LAJMI I FUNDIT:

Deputetët Ramës: “Demonstratat të jenë më bindëse”

Deputetët Ramës: “Demonstratat të jenë më bindëse”

Opozita po përgatitet për një tjetër demonstratë në kujtim të viktimave të 21 janarit dhe si vazhdimësi e aksioneve politike për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë.

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar me deputetë të PS-së të qarqeve të ndryshme për të diskutuar mbi detajet e tubimit të planifikuar javën e ardhshme, raportoi të mërkurën e përditshmja Gazeta Shqiptare.

Krahas përgatitjeve për një demonstratën e ardhshme që pritet të zhvillohet më 18 shkurt, Rama u ka kërkuar deputetëve që të tërheqin vëmendjen e strukturave në bazë, për të vijuar me përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit, pavarësisht zhvillimeve në të ardhmen.

Ndërkohë e përditshmja Shekulli raportoi të mërkurën se në takimin që Rama ka zhvilluar me deputetët të qarqeve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit ka pasur mendime të ndryshme në lidhje me datën dhe orën e mbajtjes së demonstratës. Burime të cituara nga Shekulli thanë se një pjesë e deputetëve kanë kërkuar mbajtjen e demonstratës më 18 shkurt, ndërsa të tjera kanë propozuar datën 20 shkurt në ditën e përkujtimit të viktimave të komunizmit.


Deputetët kanë kërkuar gjithashtu që dalja e qytetarëve të mos zgjasë vetëm pak orë, por të jetë më bindëse dhe të zgjasë madje edhe deri në dy apo tre ditë, raportoi Shekulli. /Telegrafi/