LAJMI I FUNDIT:

COVID-19 shkaktoi 143 viktima në javën e parë të marsit në Shqipëri

COVID-19 shkaktoi 143 viktima në javën e parë të marsit në Shqipëri

Njëzetenjë pacientë të tjerë me COVID-19 humbën jetën 24 orët e fundit në Shqipëri duke e mbyllur javën e parë të muajit marse me një bilanc tragjik prej 143 viktimash.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të dielën se viktimat ishin të moshave 35-84 vjeç nga Tirana (7), Durrësi (3), Lushnja (3), Elbasani (2), Vlora, Fieri, Kurbini, Librazhi, Saranda dhe Kavaja.

Tashmë totali i personave që kanë humbur jetën nga COVID-19 në Shqipëri është 1,939 persona – më 28 shkurt raportoheshin total 1,796 viktima.


Prirja shqetësuese e rritjes së numrit të viktimave është vënë re prej javës së fundit të muajit shkurt. Data 23 shkurt rezulton e fundit që është raportuar më pak viktima nga kjo prirje – 15 viktima. Prej asaj date e deri më sot, në Shqipëri janë raportuar 243 të vdekur nga COVID-19 me një mesatare prej 20 viktimash çdo ditë.

Situata pritet të përkeqësohet duke marrë shkas nga numri i lartë i infektimeve në periudhën janar-shkurt dhe rritjen e numrit të të shtruarve në spitale.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale janë të shtruar 647 pacientë, 31 prej të cilëve janë në terapi intensive – nga këta 8 pacientë janë të intubuar.

Muaji shkurt, që rezultoi më tragjiku për sa i përket statistikave të pandemisë në Shqipëri, numëroi 416 viktima. Nëse muaji mars vijon me mesataren aktuale, në fund mund të ketë rreth 620 viktima.

Për sa i përket rasteve të reja, të shëruarve dhe vaksinave, ministria tha se pas 3,372 testesh kishin rezultuar pozitivë 819 persona – pozitiviteti 24.2%, përqindje që mbetet e lartë – ndërkohë që 838 të tjerë u shëruan.

Në total, prej 9 marsit 2020, në Shqipëri janë diagnostikuar 112,897 raste, prej së cilave 66.6% janë mundur të shërohen (75,190 raste), 31.6% mbeten ende me mbartje të virusit (35,768 raste) ndërsa 1.7% (1,939 raste) janë mbyllur me pasojë vdekjen.

Prej 11 janarit autoritetet shëndetësore kanë nisur programin e vaksinimit anti-COVID, prej së cilit në total janë kryer 19,663 vaksinime – 306 gjatë 24 orëve të fundit.