LAJMI I FUNDIT:

Drejt mendimit ndryshe!

Nuk dua t’iu gjykoj as me drejtësinë, e as me filozofinë e zellit krijimtar, sepse nuk jemi të ngjashëm me veten. Më tej, unë jam “laik”, për hir të faktit tënd, se ai që flet për moralin është i pamoralshëm. Unë flas për një moral që mendimi i zakonshëm nuk ftohet të ndjek leksionet e nevojshme, që rrotullojnë qiejt e këtij realiteti të zakonshëm. Unë kritikoj, sepse kritika sot është varrosur me duart tona. Ata që dinë të kritikojnë me maturi, dhe që nuk janë të njëanshëm janë të realtë dhe zotërues të natyrës shoqërore. Unë prej vërteti jam kritikues për mangësitë politike dhe sociale, sepse veprimet dhe bindjet e tyre janë prej vërteti në kontradiktë me gjithçkanë.

Unë jam shprehur, por dhe tash shprehem se: “e keqja është vetja jonë”, por, këtu unë nuk shoh të kuptohet se jam kontradiktor me veten, aq më pak duke thënë se jam kundër mendimit ndryshe që nuk pasqyron realitetin heideggerian, por e kundërshtoj vetëm atë mendim ndryshe që është në kundërshti me asnjë plan e bindje racionale. Pak sens u duhet që mos e ngatërroni mendimin ndryshe, nga vlerësimi intelektual që duhet pasur për mendimin ndryshe. Unë them, dhe e përkrah mendimin ndryshe, por jo gjithherë mendimin ndryshe do të duhet ta pranoj si të tillë pa pasur një fije sensi e logjike brenda. Këtu më lini të qetë, se jemi dy pole të kundërta që nuk takohemi gjëkundi në hapësirë e kohë. Mendimi ndryshe mund të hidhet në plan për t’u debatuar, por mund të ndodh që të refuzohet, gjithnjë duke u bazuar në mungesën e fakteve dhe naivitetin që mund të ketë shërbyer rastësisht.


Vetmia është rrjedhojë apo pasojë e turmës së neglizhuar që ka rastisur shoqërinë tonë, madje një njeri i zakonshëm si unë, mund të kem aq të drejtë të jem shoqërues me veten kundrejt masës së dëshpëruar. Kjo besoj është e drejtë njerëzore dhe thelbësore e të gjitha qenieve të gjalla. Vetmia është e pazakontë, për ata që nuk e dinë hollë e hollë rëndësinë e saj të zellshme, u vij në përkujtim me shprehjen: “Mos u shoqëro me asnjeri. Shkrimtari është vetë”, thoshte Danilo Kish. Edhe pse shkrimtari i vërtetë asnjëherë nuk është vetë. Për më tepër, unë nuk kam faj që opinioni dhe lexuesi i jashtëm mban qëndrimin tim, këtu është diferenca. Dhe, këtu fjala apo mendimi yt vihet në pushkatim.

Shkëlqesia juaj, për sa i takon mendimit tënd duke ma bërë të ditur se letrat tona nuk qenkan “letra dashurie”, dhe si pasojë e kësaj më detyroni që t’ia transmetoj fizikanes me botë të pasur akademike e shpirtërore, për mua nuk qëndron. Në radhë të parë letrat tona i di mirë se çfarë kulture kanë, dhe aq më ti je pasuesi i letrave të mia publike në media. E këtu, nuk e kuptoj se përse duhet ta flirtosh tekstin duke na rikujtuar!? Ti me thjeshtësi cenon mbi femrën, që sot ne të gjithë mund të krenohemi për vlerat dhe mendimin shkencor që ka arritur të shquajë. Ju po mateni me ironi ta hidhni poshtë kulturën e një femre, por sot, ju duhet ta kuptoni rëndësinë e saj në shoqëri. Femra ka ndjenja, ka dhe motiv, andaj mos ia pritni me gërshërë ndjenjën dhe motivin vetëm pse nuk është me të njëjtin vij me ju. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, po ju thirr vëmendjen se asesi mos të të duken më “flirte nazike adoleshentësh të vonuar”, por le të të duken një shije shpirtërore e largët për t’u provuar ndonjëherë…

E keqja jonë nuk ka fund. Dhe nuk ka si e ndryshon fundin e të keqes, pos ta ndash dhembjen me dikë që e vlerëson. Më kot, na hiqesh optimist për shumëçka, kur në të vërtetë ne po fundosemi si në politikë ashtu dhe në etikë, por ti ende jep bindje të reja që për mua kanë perënduar që herët… Unë, sa nuk është dhe aq vonë trokas, por nuk mund të zgjoj një dëshpërim që është nxitur në masë të madhe.

Sado që bota të përdridhet dhe të hiqet e moderuar, etika mbetet po ajo etikë që ka qenë në kohën e Aristotelit, po ajo etikë mbetet edhe në kohën e Kantit e kështu me radhë. Etika nuk ka nuancë, që sa herë që duam ne ta ndryshojmë, e sa herë ta pranojmë ashtu duke e ngurtësuar vetë ne me bindjen tonë joefektive.. Etika është tërësi vlerash apo sjelljesh morale që ka për karakter një qenie njerëzore në veprimin e ndërgjegjes shoqërore. Dhe nuk mund të jetë etika një karikaturë siç kërkon ta paraqesësh ti me ndryshimin e kohës. Nderi, në etikë nuk mund të kërkohet me anë të një mendimi ndryshe, sepse për të gjithë nderi përbën të njëjtin vlerësim shpirtëror.

Për fund, unë nuk e kuptoj se ç’lidhje ka ideologjia ime për moralin me atentatorin norvegjez Breivik?! Breiviku nuk kërkon drejtësinë time, por as unë nuk kërkoj ta gjykoj me drejtësinë dhe moralin tim Breivik. Ai është tjetër kuptim shoqëror, mbase mund të kishte qenë nën presione të ndryshme që vetëm ai mund t’i ndjejë. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë, se drejtësia dhe morali im nuk kanë asnjë lidhje me Breivik. Veprimi i tij nuk lidhet me moralin, por me revoltën, ose me akte të tjera psikike. Një moral nuk mund të identifikohet me një Breivik, që ju nxitoheni ta identifikoni sot duke e lidhur atë pjesërisht me globalizmin. Breivik nuk është sot identifikuesi i moralit tim që po eksploroj unë nëpërmjet ideologjisë dhe filozofisë sime, por ai është një individ krejtësisht i ndryshueshëm me veten. Ai mbetet një satelit i afërt për moralin tënd.