LAJMI I FUNDIT:

Duke pritur “Shën Nikollën”

Shqiptarët dhe maqedonasit në mënyrë të përkryer janë duke luajtur rolin e Estragonit dhe Vlladimirit, dy personazhe të njohur të dramës së famshme "Duke pritur Godonë", të shkrimtarit Samule Beket, i cili fitoi shumë çmime pikërisht me këtë dramë. Atëherë qytetarët e Maqedonisë për çfarëdo lloj çmimi që do të konkurronin nuk do të kishin konkurrencë për të fituar çmimin për pritje dhe durim.

Pritjet e qytetarëve më shumë i ngjajnë personazhit në romanin "Procesi" të Franc Kafkës, i cili pret para dyerve të gjykatës, por nuk din se çka pret, kush dhe kurrë do të vendosën për fatin e tij. Shpresoj se çmimi Nobël nuk do të na mjaftojë që të na shpërblejë për këtë pritje madhështore.

Por, po i kthehemi pakëz kryepersonazhit kryesor Shën Nikollës, i cili së fundmi tha se nuk është ai që i bën obstruksion Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë rast i jap shumë të drejtë, sepse ai publikisht asnjëherë nuk ka qenë kundër Marrëveshjes së Ohrit, por edhe asnjëherë nuk ka bërë edhe një gjë më të vogël që të implementojë pjesët më delikate të saj, të cilët gjithsesi se do të pajtoheni edhe ju, nuk janë implementuar.


Sa mos të ngel mangët po ju rikujtoj, se edhe pas nëntë vitesh, nuk ka ligj për ushtarët e UÇK-së, për familjet e dëshmorëve, ndarje proporcionale e buxhetit, zyrtarizmi i plotë i gjuhës shqipe, përfaqësimi adekuat i shqiptarëve. Atëherë, sipas këtij njeriu, kush është ai që bën obstruksion.

"Reagimi i BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-së, para së gjithash, ka të bëjë me individë të cilët i bëjnë obstruksion Marrëveshjes së Ohrit", citojmë deklaratën e Shën Nikollës. Kjo tregon qartë se më kot e paskemi akuzuar këtë njeri gjatë tërë kohës, sepse paska dikush tjetër. Por, Shën Nikolla harron se ai është njeriu i cili qe katër vite i bën obstruksione Marrëveshjes së Ohrit, sepse ka qe katër vite që është në krye të qeverisë, por mos harrojmë se nëse në këtë drejtim ka bërë obstruksion edhe opozita, atëherë edhe vetë ky Shën Nikolla ka qenë lider i opozitës para se të vijë në qeveri.

Kush qenka njeriu që i bën obstruksionet do të ngelet enigmë dhe do të jetë pjesë e akteve të dramës "Duke pritur Shën Nikollën".

Pritjet e Estragonëve dhe Vlladimirëve tash e 18 vjet për të zgjidhur kontestin ekstrafamoz me Greqinë nuk kanë fund. Pritjet për implementimin e Marrëveshjes ekstra – famoze të Ohrit nuk kanë fund. Si çdo herë, Shën Nikolla kërkon fajtorin (brenda vetes) për dështimet dhe paaftësitë gjatë kohës sa zotëron pushtetin absolut në këtë shtet.

Fajëson grekët për pozicinonet maksimaliste, por fajëson dikë tjetër tash për mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Të gjithë kanë faj, por vetëm Shën Nikolla nuk ka faj sepse ai është bekuar me ujë ungjilli dhe nuk guxon të ketë faj. Tani fillon faza e akuzave dhe kundërakuzave në mesin e estragonëve se kush na qenka fajtori. Mënyrë e përkryer për hedhur topin nga Vlladimirovët deri tek Es-tragonët që këta të fundit të akuzohen dhe të kërkojnë fajtorin në mesin e tyre.

Ndonëse nëpërkëmbja duket qartazi dhe haptazi ndaj shqiptarëve, këta të fundit, assesi nuk mund të marrin veten nga kjo që po ndodhën, kur sheshurazi dikush shet "patriotllëk" edhe atë ashiqare në kohën kur skenarët për përkeqësim të situatës sa kanë filluar të japin shenjat e para. Njëra palë pret përmirësimin e të drejtave të tyre, tjetra palë pret përmirësim ekonomik.

Aq qesharak duken këta të "vlladës" sa s’ka fund. Kur të gjithë në botë pohonin se ka krizë, vetëm ky shtet nuk kishte krizë ekonomike, e tani paramendoni kriza ekonomike nga Greqia do ketë pasoja në Maqedoni. Greqia na del më e fortë se krejt bota. Këta të kësaj qeverie askush nuk mundet me ju ra për fije përveçse ato vet, por që ndonjëherë edhe nuk e kuptojnë veten se çka flasin, çka kanë folur.

Së paku dikush prej afër le t`ju tregon se kur flasin të kenë pak kujdes. Dhe kur turbullohet i tërë uji apo siç thotë populli "tollovitet leshi", kush s’mundet me i`a gjet fijen. Kjo situatë duket qartë se nuk do të ketë epilog të mirë, aq më shumë kur dikush me çdo kusht tenton të fsheh dështimet dhe t’ua lan kokën me akull se gjithçka është në rregull.

Ky "partiotllëk" i tepruar vjen në kohën kur shteti merr teposhtën e cila ka shumë gjemba dhe zor se dikush do të mund të ndaloj rrëzimin e perandorisë së Shën Nikollës. Megjithatë, në tërë këtë teatër dhe në këtë pritje, Estragonët dhe Vlladimirovët së fundi nuk do të jenë vetëm statistë të thjeshtë, por me siguri do të jenë në rolet kryesore.

Shën Nikolla përmbysën diçka inekzistente apo diçka që të tjerët e mbanin me injeksione për hatër të qëllimeve gjeostrategjike, por së fundmi edhe këtyre të huajve u ka ardhur në maje të hundës që të merren shumë me ne. Tërheqja veshit apo kartoni i verdhë i dedikuar për aktorët e politikës, shumë shpejt do të shndërrohet në karton të kuq, por gjithsesi se durimi i pritjes do të ketë epilog, megjithëse duhet patur kujdes skenarëve që vetëm sa filluan të nxjerrin kokën.

Dy popujt e përgjumur vështirë se do të mundet që sërish të aplaudojnë për këtë politikë të mbrapshtë e cila dita-ditës po i nxjerr dhëmbët e veta, njëjtë sikur macja kur zihet ngushtë dhe ajo atëherë sulmon me krejt arsenalin.

(Autori është gazetar në Televizionin Koha në Tetovë dhe korrespodent i gazetës Koha)