LAJMI I FUNDIT:

Diskurs për futnotën

Pada, Pous, Pes, Footnote dhe dhe fusnote

Në literaturën nergut për kërkime shkencore, në shqip, termi fusnotë përdoret më shpesh së sa footnote (footnote) në funksion të shpjegimeve dhe të komentimeve fundore, në funde të faqeve përkatëse përkitazi me ndonjë çështje e cila kërkon shpjegime suplementare, anësore ose e tejkalon tematikën boshtore por,me të ka ndonjë ndërlidhje.


Futnota do të duhej të aplikohej edhe në jetën e përditshme, ndër tjera, edhe nëpër takime të ndryshme në të cilat, pak kush i përmbahet temës boshtore gjatë debatimeve, polemikave dhe diskurseve. Edhe në raste të tilla do të duhej që debatuesi “vëllimor”, zakonisht i papërgatitur madje inkompetent për temën në diskurs, të gjitha fjalët, e ato nuk janë të pakta, jashtë temës së diskutimit, t’i linte për futnotë në të kundërtën, drejtuesi i debatimeve do të duhej të kërkonte me këmbëngulje që të diskutohej vetëm për çështjen e specifikuar në rendin e ditës, ndërsa, thëniet tjera të futnotoheshin, të hidhen në pjesën fundore të diskutimit, të procesverbalit.

Sipas njërit prej fjalorëve më të njohur “ Reader’s Digest, Family Word Finder, New York, 1978, f. 318, i cili përkon me glosar jashtëzakonisht të pasur të sinonimeve dhe të antonimeve, termi footnote ka origjinë nga anglishtja e moçme “ fot”. Termi footnote – footnote në Sanskrishte është “pada”, në Greqishte “pous” dhe në Latinishte është “pes”. Në shqip po të përkthehej termi footnote do të mund të quhej fundshënim a shpjegim fundor .

Edhe fjalori prestigjioz “Concise Oxford English Dictionary”, f. 554, futnotën e përcakton: ”Shputë, ektermitet më i ultë i këmbës nën nyje në të cilën personi a shtaza qëndron ose punon”. Referuar punimeve profesionale e shkencore, sipas të të njëjtit fjalor, futnota është pjesë shtesë e informatës e vënë në fundin e faqes.

Gjithsesi, futnota që fillimisht rrjedhë nga anglishtja e moçme e jo fusnota që është formë e gjermanizuar e saj, përdoret për të shpjeguar e plotësuar tema, çështje, raste të cilat janë të nevojshme për të definuar një term jo sa dhe si do të duhej t’ishte I qartë ose për të dhënë informime plotësuese të cilat temës boshtore i referohen tërthorazi.

Së andejmi, kushdo qoftë kur në një tekst e vëren ndonjë fjalë të futnotuar, nolens volens, krijon mëdyshje të bazuar për kuptimin, funksionin, rolin a domethënien fillestare të diskutueshme dhe për aq dallues nga njohuritë e deri atyshme të saj.

Paprecedenca e futnotimeve të shteteve

Nga historia e shtetit, as nga e drejta ndërkombëtare publike nuk dihet ndonjë rast që ndonjë shtet sovran, të jetë futnotuar me qellim të ofrimeve të shpjegimeve plotësuese e aq të veçanta për të!

Rasti i futnotimit të Republikës së Kosovës, në aktualitet, pashmangshëm do t’i shërbejë “pasurimit “ të kësaj zbrazëtie juridike – ndërkombëtare”, në një anë dhe krijimit të precedentit të parë të shtetit sovran të futnotuar, pikërisht të veçantë, sui generis, në anën tjetër

Futnotimi i Republikës së Kosovës, në kolision me Kushtetutën e saj!

Kosova, shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me nenin 1 paragrafin 2 të Kushtetutës së vet, emërtohet ” Republika e Kosovës …”. Rrjedhimisht, në tërë tekstin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës përdoret dhe përsëritet formulimi i njëjtë e konsistent me të parin “Republika e Kosovës”.

Së andejmi,emri origjinal, kushtetues, i paprekshëm dhe i pandryshueshëm nga kushdo qoftë, përderisa nuk do të amendamentohej në procedure kushtetuare, dispozita e nenit 1 par. 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është dhe mbetet Republika e Kosovës.

