LAJMI I FUNDIT:

Edona Reshitaj: Muzika, më shumë se shumëçka tjetër

Edona Reshitaj: Muzika, më shumë se shumëçka tjetër

Pas suksesit të treguar dhe të dëshmuar në skenën teatrore dhe seritë televizive, Edona Reshitaj, po e sprovon veten me mjaft sukses edhe në lëmin e muzikës. Një pasion dhe talent i këngës sikur ka shpërthyer me tërë vrullin e vet, duke u shtrirë gjithandej me sukses të prekshëm artistik, emocional dhe romantik.

Me Edonën kësaj radhe biseduam për klipin e saj më të ri “Asgjë nuk ndryshojmë”, i cili duket se do të bëjë befasi të këndshme, veçanërisht për realizimin e tij.

Edona, kohët e fundit keni shfaqur një interesim të shtuar për t’u marrë aktivisht edhe me këngën. Sigurisht edhe këtu do të pretendoni të arrini majat?
Kam rreth 5 vjet që merrem me muzikë në mënyrë publike. Jo publikisht kam kënduar qysh e vogël. Nuk kisha ambicie t’i imponohesha muzikës, të bëja këngë e klipe dhe të bëhem medoemos e famshme. Ajo ka ardhur shumë natyrshëm te unë. Kam filluar me disa ndenja të ngushta shoqërore, me një kitare dhe një përcjellje të thjesht ritmike, me vetëm 18 këngë. Përparësia ishte se unë mund të zgjidhja dhe këndoja çka dhe si ma donte qejfi. Sensi për t’i kënduar këngët në formë dhe version të ri ka qenë gjithmonë karakteristikë e imja. Aty isha krejtësisht e lirë të lundroja në ujërat që unë doja. Mua gjithmonë më ka pëlqyer muzika e vjetër shqipe dhe pikërisht kënga “Djalin moj vasha” ka qenë pikënisja ime për këtë rrugëtim të shtrirjes muzikore. Ajo është një këngë folklorike, së cilës unë i bëra një përpunim të ri. E pëlqyen shumë kolegët e veçanërisht profesori, i ndjeri Faruk Begolli, i cili kërkonte t’ia këndoja shumë shpesh.
Unë fillova një mision për rikthimin e shumë këngëve të bukura shqipe, të cilat ishin lënë në pluhurin e harresës. Dalëngadalë repertori u zgjerua me mbi 60 këngë dhe bendi u formua me 4 anëtarë të ri. Për këto vite kemi performuar dhe prezantuar shumë këngë, për të cilat shumë njerëz nuk i kishin dëgjuar kurrë.
Befasia ime më e madhe dhe më e këndshme kanë qenë pikërisht të rinjtë, që i pëlqenin jashtë mase këngët e vjetra dhe mënyrën se si ne i performonim ato.
Për mua muzika është më shumë se “ekspozim i pandalshëm në media”, më shumë se forma standarde e këngës, më shumë se shabllonet muzikore, më shumë se spotet, më shumë se “arritje e majave “… Është diçka shpirtërore, e fuqishme dhe magjike.


Sapo keni lansuar klipin e parë “Asgjë nuk ndryshojmë”. Çka prisni nga ky projekt?
Dëshira është e madhe, por realiteti shumë i ndryshëm. Po të ishte një këngë e zhanrit aktual dhe një spot komercial, ndoshta edhe kisha pritur shumë…Shpresoj të pëlqehet dhe të vlerësohet puna dhe mundi që ka bërë një ekip shumë i madh i njerëzve profesionist.

Të flasim për këtë këngë. Kush e punoi? Prej nga ky titull dhe pse – nuk ndryshojmë?
Komponimi bazë i kësaj kënge është bërë nga Enes Bajramliqi. Tekstin e kam shkruar vet, aranzhimin, incizimin dhe miksimin e kanë bërë Armend Xhaferi dhe Pëllumb Ballata. Të gjitha instrumentet janë të incizuara ‘live’ nga anëtarët e bendit tim (Faruk Banjska, Enver Muhamedi, Tomor Shkoza, Dukagjin Muhaxheri) dhe mysafire Lule Ballata në flaut.
Kur e finalizova tekstin, i mendova disa tituj që lidheshin me këngën dhe me ndihmën e miqve vendosa njërin prej tyre që ishte “Asgjë nuk ndryshojmë”, e qe në fakt është një fjali e marrë nga teksti.

Jeni autore e tekstit, sikur keni shfaqur një vetëbesim (vetëbesimi është virtyt dhe jo dobësi)…
Unë shumë shpesh shkruaj ndonjë tregim, prozë, ndonjë ngjarje të momentit dhe të mos jem shumë modeste, ato shkrime më pëlqejnë shumë. Duke u bazuar në këtë, të jem e sinqertë, mendova që nuk do ta kem vështirë ta shkruaj tekstin e këngës, por, aq shumë kam hequr deri sa e kam përfunduar atë tekst, sa s’ka fjalë. Strofa e parë që shkrova është e fundit në këngë, e ajo e fundit – është e para. Ishte vërtet shumë problem të shkruash me një qëllim të caktuar. Thjesht, nuk ishte spontane, nuk ishte frymëzim si zakonisht, por ishte detyrë dhe duhej kryer.

