LAJMI I FUNDIT:

Emfizema e mushkërive: Shkaqet, simptomat dhe trajtimi

Emfizema e mushkërive: Shkaqet, simptomat dhe trajtimi

Ass. Dr. Skender R. Baca, mr.sci.
pulmolog-specialist i sëmundjeve të mushkërive
Klinika e Pulmologjisë në QKUK, Prishtinë
tel. 044 199-349

Emfizema e mushkërive është një sëmundje e rëndë kronike, e shkaktuar nga ndryshimi anatomik i septave alveolare, duke rezultuar me dëmtimin e pathyeshëm të indeve mushkërore.

Trajtimi gjatë tërë jetës mund të zvogëlojë simptomat dhe të ngadalësojë përparimin e sëmundjes. Është konstante tek duhanpirësit.


Çfarë e shkakton emfizemën e mushkërive?

Emfizema mushkërore shkaktohet nga pamjaftueshmëria gjenetike e alfa 1 antitripsinës kurse gjatë jetës shkaktohet më së shumti nga duhanpirja (mbi 90%), por edhe ndotjes së ambientit të punës apo jetesës.

Këta faktorë shkaktojnë shkatërrimin e septave alveolare dhe ngushtimin e rrugëve të vogla të frymëmarrjes (ato me diametër nën 2mm). Kështu, vjen gjer te humbja e intersticiumit (vendit ku bëhet këmbimi i gazrave) dhe vështirësisë së qarkullimit të ajrit në bronkiole. Kjo, më pastaj e rritë shtypjen e gjakut në mushkëri që më vonë komplikohet me zgjerimin e parabarkushes dhe barkushes së djathtë të zemrës. Ky entitet patologjik bëhet ireverzibil (dëmtimet janë të pakthyeshme) ashtu që krijohet invaliditeti i përjetshëm me ulje të kualitetit të jetës.

Simptomat dhe shenjat e emfizemës pulmonare

Simptomat kryesore janë frymëzënia, kolla me këlbazë, pamundësia e aktivitetit fizik normal në punë dhe ngarkesa psikike. Prej shenjave objektive evidentohet cianoza qendrore (gjuha, buzët dhe laprat e veshit bëhet blu (ngjyrë e kaltër e mbyllët).

Gjatë ekzacerbimeve (përkeqësimeve) paraqiten edhe infeksionet mushkërore që rezultojnë me temperaturë, ethe dhe djersitje.

Simptomat në stade të avancuara të sëmundjes

Këto simptoma të cekura përparojnë në stadet e avancuara, me rëndesë më të madhe të frymëzënies gjer në pamjaftueshmëri të frymëmarrjes (Insuficiencë respiratore) që është kronike dhe mundësitë për përmirësim bëhen gjithnjë e më të vështira.

Cianoza poshtu përparon ashtu që bëhet edhe periferike: përfshihen gishtërinjtë dhe disa pjesë të lëkurës me sipërfaqe gjithnjë n zgjerim.

Si diagnostikohet?

Diagnostikimi i emfizemës mushkërore fillon me historikun e sëmundjes (anamnezës): Si dhe kur kanë filluar simptomat? Sa vite dhe sa cigare i pinë gjatë ditës?). Pastaj me ekzaminim objektiv (në auskultim konstatohet frymëmarrja e dobësuar përgjatë tërë fushës auskultatore të kraharorit.

Diagnostikimi përmbyllet me ekzaminime funksionale të mushkërive (spirometria, bodipletizmografia), matja e shtypjes së mushkërive (PSAP) që realizohet nga ana e kardiologut me echocardiografi.

Sa e rrezikshme është emfizema?

Në fazat fillestare nuk paraqet ndonjë rrezik të veçantë dhe kjo e mashtron pacientin në kuptimin që nuk e kupton dëmin që po i shkakton duhanpirja. Në fazat e përparuara rreziku rritet në mënyrë të furishme me frymëzënie, jo vetëm gjatë ecjes por edhe në qetësi (pozita e ulur e më vonë edhe gjatë gjumit).

Invaliditeti për punë është i pashmangshëm dhe këta pacientë pensionohen para kohe, kurse kualiteti i jetës zvogëlohet dukshëm duke “u lidhur” për shtrati dhe aparature përcjellëse.

Shqetësimi psikik përkeqësohet për shkak të mungesës së oksigjenit, lajmërohet pagjumësia dhe frika. Mbijetesa varet nga mundësitë e trajtimit dhe kushteve të jetës.

Shumica e njerëzve me emfizemë kanë gjithashtu bronkit kronik. A ka terapi specifike për shërim?

Kombinimi i emfizemës me bronkitin kronik obstruktiv krijon entitet të veçantë patologjik-klinik që emërtohet si: Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK). Nëse vjen gjer te ky kombinim, atëherë edhe trajtimi vështirësohet, gjithashtu prognoza e sëmundjes është më pak optimiste.

Terapia është efikase në kuptimin e mirëmbajtjes së gjendjes së krijuar, por jo edhe në rikthimin në gjendjen e mëparshme sepse ndërrimet bëhen të pakthyeshme (ireverzibile).

GettyImages

Trajtimi 

Trajtimi i emfizemës mushkërore duhet të jetë këmbëngulës dhe i vazhdueshëm (gjatë tërë jetës).

Përveç terapisë medikamentoze (inhalatore me kortikosteroide e bronkodilatator dhe antihipertenzivët mushkëror), frymëmarrja duhet suportuar edhe me oksigjenoterapi e cila merret çdo ditë më së paku nga 16 orë brenda ditës. Me përparimin e sëmundjes, kohëzgjatja e oksigjenoterapisë rritet në 24h/24h në vëllim optimal prej 1-2 litrave në minutë.

Terapia tjetër është simptomatike dhe suplementare (ekspektorans gjatë kollës me këlbazë, vitamina, çajra deri 2 litra në ditë, terapia fizikale me goditje apo vibrime në kraharor dhe spirometri aktive).

Vaksinimi me vaksinën kundër gripit sezonal është më se i domosdoshëm, por preferohet edhe vaksinimi kundër pneumokokut (pneumovax).

Këta pacientë assesi nuk duhet të qëndrojnë në lartësi të mëdha mbidetare për shkak se atje oksigjeni është i rralluar.

Gjatë paraqitjes së infeksioneve patjetër duhet kyçur antibiotikët, më së miri sipas antibiogramit.

Masat parandaluese

Masa kryesore parandaluese janë ndërprerja apo edhe vetëm zvogëlimi maksimal i duhanpirjes, përdorimi i mjeteve mbrojtëse në punë (maskat, ventilimi i hapësirës), marrja e sa më shumë lëngjeve (çajra, ujë).

Edhe në hapësirat e banimit duhet kujdes në ajrosje të dhomave (posaçërisht kuzhinës dhe dhomat e fjetjes) si dhe në metodat e ngrohjes. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori