LAJMI I FUNDIT:

DASH: Shqipëria përparon në luftën kundër drogës

DASH: Shqipëria përparon në luftën kundër drogës

Departamenti i Shtetit botoi raportin vjetor për luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Raporti thotë se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër drogës gjatë vitit 2010.

Qeveria e Shqipërisë, thekson raporti, u përpoq gjatë vitit të kaluar të konfrontonte elementët kriminalë në luftën kundër këtij problemi. Megjithë përparimin, problemi i narkotikëve vazhdon të jetë një sfidë e mprehtë dhe prezentë në Shqipëri, një vend që kryesisht shërben për transitin e drogës nga Azia për në tregun evropiano-perëndimor.

Në analizën e tij, Departamenti i Shtetit veçon si probleme kryesore kontrollin e dobët në portet detare në Adriatik, të metat në kontrollin e kufirit tokësor, masat e autoriteteve kundër drogës kryesisht si rezultat i mungesës së fondeve dhe menaxhimit të dobët, por edhe si rezultat i korrupsionit që ekziston në radhët e punonjësve të rendit, raportoi Zëri i Amerikës.

Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se kontrabanda e drogës mbetet një ndër aktivitetet më fitim-prurës në Shqipëri. Vendndodhja strategjike e Shqipërisë dhe problemet në kontrollin dhe parandalimin e problemit e bëjnë këtë një vend tërheqës në transitin e drogës drejt Evropës. Shqipëria, thuhet në raport shërben si një vend transit i heroinës afgane dhe si vend burim i marihuanës kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë.


Raporti vlerëson përpjekjet e vitit të kaluar për t’iu përgjigjur problemit me politika më agresive. Si rezultat i këtyre politikave, një pjesë e mirë e kontrabandës që bëhej përmes Adriatikut ka kaluar tani në rrugë tokësore përmes Kosovës dhe Malit të Zi e mëtej përtej Serbisë.

Një problem i ri që konstaton raporti është se trafikantët shqiptarë duket se po marrin një rol gjithnjë e më të madh në financimin dhe shpërndarjen e heroinës jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Ballkanin verior dhe Evropën Perëndimore.

Përveç transitit, Shqipëria ka vazhduar të shërbejë edhe vitin e kaluar si prodhuese e bimës kanabis, kryesisht në zonat e largëta malore për tregjet evropiane. Kultivimi i kësaj bime ra ndjeshëm me intensifikimin e përpjekjeve të forcave të rendit si kundër trafikantëve, ashtu edhe kundër prodhuesve.

Me përjashtim të kanabis sativas, prodhimi i llojeve të tjera të narkotikëve është i kufizuar. Gjatë vitit 2010 nuk është konstatuar kultivim i lulëkuqeve të heroinës dhe nuk janë zbuluar laboratorë të prodhimit të lëndëve sintetike narkotike. Departamenti i Shtetit vlerëson faktin që qeveria e Shqipërisë ka rritur nivelin e përparësisë të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës duke u dhënë forcave të rendit një rol më të madh në operacionet anti-drogë.

Raporti nënvizon se karakteri fraksional i politikës në Shqipëri dhe niveli i ulët i aktivitetit të shoqërisë civile janë ndër pengesat për një përparim më të madh. Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se forcimi i institucioneve qeveritare dhe masave të forcave të rendit ka dhënë efekte pozitive, por përparimi ka qenë i ngadaltë. /Telegrafi/