LAJMI I FUNDIT:

Disa aspekte historike dhe etnografike për familjen Gërxhaliu

Disa aspekte historike dhe etnografike për familjen Gërxhaliu

Familja Gërxhaliu nga Studimja e Poshtme (Martiraj), komuna e Vushtrrisë është një familje e njohur, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, për historinë e përjetimeve dramatike dhe tragjike në të kaluarën e hershme dhe të më vonshme nga terrori serb, për luftën dhe martirizimin për çlirimin e vendit nga pushtuesi

Nga: Hilmi Saraçi

Nga e kaluara e hershme shquhet terrori serb gjatë përzënies me dhunë nga trojet e tyre Toplicë (Sanxhaku i Nishit) 1878, kur kjo familje më shumë familje të tjera shqiptare u vranë dhe u terrorizuan gjatë përzënies me dhunë . Ndërsa e kaluara tjetër e më vonshme ndodhi gjatë luftës çlirimtare 1998- 1999 , kur nga kjo familje ,por edhe nga familje të tjera në fshatin e tyre, Studime e Poshtme (Martiraj), si hakmarrje ndaj shqiptarëve ,u vranë dhe u masakruan brenda një nate 116 burra, pleq, gra, plaka, djem, vajza, fëmijë nga kriminelët serbë. Vetëm nga familja Gërxhaliu u vranë dhe u masakruan 36 veta.


Në këtë masakër u vra dhe u masakrua Selatin Gërxhaliu me 12 anëtarë të familjes. Kjo ishte njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë nga forcat kriminale policore dhe ushtarake të Serbisë ndaj shqiptarëve, respektivisht ndaj familjes Gërxhaliu (më 2 maj 1999) .

Martirë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb

Familja Gërxhaliu ka dhënë mjaft për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nga kjo familje (nga fshati Martiraj) shquhen 15 ushtarë të UÇK-së të cilët luftuan heroikisht deri në çlirimin e vendit nga armiku serb. Gjithashtu shquhen edhe luftëtarët në luftën kundër sundimit otoman siç ishte Xhemail Ahmet Gërxhaliu, i cili ishte vrarë gjatë luftës kundër otomanëve. Varri i tij gjendet në Selanik. Në Luftën e Dytë Botërore kanë marrë pjesë shumë luftëtarë nga familja Gërxhaliu, duke u bashkangjitur aradheve të Shaban Polluzhës. Njëri nga këta luftëtar që u vra heroikisht kundër çetnikëve në Pazarin e Ri është edhe Emin Ahmet Gërxhaliu.

Kjo familje shquhet me shumë intelektualë, mësues, inxhinierë, agronomë, mjekë, doktorë të shkencave, biznesmen, profesorë të profileve të ndryshme që dhënë dhe japin kontributin e tyre për zhvillimin kulturor, politik, shkencor, ekonomik, arsimor, fetar e të tjera në Kosovë dhe më gjerë. Në këtë fushë vlen të përmendet dr. Shukri Gërxhaliu, kontributi i tij si mjek në radhët UÇK-së. Ai gjatë tërë luftës ishte i pranishëm dhe ndihmoi të plagosurit dhe popullatën.

Për masakrat në fshatin (familjen) e tij dhe më gjerë nga kriminelët serbë ishte në Tribunalin e Hagës për të dëshmuar kundër kriminelit Sllobodan Millosheviqit. Gjithashtu shquhen edhe Safet Gërxhaliu, ekonomist i diplomuar, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Fehmi Gërxhaliu, inxhinier i diplomuar i makinerisë dhe biznesmeni i njohur nga Rudari i Vogël (Lipjan) Ramadan Gërxhaliu. Ka edhe shumë të tjerë, fatkeqësisht disa prej tyre u vranë dhe u masakruan nga forcat serbo çetnike gjatë luftës çlirimtare (1998-1999), sidomos në masakrën në Studime të Poshtme (Martiraj), 2 maj 1999.

Familja Gërxhaliu e ka prejardhjen nga Malësia e Madhe (Shqipëri)

Familja Gërxhaliu e ka prejardhjen nga Malësia e Madhe- rrethi i Shkodrës (Shqipëri). Mbiemri Gërxhali mendoj se ka rrjedhë nga i pari i tyre me emrin Gjergj: G(j)ergj+ Aliu = Gjergjaliu. Si duket me përqafimin e fesë islame, këtë emër të të parit të tyre janë munduar ta ndryshojnë.

