LAJMI I FUNDIT:

Ekspozitë në Kullën e Isë Boletinit

Ekspozitë në Kullën e Isë Boletinit

Qendra Rajonale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (QRMTK) në Mitrovicë ka hapur të hënën një ekspozitë me kostume të viseve të ndryshme shqiptare në Kullën e heroit Isë Boletini në Boletin, ku kanë marrë pjesë familjarë të heroit, përfaqësues të komunës si dhe vizitorë të shumtë.

Nënkryetari i komunës, Ismajl Smakqi, tha se ekspozita e hapur në Kullën e Isë Boletinit i jep kuptim këtij vendi historik dhe njëkohësisht shton interesimin e qytetarëve për ta vizituar këtë vend.

Ai theksoi se strukturat lokale në bashkëpunim me ato qendrore janë duke punuar që deri në fund të këtij viti të ngritet shtatorja e Isë Boletinit në Mitrovicë si dhe të rivarrosen eshtrat e këtij heroi.

Lidhur me ekspozitën, drejtoresha e QRMTK-së, Rrezarta Loxhaj, tha se ky është aktivitet që mbahet në kuadër të manifestimit tradicional “Muaji i rinisë” i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.


Ajo tha se në kuadër të këtij aktiviteti në Boletin janë ekspozuar kostumet e viseve të ndryshme shqiptare si dhe gjësendet e kuzhinës të shekullit të 19. “Pas ekspozitës të mërkurën organizohet një sheti në rajonin e Shalës ku të interesuarit mund të njihen për së afërmi me vendet kulturore dhe historike të kësaj ane”.