LAJMI I FUNDIT:

Filmi ‘Pharmakon’, shkëndijë shkëputëse në kinemanë shqiptare

Filmi ‘Pharmakon’, shkëndijë shkëputëse në kinemanë shqiptare

Nga: Majlinda Rama

Kinemaja shqiptare, që në fillimet e hershme të saj, ka paraqitur trajtesa, tematika dhe motive, të cilat kanë qenë të lidhura domosdoshmërisht me ambientin tonë shoqëror, kryesisht të një mjedisi thellësisht patriarkal shqiptar. Pas vitit 1990, kinemaja u orvat të marrë një hov të ri, me dëshira pretencioze, ku sërish, si logjikë pasqyrimi pati tiparet e kohës, por edhe vendosjen e saj në kontekste të ndryshimeve, mentale e hapësinore.

Por, një ndër filmat, që jep shkëndijë shkëputëse, është ai me titull “Pharmakon”, i cili, si tipologji arti ka gjetur rrugë e forma pasqyrimi të një manifestimi korrekt dhe, po i tillë, ka arritur të mbërrijë tek audienca.


Autori i tij, skenaristi dhe regjisori, Joni Shanaj, përmes një gjuhe të thjeshtë dhe një simbolike kuintesenciale, me tendenca të hapura të modernes, na ka paraqitur një art specifik dhe të veçantë në fushën e kinemasë, që rezonon kulturë, maturi dhe njohje.

Një film emfatik që të përlot dhe të bën të mendosh thellë për botën që të rrethon. Kur e pashë filmin, s’di pse m’u kujtua një shprehje e amerikanit Wallace Stevens: “Bota juaj jeni ju. Unë jam në botën time”. Atë përshtypje më la ky regjisor i ri, i cili duket krejtësisht i mëvetësishëm nga idetë aktuale të shabllonit e formatet triviale të deritanishme në kinematografinë tonë. Me pak fjalë, duket botë më vete.

Filmi nis me një skenë, as më shumë e as më pak sesa një horror, përmes tehut të kasapit dhe shikuesi befas trazohet. Bash në hapjen e perdes, i mbytet syri në një lumë gjaku të një kafshe (gomar), për të cilën (shikuesi, pra), ndoshta as nuk e ka imagjinuar kurrë se mund të therej (si një kurban i pabekuar). Duket e tepërt dhe tronditëse nëse e sheh si skenë të shkëputur nga trungu i së tërës, por kur i shkon deri në fund filmit, kupton që ky s’është veçse një detaj kompozicional që paralajmëron një tragjedi të mëvonshme.

Autori i qaset në thelb botës objektive dhe idealizmit subjektiv, duke i çuar ato përballë njëra – tjetrës, qoftë me fjalë, qoftë edhe në formë elipsash.

Një film që zbulon kontraste të mëdha të jetës, pikat e forta dhe dobësitë e qenies. Shikuesit të filmit, sapo nisin minutat e para, i duhet të futet në lëkurën e personazheve, të jetojë me ta e të përjetojë të njëjtat drama dhe ndjesi, si personazhet. Por kjo shkrirje vjen fare e natyrshme, pasi filmi ka të papritura dhe befas ta krijon ndjesinë se aty brenda, je edhe ti vetë dhe, nga çasti në çast të serviren momente, që nuk do dije si t’u përshtateshe, nga ato ngjarjet që të gjejnë të papërgatitur.

Vendosja strukturale e të gjithë materialit filmik (subjektit, idesë, pjesëve e elementeve përbërëse, skenë pas skene), janë ura të një sistemi të tërë marrëdhëniesh të ndërsjellta mes tyre, që na çojnë drejt një korpusi me fushëpamje të gjerë. “Pharmakon” trajton një botë policentrike, me shumë vatra, si plagë të hapura e të pashëruara. Rreth dy orë e pak minuta, që provokojnë vazhdimisht tërësi ndijimesh, reagime të forta emocionale, psikologjike dhe fizike.

