LAJMI I FUNDIT:

Dy predha të 21 janarit gjenden në zyrat e UNHCR-së

Dy predha të 21 janarit gjenden në zyrat e UNHCR-së

Dy predha arme të kalibrit 9 milimetra, të gjetura në zyrat e UNHCR në Tiranë, janë administruar në dosjen hetimore të Prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit.

Grupi hetimor është vënë në dijeni të pranisë së predhave dhe menjëherë ka bërë sekuestrimin e tyre me procesverbal.

Predhat janë marrë në zyrat e misionit të huaj, të cilat ndodhen në fund të rrugicës mes Gjykatës Kushtetuese dhe dy Kullave Binjake, përbri me Kryeministrinë në Tiranë. Nga verifikimi paraprak, dyshohet se predhat i përkasin armëve të Gardës së Republikës. Sipas hetuesve, predhat janë gjetur në katin e dytë të ndërtesës së UNHCR, çka tregon se projeksioni i qitjes ka qenë nga poshtë lart, raportoi të shtunën e përditshmja Panorama.

Krahas sekuestrimit të predhave, prokurorët kanë fiksuar çdo gjurmë të lënë prej tyre, me qëllim zbulimin e origjinës së të shtënave. Po kështu, një predhë e tretë është gjetur në një prej pishave që ndodhet në anë të bulevardit, përballë Kryeministrisë.


Edhe kjo predhë është gjetur në trupin e pishës, në një lartësi 5-6 metra nga toka. Tri predhat e reja të gjetura në vendin e ngjarjes janë dërguar për ekzaminime, me qëllim përcaktimin e armës prej të cilës janë qitur ato.

Paraprakisht, Prokuroria dyshon se si predhat e gjetura në zyrat e UNHCR, ashtu edhe plumbi i mbetur në trupin e një pishe, i përkasin të shtënave të efektivave të Gardës.

Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ka pranuar edhe publikisht para komisionit hetimor se gardistët kanë qëlluar me plumba zjarri në një moment më 21 janar, por projeksioni i qitjeve ka qenë lart, për të trembur personat që i afroheshin rrethimit të Kryeministrisë. /Telegrafi/