LAJMI I FUNDIT:

Drama shqipe, fituesit në skenat evropiane

Drama shqipe, fituesit në skenat evropiane

Të martën është shpallur konkursi mbarëkombëtar për dramën shqipe që është një bashkëpunim mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar dhe Ambasadës austriake.

Për dallim nga konkurset e tjera të këtij lloji të zhvilluara në Shqipëri, destinacioni i veprës fituese, këtë herë nuk është thjesht skena e Teatrit Kombëtar, por skenat gjermane, apo austriake.

Ajo do të përkthehet në gjuhën gjermane dhe do të botohet në 11 mijë kopje, të cilat do të falen dhe do të shpërndahen në teatrot gjermanishtfolëse në Gjermani, Austri dhe Zvicër.

Në një konferencë për shtyp regjisori austriak, Christian Papke prezantoi projektin, ku ftohen të gjithë autorët shqiptarë që do të konkurrojnë, duke paraqitur dramat e tyre të pavëna më parë në skenë deri në datën 20 dhjetor të këtij viti.


Tema e veprave konkurruese duhet të lidhen me kapërcimin e kufijve, një temë bashkëkohore, jo vetëm për Evropën Lindore, por edhe më gjerë. “Duke trajtuar këtë temë nuk realizohet vetëm një vepër e mirëfilltë artistike, por dhe një dokumentim historik”, tha regjisori Papke.

Përzgjedhja e kësaj teme nuk është rastësore. Ajo lidhet me 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit, që shënoi hapjen e parë të kufijve në Evropë.

“Krijuesit shqiptarë do të kenë një arsye më shumë për të thyer barrierat dhe për të kaluar në skenat evropiane”, tha drejtori i Teatrit Kombëtar Shqiptar, Kristaq Skrami.

Dramat shqiptare që do të marrin pjesë në konkurs duhet të kenë të parashikuar të paktën 5 aktorë dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze, për t`u kuptuar nga juria ndërkombëtare.

Juria, e cila do të jetë ndërkombëtare, do të ketë 5 anëtarë, të cilët do të lexojnë veprat e dorëzuara pa e njohur emrin e autorit. Ajo do të ndajë tre çmime kryesore, ku fituesit të vendit të parë do t`i jepen 3500 euro.

Tre çmimet e para do të mundësohen nga Ambasada austriake, ndërkohë që MTKRS dhe TK do të financojnë 2 çmime të tjera. Pas përfundimit të këtij konkursi drama fituese do të mund të ngjitet në skenat gjermanishtfolëse, por edhe në skenën shqiptare. /Panorama/Telegrafi/