LAJMI I FUNDIT:

Çeku: Nuk e konsideroj veten pjesë të pushtetit

Çeku: Nuk e konsideroj veten pjesë të pushtetit

Ish-kryeministri kosovar, Agim Çeku i cili këto ditë ka marrë drejtimin e Partisë Social Demokrate, në një intervistë për BBC ka thënë se, tani që Kosova është shpallur shtet i pavarur, para nesh është një luftë e re për ta ndërtuar një Kosovë evropiane. Edhe pse PSDK-ja pati hyrë në koalicion me PDK-në, Çeku ka shpjeguar se nuk e konsideron veten pjesë të pushtetit.

“Para nesh është një luftë e re për ta ndërtuar një Kosovë evropiane dhe për t’i zgjidhur shumë sfida të mëdha. Sfida e parë është integrimi i Kosovës, pra integrimi i veriut në sistemin kushtetues juridik të Kosovës, integrimi i pakicave, unifikimi i Kosovës, konsolidimi institucional, konsolidimi i demokracisë dhe mbi të gjitha zhvillimi ekonomik”, ka thënë Çeku.

Mu për arsye që kemi shumë punë, kemi shumë sfida, sipas Çekut, kjo është arsyeja kryesore pse ai angazhohem në politikë – “që të ndihmoj dhe të kontribuoj në ballafaqim me këto sfida”.

Ish-kryeministri kosovar po ashtu është shprehur se tanimë pasi Kosova është e pavarur, ka përfunduar koha e temave të vjetra, politikave të vjetra dhe tani është koha për një qasje të re, për një fillim të ri, për një përkushtim të ri.


“Tani mendoj që është koha që votuesit të përcaktohen në bazë të programeve dhe besoj se programi i PSDK-së është më i afërt me nevojat e qytetarëve”, ka thënë Çeku.

I pyetur për faktin se Partia Social Demokrate e Kosovës para zgjedhjeve ka bërë koalicion me Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe nëse ai e konsideron veten tash si pjesë të pushtetit – Çeku ka thënë: “Jo assesi nuk e konsideroj, tani PSDK ka një udhëheqësi të re, nuk jemi pjesë e qeverisë, ne e kemi një deputet në Parlament dhe ajo deputete do t’i mbetet besnik marrëveshjes përderisa edhe Partia Demokratike t’i mbetet besnike po asaj marrëveshje”.

“Thjesht është një deputete, është një zë dhe ajo do të votojë, do të veprojë sipas bindjeve të saj politike, kështu që nuk e konsideroj veten që jam pjesë e pushtetit. Tani ne si parti jemi në formim e sipër, nuk jemi as pozitë, as opozitë, por do të jemi një forcë pozitive, konstruktive e cila do të përpiqet të ndërtojë raporte të partneritetit me të gjitha forcat tjera politike”, ka thënë ai. /Telegrafi/