LAJMI I FUNDIT:

Fleta që s’shkruhet

Fleta që s’shkruhet

Ishte një mëngjes i bukur. Ai do jetë zgjuar i këndellur e me gëzim. Udha që çonte në Zyrën e Kancelarit shkurtohej shpejtësisht dhe personeli i tij do të ketë filluar, tashmë, ta imagjinonte redizajnimin e saj.

Por, papritur, shtabi, këshilltarët, krerët e partisë, miqët e ngushtë, ai vetë kishin shtangur. Rivalët e tij dinakë do të publikonin një pandehmë të ashpër morale. Të ruajtur kujdesshëm për orën e ligë kur karroja elektorale të marrë teposhtëzen, ata e shpallnin atë si flamur të rreckosur fitoreje: sfiduesi i tyre i pandalshëm paskësh qenë në dijeni të një vrasjeje të hershme dhe kishte heshtur.


Ishte ky Björn Engholm, intelektual i hollë e plot sharm, që rridhte nga elementi nordik gjerman. E kishin nominuar për Kancelar Socialdemokratët e margjinalizuar, përballë Kohlit demokristjan që pretendonte mandatin e katërt dhe të fundit të tij.

A kje taktika bizare e kundërshtarit, pat gënjyer vërtetë apo, thjeshtë, fati i lig politik që e shtyri atë drejt rrëzimit – nuk do thoshja specifikisht asnjëherë. Me gjasë kanë qenë tri shkaqet bashkë: e ai, me ndjesi e kulturë qytetarie, dorëhiqej burrërisht nga rendja brilante për ta dërguar Helmutin e hargjuar e provincial në shtëpi.

Përse nuk zanafillohet kurrësesi ky stil i lartë i ndarjes me politikën ndër shqiptarë?

Premieri i hallakatur i Kosovës, s’ka heshtur një vrasje, por madje, ndryshe nga Björni, ka tumirë qindra të tilla dhe ka mallkuar – jo dorasin serb, por viktimën e pafaj shqiptare fundvitesh të stuhishme 80-të, kur do të bëhej pjesë e kabinetit mëkëmbës të Slobodanit.

Pastaj gënjeu se nuk kishte fyer, ndërkohë që tabulati telefonik i pasdëgjuar dëshmon faktueshëm të kundërtën. E, mbanë tjetër të Dhéut të Evropës, veç imazhit të dobët, squllosjes vetore a karizmës impresive të Angelës, kësaj “Zonje të Evropës”, ishte pikërisht dhe një gënjeshtër që do ta hidhte një figurë kohëgjatë politike me emrin Peter Strinbrück jashtë betejës zgjedhore për ta alternuar atë. Doli të kje një fakt i provuar më pas – por nismërisht i mohuar prej tij, se kishte konflikt interesi e përfitonte të hyra prrallore nga punë e agjenci të tjera…Tani u bënë 4 vjet qyshkur ai gëzon prehjen e ditëve të vona pensionare.

Dhe, ç’është poaq zi, Premieri fillhumbur – ka kërcënuar shtypin e lirë. Një përvojë e ngjashme, prapë nga landet sipër Vjenës, rivjen kujtese e akuzon. Anipse në një formë tepër më të kadifenjtë dhe elegante, bashkëpunëtorë të afërt t’një Presidenti kishin kërkuar mosbotimin e një lajmi. Redaksia nuk u spraps. Do të editonte mandej informatën se ai kishte huajtur para, por tok me vërejtjen ndjekëse mbi kanosjen ndërhyrëse të oborrit të Bellevú – së. Përse të mos financonte ndërtimin e shtëpisë nga Banka, pyeste opinioni i zhgënjyer. Dyshohej, ndaj, se në këmbim të huadhënjes ai do ti ketë bërë ose premtuar favore të jashtëligjshme mikut të tij të pasur. Dhe Christjan Wulff do të shtrëngohej edhe për kërcënim të stafit të gazetës “Welt kompakt”, të braktiste turpërisht Rezidencën presidenciale të Gjermanisë e të paraqitej në gjykatë.

“Pothuajse të gjithë Presidentët amerikanë kishin sensin për të bërë histori”, shkruan Jon F. Kennedy në librin “Kurajë civile”. Porse historia shkruhet jo gjithnjë kur arrin të ngjitesh, veçse poashtu kur di ngadalë të zbresësh. Dhe kur rrokullisja nuk rrëmben më vete si ortek bore jetë të vogla brezash…

Por, si shihet përfundimisht, për Premierin Mustafa dhe manjatët e tjerë të Fuqisë politike që e rrethojnë, kjo lloj flete historie është e mbyllur: matanë rezonit shtetëror, edukatës kombëtare dhe kulturës lamtumirëse..!