LAJMI I FUNDIT:

Brenda marsit akreditimi i universiteteve

Brenda marsit akreditimi i universiteteve

Brenda muajit mars do të akreditohen të gjitha universitetet në bazë të cilësisë. Deklarata u bë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i pranishëm në seminarin rajonal Tempus i financuar nga Bashkimi Evropian, ku është diskutuar mbi cilësinë e universiteteve.

“Miratimi i standardeve të reja të cilësisë në arsimin e lartë do të shërbejë për vlerësimin dhe akreditimin institucional të programeve në universitete”, tha Tafaj, i cili shtoi se do të bashkëpunohet me ekspertë dhe agjenci të huaja për akreditimin dhe vlerësimin e universiteteve private.

Duke vlerësuar arritjet në fushën e arsimit të lartë, kreu i MASH tha se vetëm këtë vit akademik shkollat e larta publike kanë ofruar 37.600 vende studimi për studentë të rinj në të tre ciklet e studimeve (bachelor, master dhe doktoratë) dhe rreth 4.000 studentë të rinj janë pranuar në shkollat e larta private.

"Investimi në arsim është përcaktues për dinamikën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë në këtë shekull, ku shanset e zhvillimit të çdo vendi përcaktohen se sa shpejtë do të arrijë të bëhet vend i ekonomisë dhe shoqërisë së mbështetur në dije", tha Tafaj. /Telegrafi/