Në këtë pjesë të rrethinës së Shkodrës kanë jetuar një kohë disavjeçare, por në kushte të pavolitshme, prandaj me kohë kishin menduar për të migruar në ndonjë vend më të mirë për jetesë. Kështu pas disa mendimeve dhe konsultimeve kishin zgjedhur Toplicën për të shkuar dhe për të filluar një jetë të re në fshatin Resincë. Mirëpo megjithatë disa familje (Gërxhaliu) kishin mbetur në Shqipëri. Nga këto familje të mbetura është i njohur Hasan Gërxhaliu i cili ishte vrarë në luftën antifashiste. Për trimërinë dhe luftën e tij Salih Mani, një rapsod i njohur, i ka kushtuar një këngë që këndohet edhe në ditët e sotme.

Nga kjo familje shquhet edhe Fitim Gërxhaliu i cili deri vonë ishte pronar i qumështores “Gjallica” në Kukës. Mirëpo për të migruar në Toplicë kishte ndikuar edhe Karamahmut Bushati, pashë dhe sundimtar i Pashallëkut të Shkodrës gjatë viteve 1749 – 1796 i cili kishte luftuar kundër turqve dhe shquhet për autoritetin e tij patriotik. Ai kishte ndikuar që kjo familje Gërxhaliu të shkojë në Toplicë, me qëllim të përforcimit të pozitave të veta politike dhe strategjike, që në këtë kohë kishin filluar të dobësohen…

Toplica në këtë kohë ishte mjaft e pasur, prandaj dëshironte që këtë vend të pasur ta popullojë me më shumë shqiptarë. Familja Gërxhaliu në këtë pjesë të vendit (Toplicë) me shumë familje të tjera shqiptare kishin filluar të gjallërojnë dhe sigurojnë jetën dhe një të ardhshme më të mirë. Mirëpo pas një periudhe kohore kur kishin krijuar kushte të mira për të jetuar, kishin filluar të qarkullojnë zëra ndjellakeq për shqiptarët (e Toplicës ) – pra edhe për familjen Gërxhaliu se në kohën e ardhshme jo të largët do të përjetojnë terrorin e paparë nga pushteti serb, të cilët veç kishin filluar t’i përpilojnë planet e tyre ç’njerëzore dhe kriminale për përzënien e shqiptarëve nga kjo trevë. Kjo kishte marr hov në kohën e krizave lindore, sidomos pas Kongresit të Berlinit (1878)…

Ditë të vështira për shqiptarët dhe për familjen Gërxhaliu

Kongresi i Berlinit ishte një e keqe e madhe për shqiptarët, respektivisht për familjen Gërxhaliu që jetonte në Toplicë (Resnicë), sepse këto vende të banuara me shqiptarë tani e tutje do t’i takojnë Serbisë. Në këtë territor që kishte 714 vendbanime 70 për qind përbënin shqiptarët, ndërsa 30 për qind ishin të përzier me të tjerë si cincarë, vllahë, serbë, romë.

Në korrik të vitit 1878 veç kishin filluar problemet për shqiptarët, respektivisht për familjen Gërxhaliu. Në këtë periudhë kohore serbët të përkrahur dhe të inkurajuar kishin filluar planet strategjike për përzënien e shqiptarëve nga trojet e tyre.

Në këtë kohë të turbullt për shqiptarët dhe për familjen Gërxhaliu kishin lindur disa ide dhe përpjekje se si duhet të veprohet dhe çka duhet të ndërmerret në këto çaste dramatike që do të vijnë, të rezistojnë nuk kanë mundësi, prandaj thuhet nga bisedat që pata me anëtarë të kësaj familje, Gërxhaliu, se kryefamiljari Nezir Aga – Gërxhaliu ishte përpjekur të gjej ndonjë zgjidhje me pasoja më të vogla, por nuk kishte pasur përkrahje dhe sukses.

Nezir Aga – Gërxhaliu ishte një personalitet i njohur, me autoritet të përmasave të gjera në këtë anë dhe më gjerë, por edhe mjaft i pasur, sepse me punë e djersë dhe mençuri kishte krijuar këtë pasuri

Përzënia e familjes Gërxhaliu dhe familjarëve të tjera shqiptare nga Toplica

Nezir Aga- Gërxhaliu në Toplicë (Resnicë) tani kishte organizuar largimin sa më të shpejt të familjes. Kjo edhe kishte filluar menjëherë, prandaj familja Gërxhaliu si dhe shumë të tjera familje shqiptare fillojnë të ikin sa më parë në drejtim të Kosovës.

