LAJMI I FUNDIT:

Diskutohet kriza e naftës

Diskutohet kriza e naftës

Prodhuesja më e madhe e naftës në botë, Arabia Saudite, po organizon të dielën një takim ndërkombëtar për rritjen e çmimit të naftës.

Situata e krijuar nga rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës, ka shkaktuar protesta në mbarë botën.

Në takimin që po zhvillohet në Xhedah, marrin pjesë drejtues të qeverive dhe kompanive të naftës.

Pjesëmarrësit do të diskutojnë se cilat janë arsyet që çmimi i naftës është dyfishuar brenda një viti, duke kapur vlerën mbi 130 dollarë për fuçi.


Sipas një njoftimi të agjencisë zyrtare të lajmeve të Algjerisë, vendit që mban presidencën e radhës të OPEC-ut, në tekstin e komunikatës që pritet të dalë në përfundim të takimit, bëhet thirrje për hedhjen e hapave për stabilizimin e tregut botëror të energjisë, përfshirë ndërtimin e rafinerive të reja.

Në këtë takim merr pjesë edhe kryeministri britanik, Gordon Brown.

"Ne po përjetojmë tronditjen e tretë të madhe të naftës në 30 vitet e fundit. Duhet të arrihet një marrëveshje e re mes prodhuesve dhe konsumatorëve të naftës. Unë do ta bëj absolutisht të qartë se ne do ta ulim shkallën e varësisë nga nafta, duke investuar në energji bërthamore dhe burimet e ripërtëritshme", tha zoti Brown duke folur për televizionin Sky para nisjes për në Arabinë Saudite./bbc/