LAJMI I FUNDIT:

Fondet e BE-së, 75 përqind shkojnë për konsulencë dhe studime

Fondet e BE-së, 75 përqind shkojnë për konsulencë dhe studime

Një delegacion i faktmbledhës i Komitetit Buxhetor të Parlamentit Europian është shprehur i pakënaqur lidhur me shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Evropian në Kosovë. BE-ja ka investuar deri më tash rreth 2 miliardë euro në Kosovë.

Përshtypja që kemi fituar gjatë kësaj kohë ka të bëjë kryesisht me disa mangësi, që kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e këtyre fondeve. Siç dihet, këtu ka qenë një varfëri e madhe gjatë viteve të kaluara, ndërsa kur flitet për asistencën e dhënë nga BE dëshirojmë të arrijmë rezultate edhe për paratë e shpenzuara. Nga ekspertët kemi dëgjuar, se 75 përqind e parave shkon tek konsultimi, por edhe për studime të ndryshme, gjë kjo e cila duhet të shqyrtohet, apo edhe të hetohet”, thanë përfaqësuesit e delegacionit të BE-së.

Sipas tyre, është me rëndësi që të ketë një kontroll të shfrytëzimit të parave dhe transparencë për përfitimet që mund të ketë në të ardhmen Qeveria.
Kryesuesi i këtij delegacioni, Herbert Bosch, tha se të gjitha përshtypjet do të paraqiten në raportin e përgatitur për këtë vizitë, në mënyrë që Parlamenti Evropian të informohet mbi çështjet e asistencës financiare nga vendet e BE-së.

“Jemi të kënaqur, kryesisht me investime të bizneseve të vogla prej të cilave njerëzit kanë arritur të përfitojnë. Siç dihet problemi më i madh për Kosovën është fusha e energjetikës dhe ne kemi konstatuar se në këtë plan duhet gjetur edhe zgjidhje tjera alternative, siç është sistemi solar e tjera, u shprehën përfaqësuesit e delegacionit, mirëpo thanë edhe se dy ditë nuk mjaftojnë, për të dhënë vlerësime adekuate. /Telegrafi/