Nezir Aga- Gërxhaliu edhe më herët kishte qenë në Kosovë dhe kishte kontaktuar me njerëz që do t’i shisnin tokë për vendqëndrimin e familjes. Ai e kishte menduar më të keqen që do të vinte në të ardhshmen e afërt për familjen e tij , prandaj kishte sigurua vendin (e kishte blerë) në Studime të Poshtme, në Pantinë dhe në Ribar të Vogël (Lipjan) dhe një pjesë të konsiderueshme të tokave që do të jetonin në të ardhshmen …

Është e dhembshme të shpjegohet vuajtja dhe tmerri i përjetuar i familjes Gërxhaliu dhe i shqiptarëve gjatë ikjes nga dora kriminale, kështu gjatë këtij eksodi të paparë nga familja Gërxhaliu rrugës për në Kosovë , njëra nga gratë shtatzënë e lind një fëmijë (djalë) në afërsi të një shtëpie, buzë malit . Në këto momente mezi kishte shpëtuar lehona e cila ishte ndihmuar në këto momente, ndërsa djali kishte mbetur, kur policia serbe kishte marr një aksion me përmasa të mëdha duke vrarë dhe masakruar.

Në këto momente tragjike mezi kishin shpëtuar pa u masakruar dhe vrarë shumë anëtarë të familjes, përkundër asaj se kishin gjoja një shkresë “garantuese” se nuk do të vriten gratë e fëmijët. Pas shumë vuajtjeve dhe mundimesh familja Gërxhaliu kishte arritur në Kosovë : në Studime të Poshtme, Pantinë dhe Ribar të Vogël ku edhe kishin fillua të jetojnë dhe të ndërtojnë fshatin dhe ardhmërinë e tyre.

Riemërimi i fshatit: Martiraj

Studimja (e Poshtme) si vendbanim është e regjistruar në Muhasebe-i Vilajet-i Rumeli Defteri 1530 (937 h) , në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë me emrin Sudimlje”…ndërsa në regjistrin e manastirit të Deviçit në vitin 1766 përmendet me emrin Studime”… Më vonë pas çlirimit të Kosovës nga Serbia emërtimi Studime është ndërruar dhe fshati është riemërtuar Martiraj në shenjë nderimi dhe përkujtimi për 116 martirë të kombit që u vranë dhe u masakruan nga forcat kriminale policore dhe ushtarake serbe në këtë fshat brenda një nate (2 maj 1999)…

Sipas A.Urosheviqit një kohë paskan jetuar serbët në këtë fshat ,të cilët u paskan shitur tokën muhaxhirëve shqiptarë të ardhur nga trevat e Toplicës. Këta serbë gjatë vitit 1878 kishin lëshuar fshatin”… Nga shqiptarët muhaxhirë përveç familjes Gërxhaliu në Studime të Poshtme (Martiraj) u vendosen edhe pjesëtarët e këtyre vëllazërive: Bacalitë, Bajçincët, Gërgurët, Gubetinet, Kostanicët, Muzaçët, Bunjakët, Pllanalitë, Rashicët, Sogojevët, Spancakët, Sfarçalitë… Disa familje nga Gergjalitë më vonë do të shpërngulen në Vushtrri , Prishtinë, Mitrovicë dhe Turqi (në Adapazar)…

Pas 12 viteve djali i harruar gjatë ekzodit gjendet dhe kthehet në Studime të Poshtme (Martiraj)

▪ Kreu i familjes Gërxhaliu, Nezir Aga- Gërxhaliu gjithnjë ishte i brengosur për fatin e djalit të mbetur gjatë përzënies me dhunë nga Toplica, prandaj ishte interesuar dhe përpjekur: mos vallë është gjallë fëmija i mbetur i porsalindur gjatë eksodit të familjes Gërxhaliu, prandaj kishte premtuar shumë para për ata që do ta gjejnë këtë fëmijë. Kështu disa ishin interesuar menjëherë dhe gjatë kërkimit në fshatrat e Toplicës më në fund, kishin hasur në një fëmijë 12 vjeçar duke ruajtur bagëtinë, i hajshëm dhe i lagur nga shiu që binte….