Futnotimi i emërtimit të Republikës së Kosovës, pos defekteve serioze në dimensionin psikologjik dhe emocional të qytetarëve, rezulton të jetë në kundërshtim edhe me Kushtetutën e saj!

Nuk mund të përjashtohet mundësia e krijimit të klimës dyshuese nëpërmjet futnotimit të Republikës së Kosovës, sidomos të shtetet hezituese pro et contra pranimit të vendit tonë.

Edhe përfaqësuesit e vendit tonë në forumet ndërshtetërore e ndërkombëtare, pashmangshëm, nuk mund të mos ndjehen, nëse jo shumë, atëherë në masë të konsideruar apriori të diferencuar, të degraduar dhe të veçantë përballë partnerit, përkatësisht të partnerëve të jashtëm deri sot, asnjë sish,të futnotuar përkatësisht të asteriskuar.

Konstelacioni i raporteve dhe i forcave ndërkombëtare dhe futnota përkatësisht asterisku famoz

Për ta njohur një shtet shtetin tjetër, pos interesave politike të shtetit njohës, influencë të dukshme ushtrojnë pretendimet politike të skicuara në politikat shtetërore në kontekst të konstelacionieve të faktorëve ndërkombëtarë, të raporteve të forcave dhe të interesave të shteteve, veçanërisht të shteteve relevante të periudhave historike të caktuara.

Referuar katër nga pesë shteteve evropiane të cilat gjithnjë ngulin thembra për të mos njohur vendin tonë për shtet sovran, deri diku mund të konkludohet se qëndrimet e tilla i mbështesin në interesat politike referuar disa çështjeve problemore me minoritetet e veta të pazgjidhura.

Ndërkaq, vendi i pestë apo i parë, Serbia, pos që ngulë thembra kundër pranimit të Kosovës për shtet sovran, kundër saj me arrogancë agresive të paskrupullt ushtron politikë shtetërore hegjemoniste – deklarativisht dhe faktikisht .

Ky shtet, Serbia, duke kultivuar dhe zbatuar pretendime territoriale kundër vendit tonë, kryesisht apelohet në komponentin historik sipas së cilës Kosova qenka tokë serbe!

Komponenti historik përkitazi me Kosovën, për Serbinë bumerang

Pikërisht, sipas tezës historike, Serbia do të vinte në radhë të fundit, me hise më të vogël për ta mbajtur Kosovën të pushtuar për afër dyqind vjet përballë mija vjetëve të pasardhësve të ilirëve – të shqiptarëve, mija vjetëve të pasardhësve të romakëve – italianëve dhe pesë qind vjetësh të turqve!

Në anën tjetër, për t’u realizuar kjo tezë bastarde, groteske, mitike serbe, do duhej të krijohej një hallakatmë e pa imagjinuar, së paku në tërë Evropën.

Në anën tjetër, pikërisht sipas kësaj teze hegjemoniste serbe, Serbia do të duhej menjëherë ta lironte Vojvodinën të cilën e pat përfshirë nën kthetra për herën e parë pas dyndjeve të sllavëve në Ballkan -vetëm nga viti 1919 dhe atë fal disa shteteve evropiane që luanin me territore të huaja dhe ca më të vogla si me karta në bixhozet ilegale. Madje, Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, prapë sipas “tezës historike serbe”, do të duhej të kalonte me gjatë nën sundimin e cilitdo shtet a popull fqinj të Serbisë sesa nga vetë Serbia.

Lidershipi aktual serb, madje për një periudhë relativisht të gjatë, mund të pritet të mos e pranoj Kosovën për shtet sovran edhe nga shkaku se populli serb mjerisht është kontaminuar keq me trillime permanente të konstruksioneve mitike – historike përkitazi me “Kosovën si tokë serbe” .

Letargjia megalomane e lidershipit serb, përkitazi me pretendimet territoriale në dëmin e Kosovës, do të mund të përgënjeshtrohej gradualisht brenda një periudhe kohore relativisht të shkurtër në saj të proklamimeve të fakteve historike ekzistent dhe të vizionit bashkëkohor, të shëndoshë, të drejtë e qëllimmirë sa për Serbinë aq për Kosovën, dhe më gjerë në favor të integrimeve evropiane.