Siç thotë Niçja “Ne e kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”, edhe ky film na bën të ndalim një çast frymën dhe të përqëndrohemi mirë në atë se çfarë jemi dhe ku po shkojmë, në atë se çfarë duhet të ndryshojmë te vetja dhe te shoqëritë tonë të kapura, të përçudnuara, me sisteme të prishura e me individë në krizë identiteti.

Shanaj, përmes një polariteti të trishtë: abuzues – viktimë – viktimë, paraqet një histori rrëqethëse, si një kumbim dëshpërues në shoqëritë moderne, ku babai e djali, përveç gjakut të njëjtë në venat e tyre, i kanë shkëputur të gjitha fijet e bashkimit, dashurisë, respektit, ngjashmërisë dhe modelit. “Pharmakon” ngre kështu, çështje të mëdha të jetës (jo vetëm shqiptare), ato janë drama të një natyre kozmopolite, që të bëjnë të mendosh për çështje ekzistenciale se çfarë është dashuria, çfarë është shfrytëzimi, çfarë është të jesh i shfrytëzuar, ç’është njohja e mosnjohja, përbuzja, përzënia nga vetja e të tjerët, çfarë është shpirti njerëzor…

Në të, paraqitet një dashuri që nuk është dashuri, një marrëdhënie që nuk është marrëdhënie, një baba që nuk është baba, një familje që nuk është familje, njerëz që nuk janë njerëz, kohë që ikin e vijnë, botë të trazuara, gri të forta, luhatje, dilema, dhimbje, të dukshme dhe underground…

Dy burra dhe një femër, atë e bir dhe një studente në nevojë; një doktor, një i sapodiplomuar, një studente në zgrip të jetës, sjellë përmes lojës së bukur aktoriale të Niko Kanxherit, Kastro Zizos dhe Olta Gixharit, të tre karaktere, gjithëpo të veçanta.

Dy të dashuruar, Branko dhe Sara, janë dy modelet e të rinjve sot, modele sa të njëjta aq edhe të ndryshme, me fate sa të afërta aq edhe të largëta, me psikologji sa të natyrshme aq edhe të çuditshme. Ata janë viktima të sistemit, janë viktima të kohës sonë. Ata enden, siç kumton Bodleri, “…trupa pa shpirt, vdekur mes të vdekurish”, pra, enden kufoma të gjalla mes kufomash, të fajshme a të pafajshme.

Dhe natyrshëm, shikuesi hyn në luftë me veten, nëse duket ta anatemojë vajzën (Sarën), apo duhet të jetë në anën e saj për ta marrë në mbrojtje, nëse duhet t’ia justifikojë mitmarrjen trupore në këmbim të përfitimit të asaj që i duhet dhe i mungon, apo duhet ta kryqëzojë atë si një Maria Magdalenë të shekullit të ri. Dhe, po aq natyrshëm, i lind pyetja; a po arrin t’ja shpëtojë kauzën (shërimin e së ëmës) kjo vetëshitje apo po e drejton në destinacione pa shteg… Vetëm në fare pak ditë, ajo (Sara) ndjen që zemra nis t’i buçasë për një djalë, i cili po ashtu, e do me zjarr…

Nga ana tjetër, djaloshi Branko, pak i çartur, i shpërndarë, bohem, ashtu si krejt të rinjtë e mësuar me jetën e çliruar, na ravijëzohet edhe si djalë me sy ëndërrues, edhe si fëmijë i natyrës, edhe si i pazoti për t’u përballur me këtë realitet të egër, por edhe si i ri i pastërvitur për t’i bërë ballë kësaj rropullime alla moderne.

Janë gdhedhur kaq mirë karakteret e dy të rinjve, saqë, as me njërin e as me tjetrin, nuk arrin ta ndash mendjen; as t’i shpëtosh, as t’i fajësosh, as t’i gjykosh, veçse t’i pranosh siç janë, me një dëlirësi të tejdukshme shpirti, (me këtë rast, duhet përgëzuar që regjisori është kujdesur t’i përzgjedhë aktorë me pamje të njoma e të gjalla).

