LAJMI I FUNDIT:

Fondi për Garanci Kreditore i (pa) nevojshëm për bizneset

Fondi për Garanci Kreditore i (pa) nevojshëm për bizneset

Më qëllim të lehtësimit të kushteve të kompanive private, qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka miratuar koncept dokumentin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Ky fond i cili fillimisht në dispozicion ka 18 milionë euro do të adresojë veç tjerash një nga barrierat kryesore të biznesit që është qasja në financa.

Për shkak të rrezikut të madh të perceptuar, bankat kanë procedura të gjata administrative, kërkojnë kolateral të madh, të cilat janë pothuajse të papërballueshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Kështu thotë për Revistën “ Ekonomia” Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se Fondi fillimisht do të mbuloj deri në 50 për qind të kolateralit, i cili vetvetiu do ta zbresë rrezikun për bankat.


Garancitë e kredive që sigurohen nga Fondi për institucionet financiare do të rregullohen me rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës dhe kontratat ndërmjet Fondit Garantues dhe institucioneve financiare.

Cilat biznese përfitojnë ?

Biznesi i interesuar për zhvillimin apo zgjerimin e mëtejshëm të biznesit do të duhet te aplikon ne një nga institucionet financiare, bankare, jobankare dhe ato mikrofinanciare të cilat do të kenë marrëveshje me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për mbulimin e kolateralit prej 50%.

“Ne besojmë që institucionet bankare dhe jobankare si dhe ato mikrofinanciare, do të reflektojnë në uljen e rrezikut përmes garantimit deri në 50 për qind të kolateralit dhe kjo do të ndikojë në uljen e normave të interesit”.

Nga Fondi për Garanci Kreditore, sipas Vjollca Dibrës, do të përfitojnë këto lloje të bizneseve: Bizneset e reja me më pak se tre vjet, fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NMVM) që merren me procesim ushqimi, NMVM-të pa shuma të mëdha të aseteve fikse për kolateral, bizneset në pronësi të grave, bizneset me produkte dhe shërbime të reja dhe inovative.

“NMVM-të që duan të rrisin prodhimin vendor për zëvendësimin e importit dhe për eksport, bizneset që zbatojnë programe për energji të ripërtritshme dhe efiçiencë të energjisë, bizneset TIK dhe bizneset e teknologjisë”, tregon Dibra për revistën Ekonomia.

Për mes këtij fondi llogaritet që në gjashtë vjetët e para të rritet mundësia për kredi të reja për rreth 360 milionë euro, me të cilat mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.

Bizneset mirëpresin nisjen e zbatimit te Fondit

Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe afaristë e mirëpresin fillimin e zbatimit të këtij Fondi.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB) këtë fond e konsideron të qëlluar, pasi krijon mundësi për investime dhe krijimin e vendeve të reja të punës , por që sipas tij mbetet e paqartë mënyra e realizimit të tij.

“Shumë biznese nuk kanë kolateral të mjaftueshëm për të paraqitur në bankat komerciale. Kjo kërkesë e bankave për marrjen e kredive vështirëson procedurat për marrjen e kredive dhe nëse për 50 për qind të kolaterialit garanton banka, atëherë kjo ndikon në rritjen e zhvillimit të bizneseve”.

Sa i përket rëndësisë se krijimit të këtij Fondi, për Revistën “Ekonomia” flet edhe Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”.

Kjo kompani është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë, kurse prodhimet e saja tashme janë eksportuar në disa nga vendet e rajonit, Evropës por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Palushi thotë se prodhuesit shpresojnë se fondi i krijuar nga Qeveria e Kosovës, do të ulë kamatat e kredive në bankat komerciale, dhe natyrisht që kjo është një mundësi e mirë që ne të rrisim investimet kapitale nëpër kompanitë tona.

“Në të shumtën e rasteve bankat komerciale kanë kërkuar kolateral në vlerë tri herë më të lartë sa shuma e kërkuar për kredi. Natyrisht që kjo ka qenë pengesë, sepse për veç kësaj procedurat janë burokratike për miratimin e një kredi, pasi kërkohen sigurimi i një numri të madh dokumentesh. Por, edhe pas miratimit kostoja është e shtrenjtë, për shkak të kamatave të kredive”.

“Megjithatë, ky veprim i qeverisë është i pamjaftueshëm, por gjithësi mendoi se do të ketë pozitivitet dhe presim që të ketë qasje më të lehtë në bankat komerciale. Besoi se do të jetë një lajm i mirë, për kompanitë e sidomos për prodhuesit”.

Ekspertët: Fond i panevojshëm

Por ndryshe mendon eksperti për çështje ekonomike njëherësh ish ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, profesori Haki Shatri.

Ai për revistën “Ekonomia” thotë se nuk e konsideron shumë të nevojshëm formimin e një Fondi të tillë.

Pasi sipas tij, portofoli i kredive në bankat komerciale në Kosovë nuk është i keq. Madje sa i përket nivelit të kredive të këqija, Kosova ka nivelin më të ulët në rajon. Pra rreziku i kthimit të kredive është shumë i vogël.

“Sepse Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, ka vendosur kritere më të cilat i ka kufizuar bankat komerciale që mos të japin kredi për klientët të cilët janë të sigurt. Duke qenë kështu dhe duke pas depozita mbi 2. 5 miliard euro në bankat afariste, BQK më mirë është që të lirojë kritere dhe të iu mundësohet bankave komerciale që të japin kredi më shumë”.

“Nuk ka nevojë shteti të përgatit një fond që do të mbulojë kreditë e dështuara. Unë mendoi se është një tentim i kotë , ndoshta mund të jetë stimulativ pasi nuk jemi në gjendje alarmante duke marrë parasysh portofolin e kredive”.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, norma e kredive joperformuese në prill të këtij viti ka qenë 7.9 për qind, krahasuar me 8.6 për qind sa ka qenë në prill të vitit 2014.

Edhe vetë zyrtarë të Bankës Botërore kanë konfirmuar se sektori bankar karakterizohet me pjesëmarrjen më të ulët të kredive të këqija krahasuar me vendet e rajonit.

Në anën tjetër, sipas të dhënave zyrtare, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliard euro më një normë të interesit tetë për qind.

Kurse shuma e kursimeve të qytetarëve në banka ka arritur në mbi 2. 5 miliard euro, më një norma të interesit deri në 0.5 për qind. /Revista Ekonomia/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Ekonomi
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Kosova në CEFTA pa UNMIK, Hajdari thekson rëndësinë e qasjes së barabartë ekonomike dhe tregtare

Kosova në CEFTA pa UNMIK, Hajdari thekson rëndësinë e qasjes së barabartë ekonomike dhe tregtare

Ekonomi
CEFTA miraton nëntë marrëveshje të reja që synojnë të transformojnë tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik në Rajon

CEFTA miraton nëntë marrëveshje të reja që synojnë të transformojnë tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik në Rajon

Ekonomi
Sarrazin: Tregu i përbashkët rajonal do të jetë ndër arritjet kryesore të Procesit të Berlinit

Sarrazin: Tregu i përbashkët rajonal do të jetë ndër arritjet kryesore të Procesit të Berlinit

Ekonomi
Ziadeh për marrëveshjen e CEFTA-s: UNMIK-u ka mbështetur rrugën drejt konsensusit të arritur

Ziadeh për marrëveshjen e CEFTA-s: UNMIK-u ka mbështetur rrugën drejt konsensusit të arritur

Ekonomi
Kalo në kategori