Pas disa bisedave djali u kishte treguar se nuk ka prindër, jeton në kushte të vështira si bari…Në këto momente ata kishin kuptuar gjatë bisedës që kishin zhvilluar se ai mund të jetë djali që kërkonin. Ata pastaj i kishin thënë se mund t’i gjejnë prindërit e tij. Ai njëherë nuk kishte besuar, por më vonë ishte pajtuar të shkojë me ta dhe t’i gjejë prindërit e vërtetë.

Pas një udhëtimi e kishin sjellë ne Studime të Poshtme (Martiraj)…Kur e kishte parë nëna e tij menjëherë e kishte njohur, por në këto momente i kishte ra të fikët…Ishte një moment i prekshëm. Të gjithë kishin qarë dhe nuk kishin mundur të përmbahen nga gëzimi, por edhe nga dhembja që kishin ndie për peripecitë, vuajtjet, maltretimet që kishte përjetuar djali i tyre 12 vjet-pa përkujdesjen e prindërve dhe të afërmeve të tij.…Nga ky djalë tani janë krijuar disa familje Gërxhaliu që jetojnë në Studime të Poshtme (Martiraj) dhe dy familje të tjera në Manizë në afërsi të Izmirit (Turqi)…

Ruajtja e traditës dhe afrisë familjare

Në Studime të Poshtme (Martiraj) tani jetojnë 100 familje Gërxhaliu, me më tepër se 400 anëtarë, por vështirë e kanë të harrojnë të kaluarën tragjike që përjetoi familja Gërxhaliu gjatë dy periudhave kohore. Tani familja Gërxhaliu jeton e qetë dhe punon me përkushtim në kushte të mira, në shtetin e ri të Republikës së Kosovës, ndërsa në Pantinë familja Gërxhaliu, pas disa viteve të qëndrimit, është shpërngulë në qytet (Vushtrri).

Tani në Vushtrri jetojnë afër 15 familje. Mirëpo ata tani nuk e mbajnë mbiemrin Gërxhaliu, por sipas emrit të fshatit nga u shpërngulen- Pantina… Ndërsa në Ribar të Vogël jetojnë 21 familje Gërxhaliu. Ata e mbajnë mbiemrin gjithnjë Gërxhaliu. Nga ky fshat gjithashtu janë shpërngulur disa familje në Lipjan, në Prishtinë…

Në Ribar të Vogël , gjithashtu nga familja Gërxhaliu kanë dalur mjaft intelektual, njerëz të shkolluar të profileve të ndryshme që kanë dhënë dhe japin kontribut për zhvillimin dhe përparimin kulturor, politik, ekonomik, shkencor e të tjera.

Këto familje (Gërxhaliu) megjithëse jetojnë të ndara në tri lokalitete (fshatra), por edhe në Shqipëri, ata kanë ruajtur traditën dhe afrinë e tyre familjare. Vizitojnë njëra-tjetrën , jo vetëm në dasma dhe vdekje, por tradicionalisht siç i ka hije një familje të njohur- ndihmojnë njëra tjetrën në disa fusha të jetës në rast nevoje. Nëpër takime dhe ndeja shpeshherë, pa dëshirën e tyre përkujtojnë të kaluarën e hidhur dhe tragjike të familjes, kur u përzunë nga fshati i tyre Resnicë (Toplicë), me 1878 dhe kur u vranë dhe u masakruan me 2 maj 1999 nga dora kriminale serboçetnike 116 veta…

Në trend Lajme

Më shumë
Në vendkalimin kufitar Muriqan, policia sekuestron gati 700 mijë euro të fshehura në dyert e veturës

Në vendkalimin kufitar Muriqan, policia sekuestron gati 700 mijë euro të fshehura në dyert e veturës

Lajme
Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'

Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'

Drejtësi
Raportet Kosovë-Serbi, Steinbaum: Shkëmbimi i territoreve mund të rikthehet si ide nga administrata Trump

Raportet Kosovë-Serbi, Steinbaum: Shkëmbimi i territoreve mund të rikthehet si ide nga administrata Trump

Lajme
​Kuvendi i Kosovës zgjidh problemin me punëtorët e mirëmbajtjes së objektit

​Kuvendi i Kosovës zgjidh problemin me punëtorët e mirëmbajtjes së objektit

Lajme
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Lajme
Kalo në kategori