Populli serb i indoktrinuar keq nga qarqet borgjeze hegjemoniste serbe, gjithnjë kultivon pretendime për krijimin e Serbisë edhe më të Madhe duke e okupuar edhe një herë Kosovën. Ndryshe, aktualisht Serbia është e madhe në dëmin e fqinjëve të saj, në radhë të parë të shqiptarëve (sic).

Po ashtu, opinioni serb, në masë të konsideruar, kryesisht për shkak të indoktrinimit hegjemonist, inklinon fuqishëm kah orienti pansllavist dhe për aq kundër oksidentit euro-amerikan!

Futnotimi i Republikës së Kosovës, edhe një padrejtësi në vargun e koncesioneve të shteteve influente të BE-së për Serbinë

Shtetet influente të Evropës, nëpër të gjitha etapat historike kritike, e kanë përkrahur Serbinë edhe pse ajo kurdoherë ishte dhe është pansllaviste hegjemoniste dhe antiperëndimore.

Në vitin 1912 Serbia e pat pushtuar Kosovën dhe Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913 e pat miratuar atë okupim (Ocupatio Bellica) për “të ruajtur paqen në Evropë”.

Megjithatë, jo më vonë së një vit më pas, ndodhën luftërat ballkanike e Lufta e Parë Botërore. Pra, nuk qe plotësuar kushti për të cilën Kosova qe viktimizuar, qe bërë kurban për “ruajtjen e paqes në Evropë” dhe, për aq, për ta favorizuar, mikluar, përkëdhelur Serbinë hegjemoniste, pansllaviste dhe antipereëdimore.

Për të qenë ironia më e madhe, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore jo që nuk u reviduan padrejtësitë e Konferencës së Ambasadorëve përkitazi me sakrifikimin e padrejtë të Kosovës dhe të gjymtimit të trungut shqiptar kurdoherë properendimor, por u fiksua dhunshëm statusi i saj i nëpërkëmbur dhe Serbia, në anën tjetër, pa asnjë të drejtë qe favorizuar me Vojvodinën e cila që nga ardhja e sllavëve në Ballkan, asnjëherë, madje asnjë ditë para vitit 1919, nuk ka qenë në përbërje të korpusit serb!

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet sanksionimit të status quos, Kosova mbeti në shtetin e sllavëve të jugut, kryesisht të menaxhuar nga serbët .

Pas përfundimit të luftërave pushtuese të Serbisë në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë (1991-5) nëpërmjet efektiveve militare e politare serbe të organizuara, të armatosura, të përgatitura dhe të sponzorizuara pikërisht e botërisht nga Serbia – pas okupimeve nëpërmjet krimeve të luftës madje gjenocideve të papara në shumë srebernica – Serbia, në vend që të trajtohej ngjashëm me praktikat dhe precedentet pas Luftës së Dytë Botërore, ajo, për ironinë irrituese, u shpërblye me gjysmën e Bosnje dhe Hercegovinës duke e krijuar për herën e pare gjatë historisë shtetin fantom Republika Srpska!

Madje edhe kërkesa e shteteve viktima të luftërave hegjemoniste serbe – për përgjegjësinë e Serbisë për aktet e krimeve të luftës dhe gjenocidet e shumta – nga presioni i shteteve influente të BE-së është flakë pa arsyetime !

Serbia edhe Republikën e Kosovës e trajton në kushtetutën e vetë si pjesë të shtetit serb dhe de facto një pjesë territoriale të konsideruar të Kosovës, haptas, në sytë e BE-së e mban të okupuar me efektivat militare e politare të saj.

Po ato efektive shkojnë aq larg sa kur ju teket i nëpërkëmbin, i përulin dhe i poshtërojnë edhe forcat ndërkombëtare paqeruajtëse edhe të shteteve influente të EU-së dhe, për ironi groteske, po ato shtete Serbinë e absolvojnë për akte të tilla inkriminuese dhe karshi Kosovës e favorizojnë për të negociuar për çështje interne kosovare e jo të përbashkëta ndërshtetërore kosovare-serbe!

Në atë vazhdë, shtetet influente të BE-së, në vend të marrëveshjeve ndërshtetërore kosovare-serbe, imponojnë “konkluzione” apo ku të dihet si janë emërtuar, sepse nuk preferojnë të publikohen – pra opinioni për to nuk ka dijeni, madje as Kuvendi I Republikës së Kosovës!

