LAJMI I FUNDIT:

Fëmijët e ditës dhe të natës

Njeriu qenie sociale dhe biologjike, emocionale e prodhuese, shikuar nga perspektiva sociologjike, në kontinuitet ka bërë përpjekje për evoluimin e situatës materiale dhe financiare, me qëllim të përmbushjes së nevojave personale dhe familjare që burojnë nga nevojat e kohës. Në shekullin XXI, një pjesë e madhe e popujve po shijojnë të mirat e arritura të kohës moderne, por nuk ndodh edhe me popujt e tjerë. Në kontinentin e Afrikës, gjendja tani më është diagnostifikuar si destitucion, njerëzit vuajnë nga mungesa e ushqimit, papunësia, varfëria ekstreme, pamundësia për vijimin e shkollimit, patologjitë e shfaqura në organizmat e tyre, me këtë rast më të prekurit janë fëmijët, dhe kjo ndodhë pavarësisht arritjeve të larta, shkencore, ekonomike, teknologjike, digjitale, prodhuese, që sot njerëzimi ka arritur t’i krijojë në kontinentet e ndryshme të rruzullit tokësor.

Kontinenti Evropian, ka arritur progres bukur shumë në mirëqenien dhe standardin e qytetarëve, me fokus të veçantë, investimet janë shprehur tek ngritja e cilësisë së jetës së fëmijëve, por jo të gjitha shtetet qe e përbëjnë kontinentin Evropian kanë mundur ta bëjnë investime të tilla, ndër disa shtete që preokupohen nga ky fenomen, është edhe Kosova. Një pjesë e fëmijëve, pa dashjen e tyre, nga varfëria apo situata të tjera të krijuara, janë të detyruar të punojnë ditën dhe natën. Po të vendosesh në një lokal për të konsumuar një kafe, me lehtësi observon fenomenin e fëmijëve cigareshitës, ëmbël-shitës etj. Aty pari pranë tavolinës, kalojnë fëmijë me cigare në dorë, ku në mënyrë të përsëritur, bëjnë apel për blerje të një pakoje, e prapë ri-apelojnë për blerje.


Nuk do fare të shkrihen mendtë për t’i përshkruar, pamja e tyre tregon vuajtjet shpirtërore dhe materiale, deri sa bashkë moshatarët e tyre freskohen me nga një akullore bashkë me prindër, të parët ndihen mjaft të pabarabartë dhe të stresuar nga aktiviteti i tyre i përditshëm dhe mjaftë i neveritshëm.

Statusi i fëmijëve cigareshitës etj, bie ndesh me të gjitha rregullat universale të botës së civilizuar, e për rrjedhojë statusi i këtyre fëmijëve duhet të ndryshoi, e veçmas kur dihet fakti që vetës i kemi vënë synim për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Gjithsesi hyrja në BE, kërkon përmbushje të standardeve të avancuara ndërkombëtare, me qëllim të dhënies fund të këtij fenomeni. Me interesim të madh duhet të merret parasysh dhe të aplikohet Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, e cila është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me 20 nëntor të vitit 1989. Po ashtu nuk duhet mungojnë edhe një varg ligjesh për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

Por, ideja substanciale qëndron tek fëmijët që punojnë ditën dhe natën, nga paraditja deri në orët e vona të mbrëmjes, ku si të tillë janë të predispozuar për t’u katandisur në një mori pasojash: sociale, edukative, shëndetësore etj. Orari i gjatë në punë, krijon situatën e mungesës së fëmijës në gjirin e ngrohtë familjare, me ç’ rast trajtuar në aspektin sociologjik një gjë e tillë nuk është në normë, për faktin që fëmija duhet të jetë prezent aktivisht në familje për t’ ju nënshtruar një vargu të gjatë të mësimeve si, socializuese, edukative, kulturore, etj. Nga kjo mos prezencë në shtëpi, vakuumi i fëmijës vazhdon tutje, pamundësia për të marrë pjesë me bashkëmoshatarët e tij si në rastin e organizimit të lojërave fëmijërore etj. Por jo vetëm kaq, fenomeni ka edhe dy karakteristika, janë evidentuar raste të shumta për mungesa enorme në orët e mësimit të fëmijëve, së dyti, braktisje e shkollës me qëllim të vazhdimit të punës. Po të prezantosh gjithë ditën në kafiteri të ndryshme, natyrshëm shfaqën probleme shëndetësore, frekuentimi në kafiteri nën presionin e zhurmës dhe tymit të krijuar nga ndezja e cigareve, gjithsesi krijon probleme shëndetësore tek fëmijët. Nuk duhet harruar lodhjen si shkak i qëndrimit në këmbë gjatë gjithë ditës. Gjithashtu edhe vonesa për gjumë deri në orën dhjetë e më tepër krijon çrregullime të gjumit, ku më vonë lehtë mundë të fitohet edhe insomnia kronike.

Por, cila është njëra nga shumë alternative të mundshme, për tu çliruar nga ky fenomen, dhe për të krijuar standard të lakmueshëm dhe të krahasueshme me Bashkimin Evropian? Tani fenomeni është i identifikuar, institucionet shtetërore duhet ta luajnë rolin kyç në këtë aspekt. Krijimi i një programi të veçantë për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve cigareshitës etj, është nevoja e kohës, ku do të konstatohej gjendja faktike familjare, e pse jo edhe futja në asistencë të lehtë financiare. Janë nevojë imediate rastet e konstatuar të braktisjes së shkollës, të bashkëmoshatarëve etj. Gjithsesi duhet krijuar mbështetje për risocializim etj. Investimi në këtë fushë është një plus i konsiderueshëm për plotësimin e standardeve evropiane. Një gjë e tillë, përveç de është humane dhe njerëzore, krijon një pasqyrë të mirë, e pse jo edhe model për vendet e tjera që ende preokupohen, fundi i fundit, investimi në fëmijë nga një shtet, është investim i së ardhmes së atij shteti.