LAJMI I FUNDIT:

Ekspozitë e fëmijëve të verbër në Pejë

Ekspozitë e fëmijëve të verbër në Pejë

"Kosovo United States Alumni" (KUSA) në bashkëpunim me Shkollën për të Verbër në Pejë dhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, për të shënuar 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve organizon ekspozitë/ankand.

Në këtë aktivitet do të ekspozohen punimet e rreth 30 fëmijëve të verbër ose me shikim të dobësuar dhe të njëjtat do të vihen në ankand publik. Punimet përfshijnë vizatime, piktura, skulptura, mozaikë dhe vepra të tjera të punuara në teknika të ndryshme artistike. Mjetet materiale të grumbulluara nga ankandi do përdoren për nevojat e këtyre fëmijëve dhe të shkollës për të verbër të Pejës.

Ekspozita dhe ankandi mbahen të shtunën (30 maj) në Hotel “Dukagjini” në Pejë me fillim në ora 14:00. Para ekspozitës do të organizohet një vizitë në shkollën për të verbër të qytetit të Pejës ndërsa në aktivitet merr pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.

Kosovo United States Alumni është e lumtur që ndihmon në promovimin e virtuozitetit dhe guximit të këtyre fëmijëve të cilët në mënyrë të jashtëzakonshme krijojnë në vazhdimësi imazhe vizuale unike, disa prej të cilave edhe do të ekspozohen në këtë aktivitet.


Aktiviteti mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë si dhe Kompania e telefonisë mobile “D3”.