LAJMI I FUNDIT:

Fillon festa e filmit, hapet solemnisht DokuFest 2009

Fillon festa e filmit, hapet solemnisht DokuFest 2009

Në Prizren, të hënën në mbrëmje, u festua solemnisht hapja e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest 2009. Hapja solemne u mbajt në Kino Lumbardhi ose ndryshe e njohur si Kino Bahçe e cila ishte e mbushur përplot me mysafirë.

Në koktejin e shtruar në foajenë e improvizuar të Kinemasë Lumbardhi ishin të pranishme fytyrat eminente të Kosovës, përfaqësues KFOR-it si dhe shumë artdashës dhe intelektualë të Prizrenit dhe të mbarë Kosovës.

Festivali u hap me performancën e artistit prizrenas me bazë në Belgjikë, Maksut Vezgishti, me titullin provokativ “Europa – Trier Antidepressure” interpretuar nga aktorja dhe balerina Agnes Nokshiqi. Vezgishi solli një përjetim personal të idesë aktuale për Hyrje në Evropë. ”Performanca është një lloj proteste ndaj mekanizmit europian, i cili i ka shtresat e veta dhe ne ndodhemi diku në shtresat e arta të qymyrit”, tha Vezgishi.

Drejtori gjeneral i DokuFest-it, Aliriza Arënliu, i cili me shumë krenari i numëroi disa nga faktorët të cilët e bëjnë të mundur dhe jetëgjatë DokuFest-in, mes tjerash përmendi punën e palodhshme të vullnetarëve që “i japin shpirt festivalit”, programin masiv të përzgjedhur nga Veton Nurkollari dhe ekipi i selektorëve. Ai foli për edicionin ekskluziv të sivjetmë, garën Green Docs, tentativën e parë për “vetëdijesim dhe mbrojtje të ambientit.”


Në hapjen solemne u prezantua filmi “Youssou Ndour-I Bring What I Love” i regjisores Elizabeth Chai Vasarhelyi që kishte për temë sfidat e këngëtarit të njohur Senegalez Youssou N’Dour, i cili me albumin e tij Egjipt, e krijoi një lidhje të fortë mes fesë islame dhe muzikës.

Në këtë mbrëmje nisi punën edhe kinemaja Kino n’Lum, e ndërtuar enkas për këtë edicion të festivalit ku u shfaq filmi dokumentar nga Franca “Home”.

DokuNights u hap me DJ-in nga Prishtina Kung-Ulli i cili solli ritme të muzikës Ska dhe Reggae si dhe lojëra me flakë. DokuNights mbahen në caffe-restorantin “Te Mullini” në zonën e gjelbër të Prizrenit në Marash.

Të mërkurën prej orës 12 në mesditë filloi program i rregullt i DokuFest-it, me filmin dokumentar të metrazhit të gjatë “Burma VJ-Reporting from a Closed Country.” Programi vijon me International Documentary Challenge, Tribute To Kieslowski, dhe disa nga dokumentarët favorit të festivalit The Solitary Life Of Cranes i regjisores dhe njëherësh anëtares së jurisë, Eva Weber. /Telegrafi/