LAJMI I FUNDIT:

Dramaturgjia politike, aktorët dhe banaliteti gjuhësor

Dramaturgjia politike, aktorët dhe banaliteti gjuhësor
Ilustrim

Kaq intensive është bërë të folurit me tone banale dhe ofenduese nga politikanët tanë, saqë ndodhemi shpesh në situata kur është e vështirë të dallojmë se ku është “argumenti” politik dhe ku fillon “shpifja” banale, ku është dhe sa është e vërteta e “lëndës” së konfliktit pozitë-opozitë, dhe ku mbaron retorika gjuhësore si qëllim në vetvete apo si mjet që fsheh objektin e vërtetë të konfliktit politik, pas “ambalazheve” gjuhësore të përdorura. Gjuha e politikanëve tanë në shumë raste ka humbur sensin, elegancën, argumentin dhe është lëshuar brutalisht në “fushën e vet”.

Madje, tani lëviz e lirë, pa asnjë “censurë etike”, sepse ka dalë e lirë në qejfin e saj. Në vend të gjuhës që duhet të ketë argument politik mbushamendës, po përballemi me një “fjalamani” të tepërt, abuzime të shëmtuara me faktet dhe të vërtetat, me shkelje të rregullave dhe standardeve të komunikimit politik. Paradoksalisht, kjo situatë është pasojë dhe nxitëse që vjen përveç arsyeve të tjera edhe nga “deformimi gjuhësor”, apo më saktë i fjalorit që përdoret që nga aulat e politikës profesioniste, deri në masmedia, shkollë, familje, ambiente publike.

Më saktë, në të gjithë sistemin e komunikimit interpersonal dhe masiv. E diagnostikuar si dukuri sociale, niveli banal i gjuhës dhe komunikimit në politikën tonë profesioniste, është duke kapërcyer normat morale të komunikimit. Qoftë ato tradicionale apo moderne. Që reflekton më gjerë dhe bëhet shkak që ndihmon koncepti e deformuar social dhe ushqen mentalitetin, se njeriu i kohës është ai që shfaqet i vetëmjaftueshëm në realizimin e synimeve pragmatiste, i fortë verbalisht e fizikisht në përballjen me tjetrin, rival, sfidues apo konkurrent politik.


Politikanët me sa duket nuk janë të ndërgjegjshëm që modeli linguistik dhe paradigmat gjuhësore bëhen shkak dhe nxitje për shfaqjet e bullizmit social tipik i adoleshentëve, që janë brezi imitues dhe në “moshën plastike” të imitimit, deri te ngacmimet verbale e seksuale të femrave, duke përfunduar te dhuna verbale e përdoruar gjerësisht nga politika shqiptare, si narcizëm individual, mjet në luftën për pushtet, që në shumë raste shoqërohet me një lloj hiperagresiviteti banalisht të zgjeruar në komunikimin midis tyre, vetë politikanëve profesionistë. Shoqëria shqiptare këto kohë ka filluar të ndihet e “inonduar” nga epidemia e përdorimit cinik e antikulturor të gjuhës, për qëllime egoiste politike e deri në synime imediate delinkuente.

Një situatë antiqytetare e rënduar nga “gjuha toksike”, që ka filluar të shfaqet si dukuri tipike e politikanëve të “brezit të Unit”. Një defekt kulturor i diagnostikuar si një nga patologjitë e gjeneralizuara të realitetit tonë socio-politik, që përbën një shqetësim nga që në politikën shqiptare pothuaj ka humbur “kufiri”, që ndan të lejuarën nga e ndaluara në sferën e përdorimit të gjuhës humane dhe komunikimit të humanizuar. Besimi se sa më shumë të përparonte demokracia në Shqipëri, aq më I zhvilluar qytetar dhe qytetërues do të ishte gjuha, dialogu politik nuk po vërtetohet.

Përkundrazi, gjendja linguistike, retorike e oratorike në gjuhën e politikanëve të pozitës dhe opozitës, është duke u degraduar në nivele alarmante. Sidomos në këto ditë të nxehta politike, marrëdhëniet e pozitës me opozitën kanë qenë dhe me sa duket do të jenë akoma më të vështira. Nuk bëhet fjalë për mungesën e logjikës së kompromisit apo lëvrimin e “aspekteve pedagogjike” të gjuhës politike, që në politologji konsiderohen si “lavdi e demokracisë”, por thjesht për deformimin e standardeve, rregullave etike të “gjuhës politike” në Shqipëri.

