LAJMI I FUNDIT:

Familja e tij ishte vrarë e gjitha para syve të tij: Ky është rrëfimi prekës i pejanit – sot 21-vjeçar (Foto)

Familja e tij ishte vrarë e gjitha para syve të tij: Ky është rrëfimi prekës i pejanit – sot 21-vjeçar (Foto)

Katër ditë para se të çlirohej Pejë, në natën e kobshme të 12 qershorit 1999, shtatë anëtarët e familjes së Ron Balës vriten nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Këtë moment tmerri, ndonëse ishte katërvjeçar, Roni nuk do ta harrojë gjatë gjithë jetës së tij.

Studenti i tashëm i Gjuhës Angleze, tregimin plot dhembje të jetës së tij, për herë të parë e ka ndarë për lexuesit e Telegrafit.


Ndonëse prej natyrës është tip i qetë dhe paksa i ndrojtur, Roni 21-vjeçar, në një si formë çlirimi shpirtëror tregon momentet tragjike të jetës së tij, të cilat nuk do t’i harrojë kurrë.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999, kur rrezikohet edhe më shumë qenësia shqiptare, shumë familje pejane nga dhuna e nga frika braktisin qytetin e tyre.

Por, Musa Bala, banor i lagjes “Kapeshnica”, para se ta lëshonte qytetin vendosi që së bashku me familjen e tij të vendosej në shtëpinë e vëllait, Isa Bala – shtëpi kjo në afërsi të stadiumit të qytetit.

Atë ditë, në shtëpinë e vëllait të Musës (babait të Ronit), ishin gjithsej 12 persona: bashkëshortja Vjollca, vajzat Rina dhe Nita, familja gjashtë-anëtarëshe e vëllait të tij, Isait, si dhe nëna e paralizuar e vëllezërve Bala.

Roni thotë se mosha e vogël nuk e ka lejuar që të mbajë mend më tepër detaje nga ajo kohë tmerri. Por e di se në 12 qershorin e kobshëm 1999, hynë serbët, e keqja, e se si i vogël që ishte fshihej pas këmbëve të krijesës që çdo fëmijë e di se është simbol i sigurisë – nënës Vjollca.

roni333

Atij nuk i kujtohet momenti kur kanë rënë breshëritë e plumbave mbi anëtarët e familjes, por i kujtohet mirë se kur është zgjuar ka ecur mbi trupat e më të dashurve të tij të vdekur.

“Toka ishte e mbushur me gjak”, thotë Roni. “Kam shkuar në dhomën tjetër të shtëpisë, ku qëndronte gjyshja. Ajo ishte e paralizuar, por kishte shpëtuar. Më pas kam vrapuar te shtëpia e fqinjëve”.

Nga 12 familjarë sa ishin në shtëpi, shtatë ishin vrarë, pesë kishin shpëtuar (njëra e plagosur).

“Në atë fatkeqësi, axha me të birin dhe gruan e tij kishin arritur të largohen nga shtëpia kur serbët gjuanin më armë tek ne”, vazhdon ai rrëfimi i tmerrit, kur humbi babanë e tij, Musën (atëherë 31-vjeçar), nënën Vjollcën (28-vjeçare), si dhe motrat Rinën (shtatëvjeçare) dhe Nitën (pesëvjeçare).

“Familja ime e ngushtë u shua brenda nate. Atë natë kam humbur edhe djemtë e axhës: Agonin, Hajriun dhe vajzën e axhës, Dardanen. Gruaja e axhës, edhe pse ka shpëtuar, ishte plagosur rëndë”, flet Roni, një tamam burrë, për forcën e të cilit secili ka lakmi.

Pas këtij momenti të kobshëm, ai me axhën dhe anëtarët e mbetur të familjes, kishin shkuar në shtëpinë e tyre në “Kapeshnicë”. Brenda disa orësh, nga Ulqini kishin ardhur për ta marrë daja, burri i tezes dhe dy miq të tyre.

roni222

“Kemi shkuar në Ulqin, ku ishin dajat dhe gjyshja. Pas disa javësh kthehemi në Pejë”, flet studenti pejan. “Shtëpia jonë ishte djegur, por Peja ishte e çliruar. E kërkoja babanë, nënën. Thoshin se kanë shkuar diku e se kthehen shpejt. Këto fjalë përsëriteshin shpesh. Nuk ishte e lehtë aspak. Por, dajat, tezja dhe gjyshja ime (nëna e nënës), më rrinin pranë çdo çast. Më tepër janë kujdesur për mua sesa për fëmijët e tyre. Nga dhembja që kishin, isha i privilegjuari i shtëpisë”, rrëfen për Telegrafin Roni.

Gjyshja e tij ende kujdeset për të, për sigurinë e tij, sikur kur ishte i vogël. Ndaj, nëse Roni ndodh të vonohet ndonjëherë, rastësisht, ajo shqetësohet më së shumti.

“Më telefonin menjëherë. E kam nënë të dytë. I jam falënderues për tërë jetën. E lus Zotin që t’a begatojë më shëndet dhe t’i japë pleqëri të shëndetshme. Është gjyshja më e mirë në botë”, thotë absolventi që shpreson se në të ardhmen do të jetë profesor i Anglishtes.

Roni, nuk i frikësohet jetës, ndërsa si gjithmonë është i gatshëm të ballafaqohet me sfida që mund t’i dalin para.

“Shumë herët u ndava me prindërit dhe motrat e mija, por shpresoj se ata do t’i takojë në botën tjetër. E kujtoj premtimin e Zotit që thotë se shpëtimi dhe shpërblimi është për ata që duruan”, thotë Roni.

Kur flet për serbët që e lanë pa më të dashurit e tij, Roni nuk dëshiron hakmarrje personale, por jeton me shpresën që drejtësia do të vihet në vend.

“Duhet të gjykohen krimet e bëra. Drejtësia nuk e largon dhembjen e as nuk i shëron plagët, por është ngushëllim kur sheh që kriminelët dënohen. Ata na vranë vetëm pse ishim shqiptarë. Asnjë faj nuk kishte familje ime”, shprehet ai.

Derisa flet për kujdesin e institucioneve shtetërore ndaj kategorive që humbën shumë anëtarë të familjes në luftën e fundit, ai nuk është i kënaqur.

“Duhet të trajtohemi më me kujdes, se plagët tona janë të mëdha, ende të hapura”, thotë ai. “Unë do të angazhohem që të jem qytetar i ndershëm dhe korrekt i këtij vendi. Do ta jap kontributin në ndërtimin e shtetit. Por, nuk do ta harroj kurrë tragjedinë e familjes time. Tregimin tim do ta mësojnë edhe fëmijët dhe nipërit e mi, që të mos harrojnë të kaluarën – kurrë. Zoti i mëshiroftë familjarët e mi. Zoti i mëshiroftë të gjithë martirët dhe dëshmorët e këtij vendi”, përfundon Roni rrëfimin e tij, për tmerrin që nuk ia dëshiron askujt në këtë botë. /Blendi Devolli/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Lajme
Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Lajme
Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Lajme
DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Lajme
Kalo në kategori