LAJMI I FUNDIT:

Deputetëve, zgjidhje për Universitetin e Prishtinës

Deputetëve, zgjidhje për Universitetin e Prishtinës

Kohëve të fundit u hapën debate për Universitetin e Prishtinës. Protesta jonë si studentë, e cila do të vazhdojë e do të rritet sipas të gjitha gjasave duke ndërruar format, deri në heqjen e rektorit aktual, deri në fillimin e një hetimi të gjerë të prokurorisë e deri në heqjen e duarve të pushteteve nga Universiteti i Prishtinës, ngriti një debat që po merr përmasat e një brenge gjithshoqërore. Me të drejtë, por nga sa vërej pavetëdijshëm, Universiteti i Prishtinës po shihet si diçka shumë e rëndësishme për shoqërinë kosovare. E, si të mos jetë i rëndësishëm, kur ky është Universiteti nga i cili do të dalin mësuesit, arsimtarët, profesorët, mjekët, juristët, ekonomistët, inxhinierët, shkencëtarët, akademikët e kësaj shoqërie me probleme. Është bartësi i 90 për qind të arsimit të lartë në Kosovë. Se çfarë do të jetë shoqëria kosovare në 10, 20, 30, 40 vitet e ardhshme, varet si është Universiteti i Prishtinës sot.

Por, publiku kosovar do të dijë cila është zgjidhja për të, pas skandaleve që plasën tani? Duam të dimë kush është fajtori, cili është problemi dhe si do ta zgjidhim atë? Do të mundohem të përgjigjem në këto pyetje duke ju referuar pak asaj që kanë shkruar mediet e pak hulumtimeve në statutet e universiteteve në zë të rajonit si ai i Zagrebit i themeluar në vitin 1669.


Fajtori: Tani, duke u munduar të tingëllojë sa më neutral që të mos e prek asnjërën parti në veçanti, do t’jua shpërndaj fajin të gjitha partive që kanë pasur e kanë pushtet. Kush më shumë e kush më pak, fajin do ta sqarojë më mirë një vështrim historik i dikujt me kokë “të ftohtë”. Kam edhe parasysh që publiku në Kosovë e di mirë fajtorin. Por, unë nuk kam ndërmend të merrem vetëm me partitë se ato siç duket këtë punë “kanë”, të marrin sa më shumë pushtet.

Unë gjithashtu ngre gishtin e fajësisë te të gjithë ata profesorë, profesionistë, shkencëtarë që ua lanë në dorë gjithfarë idioti e debili Universitetin. Po të më kërkohej t’i falja fajtorët, të mosditurit e zhvatësit do t’i falja disi, por ata që quhen “intelektualë” s’ma bënë zemra t’i fal.

Do të pyes ndonjëri me të drejtë, ç’i duhet pushteteve universiteti? E kemi thënë e po e përsërisim prapë, se ky universitet është më i madhi e si rrjedhojë po ta vësh nën direktivat tua me qëllim të përfitimit, bëhet minierë po aq e vlefshme sa Trepça dikur (me siguri kaq e vlefshme është edhe sot).

Pra kemi fajtorin aktiv pushtetin dhe atë pasiv intelektualin e mjerë në Kosovë.

Problemi: Tani duhet të dimë si mbahet nën kontroll universiteti? Keni dëgjuar apo jo për Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës? Nëse po, atëherë ja ku po ua zbuloj për të disatën herë mekanizmin kontrollues që përdor pushteti ndaj Universitetit. Për ta kuptuar më mirë do të më duhet të hedh shpejt e shpejt nja dy tri fjalë për strukturën organizative të universitetit. Unë do ta bëj më të thjeshtë ashtu që cilido lexues, edhe i pa interesuar, ta marrë vesh në ç’mënyrë funksionon Universiteti i Prishtinës.

Universiteti ka Këshillat e Fakulteteve, Senatin, Rektorin dhe Këshillin Drejtues. Këshillat e fakulteteve janë forume ku diskutohet e vendoset për fakultetet. Pra, aq sa ka fakultete ka edhe këshille fakultetesh. Këto merren me propozimin e kurrikulave, anëtarëve të stafit akademik e të tjera gjëra me rëndësi për ato vet, pastaj ato miratohen në instanca më të larta organizative nga sa u përmendën më lart. Senati i një universiteti çfarëdo, është organi më i lartë vendimmarrës siç është kuvendi i një republikeje. Por, dhe kjo “por” ka shumë rëndësi, në Universitetin e Prishtinës nuk ndodh kështu.

