeshjen e parë, por mendoj se kësaj radhe do të jetë ndryshe. “Ne kemi pasur telashe edhe në ndeshjen e parë kur shënuam fitore në çastet e fundit. Megjithatë jam optimist se nga kjo ndeshje do të dalim me rezultat të favorshëm”, tha Ademi. Hysi në dy ndeshjet e fundit ka shënuar fitore dhe një herë ka barazuar.

Llamkosi kërkon fitoren e dytë me radhë


Llamkos Kosova në ndeshjen me Trepçën kërkon të zgjasë serinë e fitoreve në dy të njëpasnjëshme, por në të njëjtën kohë edhe të kthej lidershipin. Seria e tyre më e gjatë këtë sezon ishte tre fitore me radhë, prej javës së tretë deri në atë të pestën.

Drenica për ndeshjen e shtatë pa humbje

Kuqezinjtë e presin Hajvalinë në “Bajram Aliu” me shpresë që të vazhdojnë serinë prej 6 ndeshjeve pa humbje. Pas startit katastrofal ekipi drenicak në gjashtë javët e fundit, në krye me trajnerin Afrim Jashari, ka arritur të shënoj katër fitore dhe dy herë të luaj baras. /Zëri/Telegrafi/

Superliga – java 12

Ferizaj – Prishtina 1:0

e shtunë
Llamkos Kosova – Trepça, 15:00
Drenica – Hajvalia, 15:00
Fushë Kosova – Hysi, 15:00

e diele
Besa – Drita, 14:00
Trepça’89 – Ferronikeli, 14:00