LAJMI I FUNDIT:

Dëmtohen muret rrethuese pranë kalasë së Gjirokastrës

Dëmtohen muret rrethuese pranë kalasë së Gjirokastrës

Qe disa ditë janë dëmtuar bordurat rrethuese në rrugën drejt kalasë shekullore, pllakatet janë thyer dhe pjesa dërrmuese e tyre është grabitur. Fenomeni, i evidentuar nga specialistët e shërbimeve pranë bashkisë, është mjaft shqetësues për zonën muzeale, pasi është përsëritur disa herë.

Njëherazi, në kalldrëmin drejt kalasë është shkatërruar edhe rrjeti ndriçues dekorativ, duke lënë këtë zonë pa energji.

Sipas Dasho Sejdos, përgjegjës pranë zyrës së Shërbimeve në bashkinë e qytetit, ky fenomen ndodh në pikun e sezonit, kur turistët vërshojnë në këtë pjesë të qytetit dhe ajo çka gjejnë është një imazh i shëmtuar e madje shpeshherë edhe pa energji, duke i kufizuar lëvizjet në këtë zonë.

“Ne kemi marrë masa duke zëvendësuar ndriçimin, por kjo gjë është e përsëritur dhe po krijon një imazh negativ për qytetarët gjirokastritë. Së fundmi kemi bërë edhe denoncime në polici, pasi mendojmë se më së shumti këto janë akte rrugaçërie”, citon Gazeta Shqiptare fjalët e Sejdos.


Lidhur me shqetësimin e mësipërm, policia e Gjirokastrës ka nisur aktivizimin e patrullimeve 24-orëshe në zonën muzeale. Burime policore bëjnë të ditur se deri tani janë shoqëruar në komisariat pesë persona, kryesisht të rinj. /Telegrafi/