LAJMI I FUNDIT:

Festivali i Durrësit nga 22-30 gusht

Festivali i Durrësit nga 22-30 gusht

Deri pak kohë më parë ishin të gjitha gjasat që të mos zhvillohej dhe dëshira për të ngritur një festival, të mbetej thjesht një tentativë. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës, nuk ishte në zërat e Qendrës Kombëtare Kinematografike, që një vit më parë ishte dhe mbështetësi kryesor financiar, madje edhe një bashkorganizator.

Megjithatë prej organizatorëve të festivalit, mësohet se edicioni i dytë i festivalit International Summer Festival, do të zhvillohet në qytetin bregdetar nga 22-30 gusht të këtij viti me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pranë grupit të seleksionuesve tashmë kanë mbërritur të gjithë filmat që synojnë konkurrimin në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Durrësit.

Gara është përqendruar në tre seksione kryesor, pjesëmarrësit e të cilëve do të shpallen në datën 15 gusht. Në seksionin konkurrues "Vizione bashkëkohore" do të shfaqen 14 filma, produksione të vendeve të Bashkimit Evropian dhe po kaq filma nga vendet e gadishullit ballkanik do të projektohen në seksionin "Bota Ballkanike".

Edicioni i dytë i Festivalit do të nisë traditën e përvitshme të njohjes së kinemasë së një vendi evropian përmes krijimtarisë kinematografike të tre viteve të fundit. Kësaj here është radha e kinemasë italiane.


Në ambientet e Teatrit "Aleksandër Moisiu" do të shfaqen disa nga filmat më të mirë të regjisorëve bashkëkohorë italianë si Pupi Avati, Dario Argento, etj. Trofeu i "Gladiatorit të Artë" edhe këtë vit do t’i jepet filmit më të mirë konkurrues, ndërsa regjisori më i mirë do të marrë Çmimin Special të Jurisë.

Juria e seksioneve konkurruese do të ketë pesë anëtarë, që të gjithë personalitete të botës së kulturës dhe kinemasë në veçanti, që do të shpallin aktorin dhe aktoren më të mirë, si dhe filmin më të mirë ballkanik. Në këtë edicion do të ketë edhe një tjetër trofe "Gladiatori i Artë", për karrierën kinematografike. /Panorama/