Përmbajtjet e atyre “konkluzioneve”, shtetet influente të BE-së, ani pse të padrejta për Kosovën, i quajnë të drejta edhe kur shteti serb i paska pas plaçkitur dokumentet zyrtare për gjendjet civile e kadastrale, që në vend të kthimit, të kërkimit ndjesë dhe të kompensimit të demit, t’i kthejë vetëm fotokopjimet,ndërsa origjinalet e tyre t’i mbajë (sic).

“Marrëveshja “ e tillë si duket e quajtur “konkluzion” ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, esencialisht rezulton reflektimin se shteti amë, qendror e kryesor qenka Serbia e cila u dashka t’i mbajë dokumentet bazë e origjinale të Kosovës e kjo e fundit, si shtet surrogat, u dashka të kënaqej vetëm me hijet e zbehta, me fotokopjet e dokumenteve zyrtare të veta. Alas.(sic)

Shtetet influente të Unionit Evropian, nëpërmjet koncesioneve, në masën më të madhe në dëmin e Kosovës – të ledhatimeve, të privilegjeve të shtetit serb, të mbylljes së syve para krimeve të luftës të serbëve të sponsorizuar nga shteti serb në Slloveni e Kroaci, dhe të ushtrimit të gjenocidit në Bosnjë dhe në Kosovë – madje jo rrallë herë, duke rënë në pozita përulëse, ka kohë qe janë përcaktuar që Serbinë ta kthejnë nga inklinacionet orientale pansllaviste në taborrin e vet:në oborrin e përbashkët të BE-së.

Pra, BE-ja,makijavelisht, në radhë të parë duke e neglizhaur Kosovën përkitazi me të drejtat shtetërore të saj, jo vetëm në kohë të fundit ka ushtruar presion të paprecedencë në të drejtën ndërkombëtare, ndër tjera, për të zhvilluar negociata serbe-kosovare dhe pala kosovare për të pranuar zgjidhje përulëse, siç është marrëveshja për t’i marrë nga shteti serb uzurpator fotokopjet e dokumenteve kadastrale kosovare… dhe më në fund për ta asteriskuar përkatësisht për ta futnotuar emrin dhe titullin kushtetutar të Republikës së Kosovës. ( sic)

Përgjegjësia e lidershipit kosovar

Gjykoj se lidershipi kosovar e ka rezistuar futnotimin e emërtimit të shtetit të vet deri në masën e mundur.

Por, lidershipi kosovar, sipas gjykimit tim, është dashtë të kërkonte debat me dyer të mbyllura të përfaqësuesve të institucioneve kryesore të vendit, konsultime të gjëra me subjektet politike pozitare e opozitare dhe përfundimisht çështjen pro et contra të futnotimit të emërtimit të shtetit, ta prezantonte për vendosje përfundimtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Emërtimi kushtetutar i Republikës së Kosovës dhe korruptimi i tij me footnotë

Emërtimi i vendit tonë është i përcaktuar me nenin 1 par. 2 të Kushtetutës, I cili, pos konsensusit politik vendor dhe miratimit unanim nga kuvendarët, paraprakisht është koordinuar dhe akceptuar edhe nga përfaqësuesit e shteteve relevante të kohës pra edhe të BE-së.

E për ironi të faktit, këto të fundit aktualisht kanë ushtruar presione të papara mbi lidershipin kosovar për ta pranuar futnotimin, që mund të quhet edhe etiketimin e emërtimit të shtetit tonë me atë që këtë koncesion të lidershipit kosovar e cilësojnë bravuroz, vizionar, të guximshëm!

Thëniet e tilla shprehin ngushëllime të zbehta madje edhe sarkastike .

Vendi ynë, dorën në zemër,nuk ishte e as nuk është në gjendje për të qëndruar krejtësisht drejt përballë presioneve të padrejta të shteteve influente të BE-së, të cilat jo vetëm në këtë rast i kanë bërë për hir të interesave makropolitike e aspak nga ato të vendit tonë.

Dhe, pikërisht, në shpatullat e njoma e të buta të shtetit tonë, BE-ja makijavelisht ndërtoi katapult për ta impulsuar Serbinë hegjemoniste dhe fajtore të luftërave agresive okupatore në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, jo për ta ndëshkuar,por shpërblyer e përfundimisht për ta hedhur në gjirin e vetë.

