LAJMI I FUNDIT:

Derbi i Kosovës në Ligën Ballkanike

Derbi i Kosovës në Ligën Ballkanike

Dy skuadrat më të mira kosovare për momentin, Peja dhe Sigal Prishtina, do të sfidohen kësaj radhe në Ligën Ballkanike. Rivaliteti i madh kësaj radhe do të bartet në BIBL, që është duke shkuar drejt fazës përfundimtare. Fitorja për dy skuadrat është e domosdoshme që synojnë ‘play-offin’. Organizatori i Pejës, Samir Shaptahu beson në fitore, derisa trajneri i Prishtinës, Marin Dokuzovski, thotë se do të japin gjithçka për të festuar në ‘Karagaçi’.

Rivaliteti i madh ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës kësaj radhe do të kalojë kufijtë. Dy skuadrat më të mira kosovare për momentin do të ndeshen të martën në ‘Karagaçi’ në kuadër të Ligës Ballkanike. Në sfidën e parë të zhvilluar në Prishtinë në BIBL, vendasit kishin fituar vetëm pas vazhdimeve. ‘Bardhekaltërit’ më mirë e filluan këtë ligë, derisa tani kanë vetëm një fitore më shumë se ‘verdhezinjtë’ dhe në rast të fitores së pejanëve do t’i barazonin pikët. Të dy ekipet e dëshirojnë ‘play-offin’ dhe kjo shihet si njëra nga përballjet më vendimtare për dy skuadrat.

Shaptahu: Ta ndalim Berishën e Jonesin

Ai që gjithmonë është vendimtar për pejanët, Samir Shaptahu ka parë edhe mangësitë që i ka skuadra kundërshtare. Ai thotë se nëse ndalin Berishën e Jonesin, mund t’ia arrijnë qëllimit. “Na pret një ndeshje e vështirë kundër Prishtinës, por unë jam optimist dhe besoj se mund t’i mposhtim nëse arrijmë t’i ndalin dy lojtarët kyç Dardan Berishën dhe Kenderick Jones. Nuk do të jetë aspak lehtë, pasi Prishtina ka fondin e lojtarëve shumë të mirë. Ka më shumë rotacion për çdo pozitë, por besoj se me ndihmën e publikut mund t’i mposhtim”, ka thënë Shaptahu për ‘Sport Plus’.
Peja deri më tani ka bilanc prej gjashtë fitoreve dhe gjashtë humbje, duke u renditur në vendin e shtatë.


Dokuzovski: Ndeshje e rëndësishme për dy skuadrat

Trajneri maqedonas, Marin Dokuzovski debutoi me fitore në bankinën e Sigal Prishtinës, duke mundur Bashkimin në udhëtim, 104:58. Por, sfida e parë e vështirë e tij do të jetë ndaj Pejës në udhëtim.

“Gjithmonë ndeshjet mes Prishtinës dhe Pejës janë festë e basketbollit në Kosovë, por është derbi edhe më i madh duke e ditur se luhet në kuadër të Ligës Ballkanike. Është ndeshje e rëndësishme për të dyja ekipet edhe pse Peja ka një përparësi të vogël për shkak se luan para publikut vendas”, ka thënë Dokuzovski, duke shtuar: “Do të mundohemi të japim gjithçka prej vetes dhe ta fitojmë ndeshjen në mënyrë që të jemi në garë për pozitën e dytë në BIBL për shkak se ky edhe është synimi i klubit”, theksoi maqedonasi.

72:70 kishte përfunduar ndeshja e parë ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës në kuadër të Ligës Ballkanike.

Rivaliteti

Sigal Prishtina dhe Peja do të ndeshen edhe në fundjavë, kësaj radhe në ETC Superligën e Kosovës në basketboll. Ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë.

Ballafaqimi i trajnerëve

Peja dhe Sigal Prishtina kanë bërë ndryshime në shtabin teknik në stinorin pranveror. Te Peja për shkak të problemeve familjare u largua Danijel Lutz, duke u zëvendësuar nga Slobodan Savoviq. Ndërkohë, te Prishtina për shkak të rezultateve të dobëta u largua turku Ceyhun Cabadak, duke u zëvendësuar nga trajneri maqedonas, Marin Dokuzovski.

Vijnë pas humbjeve

Peja dhe Sigal Prishtina javën e kaluar kishin pushim në Ligën Ballkanike, derisa në takimet e mëhershme pësuan humbje. Peja u mposhtë nga Craiova, derisa Prishtina nga Teodo Tivati.
Liga Ballkanike

E martë

19:00 Peja – Prishtina

E mërkurë

17:00 Gilboa Galil – Kumanovo
17:00 SCM Craiova – Balkan

Renditja

1. Levski 8:5 21 pikë
2. Galil Gilboa 8:4 20 pikë
3. Teodo 6:8 20 pikë
4. Craiova 6:8 20 pikë
5. S. Prishtina 7:5 19 pikë
6. Kumanovo 2009 6:7 19 pikë
7. Peja 6:6 18 pikë
8. Balkan 6:5 17 pikë
9. Kozuv 4:9 17 pikë

/Telegrafi/