LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj ndal bojkotin, kryetar Bucaliu

Ferizaj ndal bojkotin, kryetar Bucaliu

Buzëqesh Ferizaj. Kryesia ua shlyen një pjesë të obligimeve financiare futbollistëve dhe zgjedh kryetarin e ri. Skuadra iu është kthyer stërvitjeve të enjten, derisa i pari i klubit është emëruar Fisnik Bucaliu. Drejtuesit e klubit kanë mbajtur një takim, me ç’rast kanë aprovuar edhe dorëheqjen e kryetarit Heset Maliqi – Quza. Këtë e konfirmoi drejtori i klubit ferizajas, Nadir Haxhimusa.

“Pas ngjarjeve të fundit në klub, kemi mbajtur një takim me zyrtarët e klubit dhe kemi vendosur për disa gjëra. Fillimisht kemi aprovuar dorëheqjen e Heset Maliqit dhe ai përfundimisht nuk është pjesë e klubit tonë. Kryetar i ri i klubit është emëruar Fisnik Bucaliu, i cili njëkohësisht ka qenë edhe nënkryetar”, deklaroi Haxhimusa për gazetën Arena.

Tutje, ai konfirmoi që kryesia ia ka shlyer një pjesë të borxhit futbollistëve. “Jemi takuar me futbollistët dhe iu kemi dhënë atyre një pjesë të parave, për të cilat i kanë bojkotuar stërvitjet e së mërkurës. Tani skuadra po ushtron dhe gjithçka është në rregull”, shtoi ai. /Tribuna/Telegrafi/