Në Universitetin e Prishtinës Senati i ka kompetencat më të larta vendimmarrëse vetëm për çështje akademike, do me thënë, për aprovimin e kurrikulave, aprovimin e propozimeve për anëtarët e stafit akademik, mirëpo jo për çështje të tjera. Këtë e thotë Neni 42 i Universitetit të Prishtinës: “Senati është organi më i lartë akademik i Universitetit të Prishtinës”. Pastaj nenet tjera në vazhdim shpjegojnë me saktësi për çfarë çështjesh akademike është fjala. Me një fjalë, broçkulla burokratike, përsëritje pafund termash që s’thonë ndonjë përmbajtje të rëndësishme.

Ndërkaq, Universiteti i Zagrebit në statutin e tij, Senatin e ka në këtë nivel të detyrës: në nenin 21, pika 1, “determine strategic developmental policies of the University” (përkthim: përcakton politikat zhvillimore të universitetit); pika 2, “determine educational, scientific, artistic and professional policies of the University” (përkthim: përcakton politikat arsimore, shkencore, artistike e profesionale të universitetit); Për të vazhduar pastaj me pikat që përcaktojnë fuqinë e tij në zgjedhjen dhe shkarkimin e rektorit.

Po në Universitetin e Prishtinës, kush është organi më i lartë vendimmarrës, kush e përbënë dhe ç’fuqi ka ai? Sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, fatkeqësisht, fuqitë si organi më i lartë vendimmarrës, ndonëse quhet “qeverisës”, është Këshilli Drejtues: neni 17, pika 1, “Këshilli drejtues i Universitetit (më tej ‘Këshilli drejtues’) është autoriteti kryesor qeverisës i Universiteti”. Po të merrni e t’i shihni në vazhdim kompetencat, ndër to edhe zgjedhjen e rektorit dhe po ta krahasoni me Statutin e Universitetit të Zagrebit, do të shihni se të gjitha kompetencat që në Zagreb i ka Senati, në Prishtinë i ka Këshilli Drejtues.

Kush e përbënë Këshillin Drejtues? Sipas statutit këtë Këshill e përbëjnë katër të dërguar nga ministria dhe pesë nga Universiteti, por në medie mund t’i gjeni artikujt që tregojnë se si të nëntë anëtarët e këtij Këshilli, kanë pasur apo kanë ndonjë lidhje me partinë në pushtet! Pra, Këshilli Drejtues sot, dhe Këshilli Drejtues kurdoherë, është projektuar të jetë dora e cilitdo pushtet për ta mbajtur nën kontroll Universitetin e Prishtinës.

Tani secili do të pyes me të drejtë, po nga e morën këta tanët këtë far lloj këshilli? Epo, “këta tanët”, ndonëse për të ditur nuk dinë ta bëjnë asnjë punë që sjell të mira publike, kur vjen puna te interesi i tyre bëhen shpikës të klasit të parë. Po vazhdojmë të mbesim me Universitetin e Zagrebit. Neni 26, pika 1 e Statutit të Universitetit të Zagrebit: “University Council is an advisory and overseeing body of the University.” (përkthim: Këshilli i Universitetit është një trup këshillues dhe mbikqyrës i universitetit). Pra, në Zagreb Këshilli i Universitetit (pra atje nuk quhet këshilli “drjetues” por këshill “i universitetit”) qenka “këshillues” dhe “mbikqyrës”, pra nuk ka asnjë kompetencë vendimmarrëse apo qeverisëse. Ky trup përbëhet nga 12 veta, 2 nga Kuvendi i Kroacisë, 2 nga Dhoma Kroate e Tregtisë, 1 nga Komuna e Zagrebit, 1 nga Komuna e Varazhdinit dhe 6 senatorë nga Universiteti i Zagrebit. Po pra, këtu janë përzier të gjitha palët me interes, për ta mbikqyrur e këshilluar Universitetin, por ama, jo për ta qeverisur atë.

Zgjidhja: Duhet të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, ta amandamentojë Statutin e Universitetit të Prishtinës, se vetëm Kuvendi e ka këtë të drejtë. Pra, ta amandamentojë Statutin dhe të gjitha kompetencat që ka “Këshilli Drejtues” t’ia kalojë Senatit ashtu siç është në të gjitha universitetet publike në botë. Kësisoj, Universiteti çlirohet dhe fillon të marrë frymë lirshëm e udhë të mbarë.

Prandaj, deputetë të Kosovës, të të gjitha partive, hiqeni Këshillin Drejtues, çlirojeni Universitetin dhe kësisoj do të mbahet mend që emri juaj ka qenë kontribuues në përmirësimin e kësaj shoqërie, nëse asnjëherë tjetër, të paktën këtë herë të vetme!