Dhe, për fat të keq, kjo epidemi linguistike është bërë “infeksion” i përhapur në të gjithë krahët e politikës, duke u udhëhequr nga parimi i imitimit të brutalitetit gjuhësor. Në Parlament dhe sidomos mediatikisht, sa herë që politika merret me sajesa dhe probleme fiktive (që është normative për politikën tonë), gjuha e politikanëve është banalizuar deri në limitet e fundit të etikës. Ajo ka marrë një rrugë të mbrapshtë në mënyrën si zhvillohet dialogu interaktiv midis politikanëve kundërshtarë. Parlamenti, debatet televizive, kanalet mediatike në përgjithësi janë kthyer ne “arena”, ku debatet politike degjenerojnë në sulme agresive gjuhësore brutale, madje tërësisht “luftarake” (ndonjëherë edhe fizike). Është neveritëse situata, kur për shkak të mungesës së forcës argumentuese, dijeve specifike të fushës, mungesës së njohurive adekuate mbi “objektin” e të menduarit dhe thelbit të debatit, sundon mediokriteti, i shoqëruar fillimisht me gjuhën e zakonshme “fol të flasim” dhe që pastaj përfundon me mediokritetin gjuhësor të urrejtjes reciproke.

Personalisht mendoj se në sferën politike profesioniste, po ravijëzohen “mëkatet” e një “llafazanërie politike shterpë”, llafollogjie pa produkt utilitar, e cila për shkak të mungesës së kompetencës, dijeve, kulturës adekuate, fatalisht konvertohet në sëmundjen e zgjeruar të shfaqjes masive të “murtajës” së gjuhës banale, polemikave sterile. Ky komponent diktomik gjuhësor ka sjellë te publiku përfytyrimin se ne nuk kemi “klasë politike” të përgjegjshme, që di të përdorë “armët politike”, gjuhën e duhur specifike të politikës, por kemi politikanë dhe sidomos liderë që përdorin gjuhën, duke qenë të bindur se më shumë se politikanë janë thjesht “armiq personalë”.

Ky është paradoksi 32-vjeçar që ka sjellë këtë situatë, në të cilën gjuha politike e vrazhdët, e shëmtuar, e hekurt, nuk konvertohet në mjet specifik, me të cilin bëhet politika, por përdoret thjesht si mjet në luftën për t’i “zënë vendin” njëri-tjetrit. Goja e politikanëve e kthyer në “krater vullkani” që prodhon politikë gjuhësore “toksike” dhe emeton në publik, në sasira të konsiderueshme “llave të nxehtë politike”, që është dhe mënyra për prodhim kortizoli, për të nxitur agresivitin e militantëve, të cilëve shpesh kjo gjuhë toksike e agresive u shërben si “karburant” për “makinerinë” për të vënë në lëvizje makinerinë e majtë apo të djathtë të politikës.

Lidershipet e politikës kanë përgjegjësi për këtë situatë patogjene gjuhësore, që në vend të gjuhës politike kultivojnë tek anëtarët dhe simpatizantët e tyre, gjuhën e dhunës dhe urrejtjes reciproke. Ky problem i shfaqjes së politikanëve me gjuhë të deformuar, shpesh është arsyeja pse njerëzit janë të mendimit, se në Shqipëri po bëhet një politikë e “zbrazur nga brenda”, pikërisht nga ata politikanë që më shumë se kanë ide e zgjidhje, bëjnë thjesht gjuhë për t’u dukur të “fortë” para elektoratit të tyre. Ata nuk bëjnë politikë, por parodi, spektakël si qëllim në vetvete, të cilin njerëzit, nuk besoj se e marrin seriozisht në konsideratë.

Nëse politikën e bëjmë thjesht një “teatër të keq” gjuhësor, kjo është arsye e mjaftueshme, që ka çuar në rënien e besimit për politikën dhe politikanët tanë. Padyshim, politika e ka në natyrën e vet debatin, por ajo kërkon edhe maturinë. Politika shqiptare dhe politikanët kanë problemet e veta, por krizat gjuhësore kanë ndikim në klimën sociale, nxehjen e gjakrave dhe acarimin e klimës së socialitetit. Sepse ky defekt ka përhapje të gjerë sociale, është bërë virus patogjen me dimension social, që ndikon fort në intoksikimin e atmosferës ekstrapolitike të publikut.

