LAJMI I FUNDIT:

EULEX: Kthimi i gjyqtarëve në veri, punë e vështirë

EULEX: Kthimi i gjyqtarëve në veri, punë e vështirë

Komponenta e Drejtësisë është instaluar me sukses në Kosovë dhe tash e 6 muaj po punon me kapacitete të plota për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Kosovës. Kështu është shprehur fillimisht shefi i kësaj komponente, Alberto Perduka, në një konferencë për shtyp ka prezantuar punën e deritashme dhe sfidat që presin këtë komponentë të EULEX-it.

Ai theksoi se sfidë e vështirë vazhdon të mbetet përfshirja e gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe serbë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, si një hap që do të ishte shumë i rëndësishëm. Ai tha se hapi i parë është realizuar me vendosjen e gjykatësve të EULEX-it, të cilën tashmë po merren me gjykimin e rastit të tretë.

“Vetëm të jem i qartë. Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe të shpejt për këtë çështje. Ne kemi filluar të bisedojmë me palët, por duhet kohë. Palët kanë paraqitur, në mënyrë legjitime, kushtet e tyre. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të bazuar në shqetësimet e tyre. Unë besoj se zgjidhja do të gjendet, nuk them se jam optimist. Ne po punojmë për këtë”, ka thënë Perduka.

Sfidë tjetër për këtë komponentë të EULEX-it, është zgjidhja e rasteve të trashëguara nga UNMIK-u. Gjykatësit penal kanë marrë 185 raste nga UNMIK-u, ndërsa prokuroria ka marrë 275 dosje nga prokurorët e UNMIK-ut dhe 1 mijë e 119 raste të tjera të iniciuara nga policia e UNMIK-ut e që asnjëherë nuk kanë nisur hetimet. Problem tjetër për Drejtësinë e EULEX-it, mbetet çështja e 1 mijë e 900 të pagjeturve dhe identifikimi i rreth 400 mbetjeve mortore, si dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni.


Perduka nuk ka pranuar se ka dërguar ndonjë listë te institucionet e Kosovës me emra të politikanëve të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion, ndërsa nuk dha detaje nëse ka politikan që po hetohen për këto krime. /rtk/telegrafi/