Për këtë spekulim makropolitik të pa drejtë,BE-ja edhe vendit tonë pritet t’i premtojë më shumë dhe t’i jap nga ndonjë kockë për ngushëllim dhe qetësim nga shumë impakte frustruese.

Gjykimi i drejtë kur favorizohet i forti

E drejta zakonore shqiptare, edhe sipas vlerësimeve të autorëve dhe shkrimtarëve historikë e juridikë të jashtëm e të njohur, është e dalluar për të mirë krahasuar me cilëndo të drejtë zakonore të ndonjë populli tjetër në Evropë dhe më gjerë.

Pos admirimit të zgjidhjeve juridike elegante nga pleqnarët shqiptarë të çështjeve edhe më të ndërlikuara, ndër tjera, në kontekste të caktuara apelohen edhe në raste të tilla të gjykuara “Res Iudicata”.

Në raste të gjykuara nga pleqnarët shqiptarë, ka filozofi dhe logjikë të thellë të konkluzioneve deduktive dhe të silogjizmave mahnitëse.

Në një pyetje drejtuar një pleqnari shqiptar me famë, se si ishte e mundur që ai pleqnoi mbi pesëdhjetë vjet me qindra e qindra raste dhe, të gjitha ato gjykime zunë vend, nuk i lëkundi askush… ai ju paska përgjigjur shkurtë e shqip: “Po se, kurdoherë, ia kam dhënë krahun, ia kam mbajt anën të fortit”! (sic).

Kur pyetësi qenka habitur, pleqnari vazhdoi se në mënyrën e tij të thënë, është ndarë i kënaqur i forti me copën më të madhe e i ligu, natyrisht, psikikisht është ndarë i pakënaqur por duke ia ditur takatin e hallin veti, ka deklaruar publikisht se është i kënaqur madje së edhe ashtu “ e lypi oda e burrave “.

Ndryshe, pas pleqnimit të drejt, pashmangshëm do të pasonte mospërfillja nga ana e të fortit në dëmin e të ligut dhe pleqnimi nuk do të zinte vend, do të prishej!

Përfundimisht, për t’i vënë themel dhe kapak solid pleqnimeve disfavorizuese për të drejtën dhe të ligun, kanë pasuar lëvdatat për palën më të dobët “së meriton respekt pasi tregoi largpamësi, burrëri, fisnikëri, se trimi falë“ etj.

Ngjashmëri nga pleqnimet shqiptare dhe sallonet diplomatike të kohës

Analogjikisht me shpjegimin e pleqnarit tonë për gjykime të padrejta por solide, jo pak funksionarë eminentë të BE-së dhe të disa shteteve, pas pranimit të lidershipit tonë për asteriskimin, përkatësisht futnotimin e emrit të shtetit tonë, nuk kursyen fjalë morali e lavdërimesh për aktin vizionar, të qëlluar e të mirë të tij, të lidershipit tonë. (sic)

Ndryshe, po ky lidership, hiq më vonë se një ditë para pranimit të etiketimit të emrit të shtetit të vet me futnotë, pat deklaruar publikisht se asnjëherë dhe kurrsesi nuk do të pranoj propozimin e lidershipit serb për futnotën famoze në qafën e re e të njomë të emrit të shtetit tonë.

Për të qenë e liga edhe më e madhe, pos futnotimit të emrit të shtetit tonë,ai emër, me marrëveshje të përfaqësuesit të shtetit serb e kosovar nën monitorimin e mentorimin e përfaqësuesit të BE-së, është përcaktuar vetëm në versionin e gjuhës serbe “Kosovo”. (sic)

Së paku,në këtë pikë, me bazë mund të konkludohet se udhëheqësja e negociatave nga delegacioni kosovar, znj. Editë Tahiri, ka mundur të këmbëngulë me sukses qe emri i vendit tonë të mbetet konform me nenin 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në shqip Kosova, në Serbisht Kosovo.

Së paku për këtë lëshim që nuk mund të jetë joesencial, Tahiri nëse nuk do të jepte dorëheqje të parevokuar, atëherë do të duhej të shkarkohej nga kryeministri i vendit, z Hashim Thaçi.

Për shkarkimin e zonjës Edita Tahiri, kryeministër Thaçi ju keni autorizim nga dispozita e nenit 94 par.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.