Ndikimi i saj shfaqet si refleks ngjitës, që ndihet në media, e reflektuar gjerësisht pastaj në gjuhën komunikuese, dialogun neurotik që zhvillohet te publiku i gjerë. Nuk është fjala për të bërë teori, për rolin e gjuhës në politikën moderne, por ama kur shikon këtë situatë të shpërdorimit ekstrem, nuk mund të mos evidentosh të vërtetën, për nivelin e mjeruar të “gjuhës politike”, për këtë mjet kryesor, në mos të vetëm me të cilin bëhet politika e kohës demokratike.

Një mjet që është pasqyrim i faktit, që politika në këtë vend në vend të emancipohej si instrument i komunikimit politik, kulturor e publik, po ecën drejt degradimit dhe banalizimit të saj. Nuk e di nëse politikanët tanë kanë nivelin e duhur dhe konceptin adekuat, për të kuptuar se forca dhe vlera e gjuhës politike si mjet komunikimi në shoqërinë demokratike është shumë e madhe. Duket që politikanët, shumica e tyre më saktë, nuk e kanë të qartë “përgjegjësinë e gjuhës politike”.

Sipas mendimit tim, artikulimi gjuhësor ka rënë kaq poshtë, gjuha e politikanëve të këtij vendi duket se ka precipituar në “fundin e lejueshëm saj”, duke e reduktuar debatin jo me instrumentet adekuate e elokuente të saj, por në gjuhë të ashpër, të drunjtë, të fortë, joetike. “Eteri” i jetës publike është inonduar nga fushata dhe kundërfushata retorike paralele, të goditjeve dhe kundër goditjeve gjuhësore politike të pozitës dhe opozitës. Vrazhdësi e skajshme, brutalitet i dukshëm, gjuhë politike devijante, e cila para se të shfaqet në ekran, gati ka nevojë për “pullë të kuqe”.

Fytyra të acaruara, grimasa të pakontrolluara të politikanëve e kanë inonduar keq situatën qytetare. Kjo gjendje e sjelljes dhe e gjuhës politike, është duke e cenuar keq dinjitetin e politikës shqiptare, e cila, për fat të keq, jo vetëm që nuk po frenohet, por ka marrë rrugën e degradimit moral dhe profesional kreshendo. Një bezdi e vërtetë qytetare, që na vjen si “peshqesh” nga politika, së cilës të paktën mungesën e etikës së sjelljes politike, artikulimin banal gjuhësor, nuk ia kemi borxh.

Sepse një politikë me gjuhë frenetike, të paekuilibruar, nuk dëmton vetëm cilësinë dhe performancën e politikës, por pengon qytetarët të jenë në gjendje të dallojnë thelbin e vërtetë të debatit politik, esencën e çështjes, nga objekti i artikuluar i “gjuhës politike” që përdoret. Nuk është gjuhë politike ajo që kanë përdorur kohët e fundit politikanët kundër njëritjetrit, sepse në esencë nuk kemi gjuhë që pasqyron të vërtetën politike, por një gjuhë që ka marrë forma të shëmtuara dredharake, që nuk të tregon as thelbin e debatit, sepse është një gjuhë që nuk është e lidhur drejtpërdrejt me përmbajtjen e debatit dhe objektin e të menduarit, madje as me standardet elementare, mbi të cilat duhet bazuar të folurit politik.

Në politikën e sotme moderne ka një normë edukate gjuhësore, që politikës i vjen si imperativ kategorik i brendshëm, të paktën që nga koha e Aristotelit, sipas të cilit punët e shtetit dhe të politikës duhet të udhëhiqen nga ata që kanë edukim dhe formim sa politik, etik edhe gjuhësor. Si qytetar i këtij vendi, mendoj se duhet frenuar kjo gjuhë banale, që nuk është natyrale apo organike, për të zhvilluar politikën në një vend të qytetëruar. Nuk është modeli gjuhësor i duhur që duhet përdorur, sidomos nga ata që udhëheqin punët e politikës në këtë vend. Në fund të fundit, politikanët duhet të zotërojnë jo “gjuhën e rrugës”, por gjuhën adekuate të politikës, jo artikulimin banal, të vrazhdë, të ngurtë, por gjuhën specifike të politikës së kulturuar. Është shenjë e forcës, e formimit qytetar, profesional, intelektual kontrolli, zotërimi i “pushtetit” të jashtëzakonshëm të gjuhës politike, e cila është mjet që duhet përdorur, por jo duke e shpërdoruar.