LAJMI I FUNDIT:

Bota në vitin 2024, përmes fjalëve

Bota në vitin 2024, përmes fjalëve
Ilustrim (FT)

Përgatitur nga: The Financial Times (shkrimet nga rubrika: Year in a Word)
Përkthimi: Telegrafi.com

Fashizmi [Fascism]


Nga: Gideon Rachman

(fascism – emër) një ideologji politike – dikur e menduar si e vdekur – që duket se po përjeton një ringjallje globale

Zgjedhjet e vitit 2024 në ShBA ishin të pazakonta, sepse përfshinin një debat të zjarrtë nëse njëri prej kandidatëve ishte fashist. Gjenerali John Kelly, ish-shefi i stafit të Trump gjatë mandatit të tij të parë, ndezi debatin duke thënë se ish-shefi i tij përputhej me një përkufizim të fashizmit të marrë nga një fjalor që ai kishte gjetur në internet: “Një ideologji politike e ekstremit të djathtë, autoritare, ultranacionaliste … që karakterizohet nga një lider diktatorial, një autokraci e centralizuar, militarizmi, shtypja e dhunshme e opozitës dhe besimi në një hierarki sociale natyrore”.

Fushata e Trumpit iu përgjigj kësaj akuze duke thënë se Kelly “e kishte bërë veten qesharak” dhe përsëriti akuzat e rreme. Disa nga mbrojtësit më të sofistikuar të Trumpit argumentuan se akuza ishte e papërshtatshme, sepse Trumpit nuk është militarist. Në fakt, ai zhvilloi fushatë si një kandidat pro paqes, duke premtuar t’i jepte fund “luftërave të përhershme.”

Megjithatë, fushata e Kamala Harrisit e shfrytëzoi akuzën e Kellyt. Demokratët besonin qartazi se amerikanët me siguri do të refuzonin çdo kandidat të ndotur nga fashizmi. Por, ata mund të kenë mbivlerësuar njohuritë historike të votuesit mesatar. Gazetarët në terren raportuan se shumica e votuesve e lidhnin fashizmin me Hitlerin – dhe Hitlerin me Holokaustin. Meqenëse askush nuk besonte se Trumpi planifikonte të ndërtonte një Aushvic amerikan, ishte relativisht e lehtë për Partinë Republikane të hidhte poshtë akuzat për fashizëm si një histeri liberale.

Megjithatë, studiuesit historisë së viteve ‘30 të shekullit XX besojnë se Trumpo dhe disa liderë të tjerë botërorë – si Vladimir Putin dhe Xi Jinping – po ringjallin aspekte të traditës fashiste. Ultracionalizmi, kulti i liderit dhe përçmimi për vlerat liberale po rikthehen në modë në mbarë botën – jo vetëm në Amerikë.

Konkurrueshmëria [Competitiveness]

(competitiveness – emër) dëshirë e fortë për të qenë më i suksesshëm se të tjerët; cilësia e të qenit po aq i mirë ose më i mirë se të tjerët.

Nga: Henry Foy

Që nga viti 2000, ngecja ekonomike e Evropës “është parë si një shqetësim, por jo si një katastrofë”, shkroi Mario Draghi në një raport mbi konkurrueshmërinë e BE-së të publikuar në shtator. Jo më. Argumenti i ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane – i paraqitur në 393 faqe – se situata ishte vërtet katastrofike, u bë një alarm i fuqishëm për ndryshim.

Ndërsa Ursula von der Leyen filloi pesë vjetët e tjera në krye të Komisionit Evropian, rritja e konkurrueshmërisë është fija që përshkon propozimet kryesore të politikave të saj. Është fjala kyçe në buzët e çdo burokrati evropian, teksa ata shqetësohen për të ardhmen e pasigurt të bllokut në një botë të luftërave tregtare dhe garave për dominimin e inteligjencës artificiale dhe energjisë së gjelbër.

Ka një mori metrike për të matur ngecjen e Evropës. Të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur pothuajse dyfish më shumë në ShBA sesa në BE që nga viti 2000. Vetëm katër nga 50 kompanitë më të mëdha teknologjike në botë janë evropiane. Nivelet e investimeve mbeten pas ShBA-së.

Draghi ofron zgjidhje: të rriten investimet me një shifër marramendëse prej 800 miliardë eurosh në vit; të hiqen pengesat që parandalojnë kompanitë evropiane të telekomunikacionit ose të industrisë së mbrojtjes që të konkurrojnë globalisht; dhe, të detyrohet krijimi i një tregu të vetëm kapitali evropian.

