LAJMI I FUNDIT:

Dautaj drejt Zvicrës, Ahmeti në Belgjikë

Dautaj drejt Zvicrës, Ahmeti në Belgjikë

Shfaqet një ‘dritare evropiane’ për Qëndrim Dautajn e Berat Ahmetin. Talentët kosovar mund të provohen në janar të vitit të ardhshëm në kampionatin zviceran dhe atë belg. Dautaj i Ferizajt ka gjasa maksimale që të shkoj te skuadra zvicerane Biel Bienne, e cila garon në ‘Challenge League’ (kategoria e dytë). Përfaqësuesi i futbollistit, Gazmend Hasani deklaroi për gazetën Arena se është optimist për sigurimin e provave atje.

“Qëndrimi është një futbollist shumë kualitativ. Jam duke u munduar maksimalisht që t’ia siguroj provat te skuadra zvicerane Biel Biene. Deri më tani nuk ka asgjë të sigurt, por kam shpresa të mëdha që do t’ia dalim”, u shpreh Hasani.

Përpos Dautajt, në skenën evropiane ai po tenton që ta qesë edhe mesfushorin e Prishtinës, Berat Ahmeti. Ky i fundit me gjasë do të provohet në elitën e futbollit belg, te Waasland Beveren.

“Ndër futbollistët që po provoj ta marrë këtej është edhe Berat Ahmeti. Për të jemi në bisedime me Waasland Beveren dhe shpresoj që së shpejti do të definohen gjërat. Përgjithësisht, jam i interesuar që t’iu siguroj provat nëpër klube evropiane sa më shumë futbollistëve kosovar, pasi që ne kemi talentë të mëdhenj”, vazhdoi Hasani, i cili është trajner i grupmoshave të reja në skuadrën belge, Sint-Niklaas dhe menaxher personal i sulmuesit të Ferizajt, Astrit Fazliut. /Tribuna/Telegrafi/