LAJMI I FUNDIT:

“Çifti Martin” në Festivalin Ndërkombëtar “Incontri Teatrali”

“Çifti Martin” në Festivalin Ndërkombëtar “Incontri Teatrali”

Për herë të parë në historinë e tij mbi 60 vjeçare, Teatri Kombëtar i Kosovës do të marrë pjesë në një festival me karakter ndërkombëtar në një vend të Evropës Perëndimore.

Të mërkurën, më 16 prill, ansambli i këtij teatri do të udhëtojë drejt Zvicrës, ku me shfaqjen “Çifti Martin” të regjisorit Bekim Lumi do të marrë pjesë në edicion e 5-të të Festivalit Ndërkombëtar “Incontri Teatrali”, i cili prej 17-20 prill mbahet në Lugano.

Shfaqja “Çifti Martin” do të paraqitet të shtunën, më 18 prill, në orën 21:00, në skenën e Teatrit “Nuovostudiofoce”.

Përndryshe, shfaqja “Çifti Martin”, sipas tekstit të Eugene Ionesco-s dhe me regji të Bekim Lumit, është realizuar në nëntor të vitit 2008. Në të luajnë aktorët Astrit Kabashi e Gresa Pallaska, ndërkaq në harmonikë performon Agon Xharra.


Kjo shfaqje, e cila është mirëpritur nga publiku dhe nga kritika teatrore vendore, është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi një skenë të vetme (me një tekst prej tri faqesh) të antikomedisë “Këngëtarja tullace” të Eugene Ionesco-s.

Ajo, si e tillë, me formatin e saj interpretativ dhe regjisorial, është konceptuar dhe realizuar në formën e një burleske teatrore me elemente të mjuziklit, e cila, me ekspresivitetin e saj skenik, emotiv dhe artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe, njëkohësisht, të qajë me lot ironie, pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi.

Festivali “Incontri Teatrali” është një nga festivalet e njohura të skenës teatrore evropiane dhe, si i tillë, konsiderohet si një hapësirë e veçantë artistike prezantuese për shfaqjet me prirje eksperimentale dhe inovative në fushën e teatrit.

Në edicionin e këtij viti në këtë festival do të marrin pjesë 21 shfaqje të produksioneve të ndryshme teatrore nga Zvicra, Italia, Kosova, Holanda dhe Belgjika.

Festivali ka karakter prezantues dhe, si i tillë, u dedikohet ekskluzivisht organizatorëve dhe menaxherëve të festivaleve të ndryshme teatrore.

Para një viti në “Incontri Teatrali” është prezantuar shfaqja “Mësimi” e regjisorit Bekim Lumi, e cila, si rezultat i pjesëmarrjes në këtë festival, ishte piketuar dhe blerë nga dy teatro italiane në Lecce dhe në Napoli. /Telegrafi/