Babai i Brankos, doktori, një njeri i ushqyer nga pushtetet, i mësuar të vjedhë, të marrë çfarë do, kur e do, si e do dhe me kë e do. Përfitues deri në skaj, shpërdorues i shpirtit njerëzor, shkelës i shpirtit të një vajze njomëcake, shprishës i ëndrrës së saj, mashtrues i së vërtetës, lojëtar i së keqes, me ndërgjegjje të humbur, i korruptuar gjer në palcë, mishërim i përsosur i njeriut që vret shpresa, gjakprishur sa s’ka, toksik…

Në një pikëpamje tjetër, autori i filmit na bën me dije edhe përjashtimin e njeriut të mirëshkolluar. Ai është fati i mijëra studentëve të formuar jashtë kufijëve, të kthyer për të bërë diçka të bukur, për t’u futur në agjendën e zhvillimeve të vendit të tyre të origjinës, për të vënë në punë të gjitha kapacitetet e mundshme që posedojnë, por befas, zhgënjyeshëm, jetojnë një dramë të re, pasi synimet e tyre humane, rrëzohen nga rrezet negative të korrupsionit, parasë, mikut e tarafit.

Skenaristi dhe regjisori Shanaj, (i cili duket me kërkesa të epërme në art), ka sjellë stil e këndvështrim ndryshe; laton, gdhend dhe përpunon probleme etike e sociale, të cilat i komponon në sfond të përkorë të dhimbjes, jetës së komplikuar, psikologjisë së trazuar, gjetje këto, që imponojnë bindshëm simpatinë e shikuesit (të vëmendshëm).

Njohës, mesa duket, i mirë i kohës, me të gjitha tiparet kronike, psikologjike, shoqërore, sociale, ekonomike e politike, Joni Shanaj evokon mbi jetën tonë të kalbur, e cila fatkeqësisht, nis nga familja. Familja jonë, po aq sa shoqëria, është në rrezik permanent. Autori ka arritur të depërtojë në një nga faqet më të dhimbshme aktuale.

Fundi tragjik i dy të dashuruarve është realiteti ku jetojmë, është kambanë alarmi për pasigurinë e së ardhmes së rrezikuar, e cila vidhet çdo ditë nga e sotmja vrasëse.

Prandaj, autori nuk zgjedh t’i lërë të rinjtë të ikin, siç thotë zvicerani, Andri Peer “…ikje e lehtë dhe ajrore, me parfum vishnjeje dhe tymi…”, jo, autori bën zgjedhjen më tragjike të mundshme për fatin e dashurisë së tyre, dashuri e destinuar të mos përfundojë ndryshe, veçse kështu…

Shanaj nuk fetishizon, ai përpiqet të jetë kreativ dhe origjinal, duke elaboruar fuqi artistike, të cilat në film vijnë edhe si emancipuese, por edhe si rrugë për të edukuar gjeneratat me një frymë tjetër, atë të parjes së gjërave drejt në sy.

Ai e drejton gishtin për të na akuzuar të gjithëve ne, që të na dridhet zemra, të na lëkundet toka nën këmbë, ta ndiejmë qiellin e nxirë që na ka verbuar, sepse ne jemi shkatërruesit më të mëdhenj të vetvetes, jemi kulti më i lartë i së keqes të epokës sonë, pa kultura apo me kultura të mbivendosura, që shesim shpirtin për t’u pagëzuar djaj.

Thënë me pak fjalë, “Pharmakon” është shpirt dhe materie, ka një nyjë lidhjeje harmonioze të anës përmbajtësore, shprehjes, vlerësimit vizual dhe mesazhit. Ai i parashtron shikuesit detaje të mjaftueshme për ta shtyrë drejt imagjinatës dhe të jetë vetë shikuesi ai që të arrijë të ndërtojë në formë eksklamative ose jo, botën e madhe të kësaj prurjeje të kinemasë sonë.

“Pharmakon” mbetet një nga format më komunikuese me shikuesin e sotëm dhe të nesërm, sepse ka një shtrirje diametralisht universale që i përket çdo kohe shqiptare dhe jo vetëm.

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
KUMBULLA PËRTEJ MURIT

KUMBULLA PËRTEJ MURIT

Fjala+
NJË POEZI PËR PAQEN

NJË POEZI PËR PAQEN

Poezi
Kalo në kategori