Klipi juaj shoqërohet edhe me shumë aktorë. A do të thotë se ky klip kësisoj ka fituar më shumë art dhe sasi e cilësi artistike?
Kësaj kënge i duhej një klip i tillë dhe ne jemi munduar ta bëjmë më të mirën. Unë, i falënderohem shumë aktorëve, kolegëve të mi që e kanë zbukuruar dhe i kanë dhënë shumë shije klipit. Ndjehem e privilegjuar që kam pasur një kastë të aktorëve shumë të mirë, duke u nisur nga Bislim Muçaj, Kumrije Hoxha, pastaj Ylber Bardhi, Armend Baloku, Armend Ismajli, Lena Kryeziu, Besnik Krapi, Eshref Durmishi dhe Muhamed Arifi. Atmosfera që kanë krijuar ata në klip dhe jashtë skenave të xhirimit ka qenë fantastike. Gjithashtu Besim Ugzmajli, i cili ne këtë klip ka bërë regjinë, xhirimin, montazhin, fotografinë dhe realizimin teknik. Ka bërë një punë shumë të madhe duke analizuar e zbërthyer çdo detaj, pa u lodhur dhe me shumë pozitivitet.

Cilët ishin bashkëpunëtorët tuaj të tjerë në këtë klip?
Për tekniken u jam shumë mirënjohëse kompanisë së Genc Berishës, pa të cilët nuk do të mund të realizohej kripi; Beti Tahirit që është përkujdesur për grimin e aktorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë; “Bukka Bar”, vendi ku kemi xhiruar dhe vendi ku ne ndjehemi si në shtëpinë tonë; Kaltrina Mikushnica dhe familjarët: Bunjan Hasku, Korçare Hasku, Krenar Reshitaj, Rilind Reshitaj, Festina Reshitaj, Diturie Bytyçi dhe Aulona Tigani. Ndërsa, njeriu i cili ka qëndruar sipër çdo gjëje, përfshirë idenë, skenarin, organizimin, menaxhimin, etj., është Besart Sllamniku, njëkohësisht edhe menaxher i bendit tim.

Pse jeni përcaktuar që vet të merreni me këngën fillim e fund?
Jam shumë kërkuese dhe delikate në këtë sferë. Thjesht e kam problem të marr një këngë të gatshme nga dikush dhe të jem plotësisht e kënaqur. Mjafton të kem një bazë të kompozimit (siç e kisha pjesën bazike nga Enesi), pastaj zhvillimin, përpunimin, formën, backvokalet, i bëj vet, sepse vetëm kështu, ndjehem rehat.

Madje, jeni ndër këngëtaret e rralla që nuk këndoni ‘playback’….
Mos përvoja ime me ‘playback’ e bëri shumë të vështirë paraqitjen time në spot, sepse nuk ndjehesha rehat dhe reflektova zbrazët dhe jo emotive, siç ndodh në ‘live’.

Iu shohim edhe nëpër pub-e, por keni kritere dhe identifikoheni vetëm një audience të përzgjedhur.
Unë e pëlqej publikun që më përcjell vazhdimisht. Një pjesë e madhe është e kolegëve dhe shokëve të mi. Janë ata që i duan këngët që ne performojmë, ku përveç atyre shqip, janë edhe këngët e huaja, veçanërisht këngët franceze, që momentalisht i këndoj vetëm unë.
Unë emocionohem kur këndoj. Dhe, kur atë emocion e transmetoj tek njerëzit që i kam përballë, tek të tjerët që janë aty, atëherë ndjehem shumë e përmbushur dhe e ndjej dashurinë që ata kanë për mua. E, kjo do të thotë shumë për mua.

Performancat tuaja vokale kanë kapur shtrirje dhe interpretime këngët e vjetra, por edhe mjaft ritme që vijnë nga tendenca e kohës.
Në repertorin tim, më shumë zënë vend këngët e vjetra sesa ato të reja, si të muzikës shqipe, ashtu edhe të gjuhës angleze e franceze, mirëpo përpunimet, format e reja, eksperimentet e shumta me ritëm dhe melodi, sjellin risi dhe krijojnë atmosferë me shumë atraksion. Kjo edhe është veçantia që karakterizon bendin tim dhe stilin që unë e bëj.

Është mbresëlënës angazhimi që ke në muzikë. Në çfarë pike ndodhet karriera jote muzikore?
Në fakt sapo kam filluar karrierën time muzikore, pavarësisht këtyre viteve që kam pasur bendin tim dhe që kam performuar ‘live’. Ka qenë pjesë e misionit tim. E para, për të gjurmuar dhe eksploruar muzikën e bukur shqipe, për vetveten si fillim dhe, e dyta, për ta transmetuar atë te publiku. Sot, mendoj të kem këngë të mia, jo vajtje-ardhje, por këngë që do t’i rezistojnë kohës dhe nesër do të jetë dikush tjetër si unë që të gjurmojë, t’i nxjerrë nga pluhuri dhe t’i rikthejë, siç bëjmë ne tash.

Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar?
Vaqe Zela dhe Nexhmije Pagarusha, për mua, vazhdojnë të mbeten ikona të muzikës shqipe, ndërsa prej muzikës së huaj, jashtë mase adhuroj: Jaques Brel, Edith Piaf, Paris Combo, Billie Holiday, Annette Hanshaw, Lisa Minelli, etj.

Cilat janë prioritet e tua në muzikë në këto momente?
Shumë shpejtë do ta realizoj klipin e këngës “ Djalin moj vasha”. Kjo do të jetë kënga e parë ‘cover’, pas së cilës do të pasojë edhe projekti i një albumi të tillë. Puna, përkushtimi dhe aranzhimet që janë bërë në këngët e vjetra shqipe, janë aq të bukura, aq të dashura për mua, saqë nuk do t’i lë vetëm në nivelin e performancave ‘live’.
Kjo nënkupton edhe reduktimin e performancave tona nëpër lokalet publike, për arsye se nevojitet një punë e madhe me koncentrim dhe shumë energji.
Pas këtij projekti, do të filloj të punoj në albumin tim personal, por kjo i takon planeve pak më të largëta.

Ju jeni edhe aktore e dëshmuar, por edhe këngëtare. A e plotësojnë njëra tjetrën këto dy zhanre artistike?
Në rastin tim, vetëm e kanë ndihmuar njëra-tjetrën. Aktrimi më ka ndihmuar të jem shumë e lirë dhe e natyrshme në performancat e mia muzikore. Përmes aktrimit, jam mësuar ta konsideroj publikun faktor shumë të rëndësishëm dhe të jap maksimumin për ta respektuar atë, t’i ndajë emocionet e mia me atë. Dhe, kjo është ajo e veçanta që me karakterizon mua në muzikë.
Ndërsa, muzika më ka ndihmuar në shumë aspekte aktoreske. Tre projektet e mia të fundit teatrale, janë pikërisht shfaqje muzikore, ku përmes rolit të personazhit që luaj, këndoj solo edhe në grup (kor). Janë këto shfaqjet: “Rock’N’Roll”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Çifti i hapur”, njëkohësisht edhe përvojat e mia më të mira të ndërlidhjes së muzikës me aktrim.

Pse nuk keni qenë më aktive deri më tashti në ekranet televizive?
Sepse jo vetëm në ekrane televizive pasqyrohet puna ime.

Na bëhet se e keni vetinë që planet nuk i hidhni vetëm në letër, por jeni këmbëngulëse në realizimin e synimeve tuaja. Insistimi i juaj deri më tashti ka dëshmuar se është frytdhënës?
Unë mundohem t’i realizoj planet e njërës sferë kur jam më e lirë në sferën tjetër. Është e pamundur të realizohen me sukses të dyja menjëherë, sepse atëherë nuk do të jenë të fuqishme. Secila kërkon angazhim maksimal dhe nëse e ndanë përgjysmë, atëherë është optimal dhe jo shumë i kënaqshëm. Në këto raste, kompromisin më të madh e bëj me muzikën ,sepse është më individuale dhe varet nga vet unë. Ndërsa puna në aktrim është grupore. Është i caktuar orari nga dikush tjetër, po ashtu është e caktuar edhe premiera, reprizat, udhëtimet, çdo gjë tjetër. Në atë kohë zakonisht e lë anash muzikën për t’iu kthyer sërish në momentin që e kryej projektin paraprak.

Faleminderit, dhe urime për klipin me dëshirën që do të pasojnë edhe klipe të tjera, të cilët do të zgjojnë kërshërinë e dëgjuesve dhe këngët tuaja do të përqafohen me afsh zemre.
Faleminderit shumë.

Në trend

Më shumë
Zvicra fiton

Zvicra fiton "Eurovision 2024"

Magazina
Nemo nga Zvicra është artisti i parë i gjinisë asnjanëse që fiton Eurovisionin - ai valviti edhe flamurin e komuniteti jo binar

Nemo nga Zvicra është artisti i parë i gjinisë asnjanëse që fiton Eurovisionin - ai valviti edhe flamurin e komuniteti jo binar

Magazina
Gabimi në Ligën e Kampionëve i kushton, UEFA pritet t’i jap një dënim të ashpër gjyqtarit Marciniak

Gabimi në Ligën e Kampionëve i kushton, UEFA pritet t’i jap një dënim të ashpër gjyqtarit Marciniak

Ndërkombëtare
Holanda përjashtohet nga finalja e

Holanda përjashtohet nga finalja e "Eurovision 2024"

Magazina
E refuzuan Abdixhiku e Haradinaj, deklarohet Kurti: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku

E refuzuan Abdixhiku e Haradinaj, deklarohet Kurti: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku

Politikë
​Bombardimi i konsullatës në Ukrainë, Qeveria shqiptare interesohet për provat

​Bombardimi i konsullatës në Ukrainë, Qeveria shqiptare interesohet për provat

Lajme
Kalo në kategori