LAJMI I FUNDIT:

Dardani rrëmben magjinë e derbit

Dardani rrëmben magjinë e derbit

Një super-paraqitje e Dardan Berishës i ka siguruar Sigal Prishtinës vendin e parë në Ligën Ballkanike, pasi sonte shënoi fitore ndaj Pejës me rezultat, 65-80.

Palestra “Karagaçi” ishte mbushur si kurrë më parë me rreth 3000 shikues, ndërsa nuk mungoi asnjëherë përkrahja konstante e Shqiponjave të Pejës.

Çereku i parë filloi me një ritëm të shpejtë të të dyja palëve, teksa Teo Simovic dhe Dardan Berisha dalloheshin për skuadrat përkatëse. Edhe pse më shumë ishte lojë nervash, më efikas u treguan bardhekaltërit të cilët u shkëputën në rezultat dhe e mbyllën çerekun me tre pikë epërsi, 14-17.

Çerekun e dytë bardhekaltërit e nisën shumë më mirë me një ofensivë të shpejtë duke i zënë në gjumë pejanët, të cilën luanin pa ide. Dardan Berisha edhe një herë dëshmoi pse është lojtari më i mirë kosovar me trepikëshat e tij që godisnin sikur raketa nga largësia. E këtij të fundit iu bashkëngjit edhe Edmond Azemi me dy shënime të njëpasnjëshme për ta mbyllur pjesën e parë me 13 pikë epërsi, 26-39.


Sigal Prishtina nuk e ndali hovin e saj as në çerekun e tretë teksa në një moment të lojës arritën ta çojnë epërsinë deri në 21 pikë, mirëpo në skenë u shfaq Super-Samiri i cili me një depërtim dhe një trepikësh i riktheu shpresat të pranishmëve në palestër dhe lojtarëve të tij ua ngriti moralin. Pejanët për dy minuta u kthyen furishëm në lojë dhe e zvogëluan disavantazhin deri në 12 pikë, por këmbët ua preu Dardan Berisha me një trepikësh dhe Kendrick Jones me një depërtim për të shkuar në çerekun e katërt me 15 pikë epërsi në të mirë të tyre.

Në çerekun e katërt Peja veçse ishte dorëzuar dhe e kuptoi se nuk mund të bënte ndonjë mrekulli për ta rikthyer rezultatin në anën e tyre, ndërsa Berisha në anën tjetër vazhdoi me paraqitjen e tij të magjishme, me të cilën fitoi edhe duartrokitjet e tifozëve të pranishëm në sallë. Epo, në fund të fundit ai është krenaria e Pejës, dhe të gjithë duhet të krenohen me të. Ndeshja u përmbyll me 15 pikë epërsi, 65-80.

Me këtë fitore, Sigal Prishtina ka marrë kreun e Ligës Ballkanike me 21 pikë, po aq sa ka edhe Levski në pozitën e dytë. Ndërsa, Peja ngritët në pozitën e gjashtë me 19 pikë.

Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës:
1 Dardan Berisha 31 pikë
2 Antabia Waller 16 pikë
3 Edmond Azemi 15 pikë
4 Kendrick Jones 8 pikë

Koshashënuesit më të mirë të Pejës:
1 Samir Shaptahu 19 pikë
2 Teo Simovic 15 pikë
3 George Odufuwa 14 pikë
4 Frederick House 7 pikë

/Telegrafi/