LAJMI I FUNDIT:

Demokraci apo përtaci

Zakonisht njerëzit flasin me shumë emocione dhe pa ndërprerë për diçka kur kanë mungesë për atë. Kështu është me politikanët dhe me funksionarët e shtetit. Në ceremoni dhe kremtime burokratike ato flasin për vlera, flasin për integrime, mbajnë fjalime ku çdo e dyta fjalë përmban integrimin, demokracinë, të drejtat themelore të qytetarëve etj. Të dëgjosh këta “demokratë”, do të thotë të kesh kohë për të humbur sepse veprimet e tyre ndryshojnë në realitet.

Një fjalim i kësaj natyre ishte fjalimi i ministres maqedonase së Kulturës, Elizabeta Kamçevska-Milevska, gjatë festës së pavarësisë së SHBA-ve në mes të Tetovës. Ajo para tetovarëve foli si një heroinë e demokracisë, duke mos kursyer edhe fjalë plot shpresë dhe plot lëvdata për qeverinë aktuale. Të dëgjosh atë fjalim, për një çast mendon se ajo është një Sekretare e Shtetit Amerikan e assesi ministre e kulturës në qeverinë e Maqedonisë.

Pikërisht është kjo ministre, e cila në kabinetin e saj nuk ka asnjë shqiptar, ndërsa ato pak të punësuar që janë në ministrinë që e udhëheq ajo i ka degraduar deri në skaj, kurse ueb-faqja e dikasterit të kulturës ekziston vetëm në gjuhën që ajo flet, pra në gjuhën Maqedonase.


Për të mos ikur nga tema e këtij teksti, nuk ndalem në buxhetin qesharak dhe shkurtimet që u janë bërë institucioneve të cilët kanë drejtorë shqiptarë. Kjo ministre që foli para tetovarëve me aq mendjemadhësi për vlerat e demokracisë amerikane nuk hezitoi të flasë edhe për disa vlera të multietnitetit në shtet. Ndryshe fole e ndryshe dole. S’ka se si të jetë ndryshe e nderuara ministre. Ti flet për vlera demokracie por në postin që mban nuk ke asnjë pikë të përbashkët për atë që flet para popullit. Më pak fjalë se si ndërtohet shteti demokratik u dëgjuan nga vetë ambasadori Rucker sesa nga ministrja Kamçevska dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Vesna Janevska, të cilët dukeshin shumë qesharake me ato rreshta për demokracinë idilike.

Vetë SHBA-të, edhe pas 234 vitesh të së qenit shtet, nuk flasin në atë mënyrë, sepse koncepti i demokracisë dhe lirisë nuk ka fund, kurse këto dy “poetesha”, nuk kursyen asgjë për të treguar se janë ndërtuese dhe kultivuese të demokracisë edhe me atë me një ‘background’ prej 18 vitesh të së pasurit shtet, por edhe atë se çfarë shteti. Të nderuara dy zonja, demokracia që është kultivuar dhe ndërtuar vite me radhë në Amerikë, dallon shumë me qeverinë në të cilën njëra jeni ministre kurse tjetra deputete e shumicës. Ju me vetëdije të plotë harroni se shteti ku jetojmë pas 18 vitesh ekzistence nuk ka arritur të krijojë as edhe një institucion të vetëm, i cili do të ngjante sado pak me ato të vendeve me demokraci të lartë. Ju përmendët vlerat e multikulturës, multietnicitetit, dhe llojllojshmërinë fetare. Ju ndërtoni një Kishë në mes të Shkupit, nuk lejoni ndërtimin e një xhamie. Ju vendosni buste vetëm njënacionale, ju shkurtoni buxhetin vetëm për një pjesë të popullatës, ju vritni dhe ekzekutoni shqiptarë, ju organizoni aksione spektakolare ndaj shqiptarëve, ju mbani në burg 7 vjet banorë të një fshati pa asnjë faj dhe më pas i lironi, ju mbani në burg Ibrahim Sulejmanin nga Tetova, ju mbani në burg banorët e Brodecit. Të nderuara, demokracia e Amerikës për të cilën ju thurët himne në Tetovë, nuk është e kësaj natyre dhe nuk njihet për diskriminime të skajshme të cilët jemi duke i përjetuar në Maqedoni. Shkurt e shqip, qeveria dhe shteti punon kundër së qenit shtet me demokraci të zhvilluar, kurse vetë ata që punojnë kundër llafosin për një shtet të drejtë.

Veprimet e këtilla duhet të merren më seriozisht, sepse përfundimisht këtu gjithçka mund të ketë por jo demokraci. S’di sa herë në mes të Tetovës është përmendur edhe Marrëveshja e Ohrit. Ju lumtë, ndoshta do të duhet që të presim 234 vjet për të kremtuar implementimin e saj. Do ishe mrekulli e paparë për atë kohë, shënohet 468 vjetori i pavarësisë së SHBA-ve dhe 234 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit. Festë e dyfishtë, shumë keq që s’do të arrijmë ta shijojmë këtë përvjetor. Ndoshta nuk kërkojmë ndonjë model të jashtëzakonshëm dhe perfekt, por megjithatë të kultivohet një model i demokracisë i cili më shumë do të jetë i prirë për të respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut e jo i prirë për të diskriminuar.

Demokracia në këtë shtet përtac nuk ka vend sepse vetë përtacët udhëheqin institucione, udhëheqin shtetin, qeverinë, shkollimin, policinë, kulturën etj. Për atë flitet e përflitet në shumë solemnitete e ceremoni vetëm nga ana e atyre që kanë mungesë të saj dhe ata që e ngufatin demokracinë.