LAJMI I FUNDIT:

EU: Pavarësia e koordinuar, para majit të vitit 2008

EU: Pavarësia e koordinuar, para majit të vitit 2008

Data 10 dhjetor shënon fundin e negociatave shtesë, 120 ditëshe, për statusin e Kosovës. Sipas Ekipit të Unitetit ky është fundi i të gjitha bisedimeve me Serbinë dhe se tashmë nuk mund të pritet asnjë lloj bisedimi dhe se, hapat e mëtejmë të tij, do të jenë në harmoni të shpalljes së pavarësisë së koordinuar të Kosovës.

“Data e sotme shënon përfundimin e çdo negociate sa i përket statusit të Kosovës. Data e sotme shënon fillimin e konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë veç e veç, rreth hapave që Kosova duhet t’i bëjë në drejtim të shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të saj ”, ka thënë sot në Prishtinë, zëdhënësi i EU-së, Skënder Hyseni.

Megjithatë, Hyseni ka thënë se askush nuk mund ta dijë datën e saktë të shpalljes së pavarësisë, por se kjo do të ndodhë. “Pavarësia e Kosovës do të shpallet shumë më herët se maji i vitit 2008” ka thënë Hyseni, duke komentuar raportin me të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave që thotë se pavarësia do të ndodhë në gjysmën parë të vitit 2008.

Pas takimit të sotëm të EU-së, është njoftuar se përbërja aktuale e tij do të funksionojë deri në konstituimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit. Me formimin e institucioneve, mandati i EU-së do të pushojë dhe çështja e statusit do të kalojë te institucionet e reja.