LAJMI I FUNDIT:

Bukuria e frikës dhe trishtimit

Bukuria e frikës dhe trishtimit
Ragip Sylaj dhe Halil Matoshi

Nga: Halil Matoshi

I veçantë si njeri dhe si poet, veten e kish lidhë në thelb me letërsinë e tij.

Ni shkrimje e qenies me tuebâmësinë.


Estet i shëmtisë së botës, Sylaj, ky elegjiak, mësynte përsosmëninë e vargut, shkallëve të heshtjes.

Poezia e tij nuk âsht protestë e ni t’rebeluemi ndaj botës, po âsht protestë përmes bukurisë së heshtun, ndaj zhurmënisë e shfaqjes me bujë, si mënyrë jetese.

E zgjidha poezinë “Ujku” për arsye të metaforizmit të fortë, që na vijnë sa të befasishme aq edhe si gjetje brilante. si p.sh. frika nga ujku në ne – frika e dy vetave, nga pushkë e vjetër!?
Kafsha ka kujtesë, por asnjë kujtim dhe njeriu në gjendje padallimi me kafshën i bën të dukshme kujtimet. Në epokën që e konceptojmë si postmoderne, kemi të bëjmë me padallimin ose fshirjen e kufirit mes animales dhe humanes, duke i vënë në hapësira për jetë të zhveshun.

Njeriu pra është mbetje dhe në atë mbetje, shquhet dicka hyjnore, mërzia e tij si gjendje e lumtunisë në gjendje të kullueme. Vetëm kjo e dallon hyjnoren tek-njeriu.

Autori tek poezia “Ujku” thotë: Edhe kur je brenda nesh / Edhe kur je jashtë nesh / Na frikëson

Në ciklin poetik “Kopshti Zoologjik”, posaqerisht tek poezia “Ujku”, autori përmes fabulës ezopiane i jep gjuhë të nemitunës – tu e vjelë urtinë popullore të shekujve, me ia komuniku lexuesit modern. Në këtë poezi verbi poetik merr përmasat sentenciale dhe zbulon enigmat, ose ato që do të na i përplasin për fytyre neve, qenieve njerëzore, po flisnin kafshët; hipokrizinë, ligësinë, brutalitetin, servilizmin, injorancën, pabesinë, tradhtinë…

Po në këtë poezi kafshët vërtet flasin dhe ne i dëgjojmë dhe këtë na e bën të mundshme gjuha poetike.

Për babën e psikanalizës, Sigmund Freud qëllimi i poezisë është përvojë, në thelb e pathënshme: e bukura vepron me diç që është e pathënshme, e papërshkrueshme, e parrëfyeshme… Por, nëse dojmë me e bâ të njëjtin veprim me ndihmën e gjânave të thânshme, përmes gjuhës, apo nëse ndjejmë se përdorimi i gjuhës prodhon të njâjtën gjâ, do të thotë se tashti gjuha përdoret për atë që me e krijue të nemitunën, që gjuha shpreh nemitjen.

Prandej, konsideroj se kjo poezi i jep zâ ni kafshe fiktive, jo ni të tille në kopsht zoologjik që nuk âsht e tâna, po as ni kafshe në habitatin e saj natyror.

Intenca me kriju “kafshën që flet” âsht përpjekje që me e rujtë kafshën në gjuhë, siç thotë Philip Larkin, impulsi për ‘me rujtë’ qëndron si qëllim i fundëm në të gjitha artet.

Deleuze dhe Guattari e mbrojnë qëndrimin se arti ruen, madje në botë arti âsht e vetmja gjâ që ruhet.

P.S. Poeti Ragip Sylaj u nda nga jeta më 30 korrik, 2018. Ishte gazetar. M’ka ra me punu dy herë me të, spari në gazetën e studentave “Bota e re”, 1984-1986 dhe në Zëri, 2000-2004.

***

UJKU

Nga: Ragip Sylaj

Vetëm pse je ujk je Ujk

Të dua pse gjuan larg
E nuk e ha mutin aty ku e ha bukën

Edhe kur je brenda nesh
Edhe kur je jashtë nesh
Na frikëson

Si pushka e keqe që i tutë dy vetë

Vaj për ligësinë tonë
kur zgjohesh në ne

Edhe kur e ndërron qimen je ai i vjetri

Frika jonë hungëron
Në mal e asfalt