LAJMI I FUNDIT:

Burgoset për vonesën e kthimit të librave në bibliotekë

Burgoset për vonesën e kthimit të librave në bibliotekë

Një grua amerikane ka përfunduar për gjashtë ditë në burg, për shkak të vonesës së shkaktuar në kthimin e librave në bibliotekë. Keely Givhan, nga Beloit, Wisconsin, është ndaluar nga policia e trafikut sepse drita e targave të automjetit të saj nuk po funksiononte.

Kur zyrtarët policorë filluan të kryejnë kontrollin e rëndomtë, ata gjetën se asaj i ishte lëshuar një urdhër-arrest, pasi që kishte dështuar të paraqitej në gjykatë për shkak se nuk kishte kthyer librat në bibliotekën e qytetit.

Givhan, e cila ka ndërruar shumë shtëpi gjatë kohës kur ishte lëshuar urdhër-arresti, ka thënë se ajo nuk e kishte pranuar asnjëherë vërejtjen për librat nga biblioteka, raporton gazeta lokale Daily News.

Kjo nënkuptonte se ajo nuk kishte parë asnjërën nga tri vërejtjet për vonesë, apo edhe ftesën e gjyqit i cili e kishte dënuar atë me 215 dollarë amerikanë.


"U ndalova nga policia pasi që nuk më funksiononte drita e targave të prapme", ka thënë Givhan, e cila është një nënë dhe studente. "Kur më ndaluan policët, ata më dërguan drejt e në burgun Rock County".

Gjatë asaj kohe, as ajo e as anëtarët e familjes së saj nuk kishin para për të paguar dënimin e saj, kështu që ajo mbeti në këtë burg për gjashtë ditë rresht.

Kapiteni i policisë së qytetit të Beloit, Bill Tyler, ka thënë se – një dënim komunal megjithatë është dënim komunal.