LAJMI I FUNDIT:

Euronikoliqi

Në një insert të filmit britanik, ‘Marrëdhënjet speciale” – ku ndër të tjera flitej edhe për Kosovën dhe intervenimin e NATO-s – Tony Blair, i revoltuar për shkak të hezitimit të disa shteteve evropiane për ta ndihmuar Kosovën, u drejtohet këshilltarëve të tij: “Çdo fjale që mund t’ju eksitoj, si, muzikë, para, ushqim, seks… nëse ia veni prefiksin euro, do t’i hiqet çdo kënaqësi”.

Nuk është për t’u çuditur që kjo vinte nga një kryeministër i një vendi euroskeptik (Britani e Madhe), edhe pse ai atje e prezantonte variantin më të butë të këtij skepticizmi. Politikbërësit e Brukselit janë të njohur se kujt, kur dhe si ia shtojnë apo ia largojnë prefiksin euro. Tani ata kanë filluar ta bëjnë këtë me kryetarin e ri të Serbisë, Tomislav Nikoliq.


Politikisht një prefiks euro, përkundër të gjithave, po ju dashka Nikoliqit që si euronikoliq të jetë më i pranueshëm për politikat e Brukselit në Ballkan. Gjithsesi, këtë nuk do ta kundërshtojë Tomislav “varrmihësi”.

Për euro-prefiksin e Brukselit për politikat e Nikoliqit, Blair mbase do ta përdorte fjalën:“disgusting”.

Serbia kurrë nuk ka pasur raporte të këqija me vendet qendrore e perëndimore dhe ky përjashtim ka ndodhur vetëm njëherë: në kohën e Millosheviqit. Përveç një përjashtimi, Serbia kurrë në historinë e saj nuk ka qenë në raporte të këqija me Rusinë. Dhe, ky përjashtim ka ndodhur vetëm në ato vite kur kreatorë të politikave të Serbisë nuk kanë qenë vetë serbët, por kroati Tito dhe slloveni Eduard Kardel.

Ka qenë e shquar prirja e Serbisë për të përfituar në çdo aspekt nga balancat perëndim-lindje. Dhe, asaj i ka shkuar për dore që të zgjeroj territoret e veta në dëm të fqinjëve. Për më shumë, i ka shkuar për dore që edhe t’i përthekojë në një shtet shumicën e vendeve dhe popujve fqinj, që idenë jugosllave ta përpunojë si koncept të ri profitabil politik. Kjo ide, sipas nevojës, ka mundur të jetë herë proruse e herë properëndimore.

Kjo balancë është e njohur për të gjithë politikanët serbë. Këtë e praktikoi deri tash ish presidenti Boris Tadiq; këtë do ta bëjë edhe i porsazgjedhuri Nikoliq, i cili ka deklaruar se Serbia do ta ketë një këmbë në Evropë e në Rusi.

Por, Nikoliqi është ndryshe nga Tadiqi dhe kjo mund t’i jap atij mundësi më të mëdha që të nxjerrë përfitime nga ky dualizëm. Sepse, sa më shumë që Nikoliqi do ta refuzojë Brukselin, aq më shumë Rusia do ta përkrah Serbinë. Kushtëzimet e Brukselit, të çfarëdo natyre qofshin ato, i amortizon premtimi për ndihma i Rusisë së Putinit. Imagjinoni kërcënimin serb ndaj perëndimorëve për një bazë ushtarake ruse në Serbi, apo diçka të ngjashme. Kjo flet se sa mund ta ngre pazarin Serbia në raport me Brukselin dhe përgjithësisht me perëndimorët.

Këtë Nikoliqi mund ta bëjë më mirë se Tadiqi. Aq më shumë mund të konstatohet kështu, kur dihet se tani Putini synon të sjellë “risi” gjeopolitike dhe gjeoushtarake kokëçarëse për perëndimorët.

A është e mundshme që gjërat të funksionojnë kështu, sipas prirjeve të Nikoliqit?

Ka gjasa. Përveç përkrahjes së Rusisë, duhet të plotësohen edhe dy kushte të tjera. E para: duhet që administratorët e Brukselit të vazhdojnë me Nikoliqin si më parë me Tadiqin. Kjo do të thotë që të jenë shumë të kujdesshëm dhe të mos jenë refuzues ndaj politikave të Beogradit, as të mos vënë kushte të rënda në drejtim të hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian (posaçërisht jo të tilla në raport me Kosovën). Asgjë nuk ka ndryshuar në Bruksel që të mos jetë kështu. Pesë shtete ende nuk na njohin, çka e bën Brukselin jo unik ndaj pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, shumë shtete të BE-së kanë marrëdhënie dobiprurëse ekonomike e tregtare me Serbinë, e gjithsesi edhe me Rusinë.

E dyta: që ky dualizëm të funksionojë në të mirë të Nikoliqit, qeveritarët tanë duhet të vazhdojnë të bëjnë “play back politikë”, pa kurrfarë kreativiteti, duke mos e refuzuar as edhe një herë Brukselin (bile edhe kur ajo bën diskriminime flagrante ndaj qytetarëve të Kosovës). Këtu prefiksi euro do t’i shkonte fjalës diskriminim.

Nëse do të jetë kështu, ne nuk i kemi punët mirë. Apo thënë ndryshe: mos involvimi direkt i administratës amerikane mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.