LAJMI I FUNDIT:

Deponitë e hekurishteve largohen nga rrugët magjistrale

Deponitë e hekurishteve largohen nga rrugët magjistrale

Të gjitha pikat e grumbullimit të hekurishteve do të largohen nga rrugët magjistrale së paku një kilometër brenda afatit prej 90 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit të nënshkruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo u bë e ditur në një takim që u mbajt të martën në Ministrinë e Mjedisit ndërmjet Inspektoratit të MMPH-së dhe drejtorëve të inspektorateve komunale.

Vendimi është nënshkruar më 19.6.2009 dhe ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, ndërsa brenda tri javëve të ardhshme do të fillojë së zbatuari në teren edhe Udhëzimi Administrativ i cili parasheh gjoba mandatore për ndotësit e mjedisit, u tha në këtë takim.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm, Arben Çitaku në fillim të takimit i njoftoi drejtorët e inspektorateve komunale me këto dokumente dhe kërkoi që bashkëpunimi i ndërsjellët, në zbatimin e përpiktë të këtyre dokumenteve, të mos mungojë për asnjë çast.


“Jemi sot këtu për ti koordinuar punët në mënyrën më të mirë të mundshme për zbatimin në terren të këtyre dokumenteve sepse të gjithë ne e dimë se përveç ndotjes së mjedisit deponitë e tilla, ashtu si janë sot të ndërtuara pa asnjë kriter, japin një pamje mjaft të shëmtuar”, tha Çitaku.

Në takim po ashtu u bisedua dhe u shqyrtua në hollësi edhe zbatimi në teren i UA-së, për ndëshkime me gjoba mandatore për të gjithë ndotësit e mjedisit. /Telegrafi/