Von der Leyen e di se – pavarësisht pretendimit se drejton tregun e vetëm më të madh në botë – fragmentimi kombëtar që gjithashtu shqetëson BE-në, shumë zgjidhje të dukshme i bën më të vështira.

Një sërë propozimesh për politika industriale të hartuara nga komisioni i saj, do të mbërrijnë në pranverë në tryezat e liderëve të BE-së. Të gjitha ato do të përmbajnë ide të diskutuara prej kohësh, por të refuzuara më parë – këtë herë me një lutje të re për ndryshim në emër të konkurrueshmërisë.

“Bëjeni këtë, ose përndryshe do të ketë agoni të ngadaltë”, paralajmëroi Draghi. E ardhmja ekonomike e Evropës mund të varet pikërisht nga fakti nëse perspektiva aktualisht e zymtë bind kryeqytetet e bllokut se zgjidhjet e shpejta kolektive nuk janë vetëm të arsyeshme, por të domosdoshme.

Grinlesh [Greenlash]

(greenlash – emër i përbërë) reagimi i ashpër kundër politikave mjedisore

Nga: Pilita Clark

Dukej sikur epoka e politikave të gjelbra po hynte në një marsh të plotë. Nëse nuk do të ishte ShBA-ja ajo që miratoi ligjin më të madh klimatik në historinë e saj, atëherë ishte BE-ja me legjislacionin për taksën e parë të madhe të kufirit të karbonit, ose Mbretëria e Bashkuar që premtoi t’i jepte fund shitjes së makinave të reja me benzinë dhe naftë deri në vitin 2030.

Përparimi i politikave mjedisore ishte veçanërisht i dukshëm në Evropë. Deri në vitin 2022, prodhimi i energjisë së rinovueshme në BE ishte rritur aq shumë sa që dielli dhe era tejkaluan gazin për herë të parë. Emisionet e karbonit në BE ranë me tetë për qind në vitin 2023 – rënia më e madhe vjetore në dekada, me përjashtim të vitit 2020.

Por, ndërsa këto premtime për klimën po bëheshin realitet, inflacioni nxiti shqetësime për koston e jetesës. Partitë populiste, skeptike ndaj objektivave “net zero”, shfrytëzuan këto shqetësime për të denoncuar politikat e gjelbra si një komplot të shtrenjtë dhe elitist kundër njerëzve të zakonshëm.

Ndërsa viti 2023 i lëshoi vendin 2024-ës, marshi i gjelbër filloi të lëkundej. Kompanitë nisën të tërhiqeshin nga objektivat e tyre mjedisore. Gjermania zbuti një ligj të debatueshëm për pompat e nxehtësisë, i cili kishte ndihmuar të shtynte shifrat e sondazheve të partisë së ekstremit të djathtë AfD me mbi 20 për qind. Brukseli braktisi një plan për të përgjysmuar përdorimin e pesticideve. Në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor, partitë e gjelbra pësuan humbje të rënda.

Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria konservatore shtyu ndalimin e makinave të reja me benzinë dhe naftë deri në vitin 2035. Megjithatë, kjo nuk i shpëtoi konservatorët nga një humbje e rëndë zgjedhore, përballë Partisë Laburiste e cila premtoi të rikthente objektivin e vitit 2030 dhe qëndroi e përkushtuar ndaj një agjende ambicioze të dekarbonizimit.

Kjo është një kujtesë se reagimi ndaj politikave mjedisore [greenlash] i ka kufijtë e vet, ashtu si edhe përparimi i madh i Kinës drejt dominimit në energjinë e gjelbër. Por, me një administratë të ardhshme Trump që pritet të kthejë prapa politikat klimatike dhe me populizmin që nuk shfaq shenja të zbutjes në Evropë, është e qartë se politika e tensionuar e gjelbër mbetet ende pa një përfundim të qartë.

Lazdrimllëku [Brat]

(brat – emër dhe mbiemër) Një fenomen kulturor i frymëzuar nga muzika e Charli xcx-it, që nënkupton një qëndrim indiferent dhe një stil jetese hedoniste

Nga: Srinidhi Balakrishnan

Çfarë e lidhte garën e këtij viti për postin më të fuqishëm në botë me një nxitje eksituese pranë autostradës M25 në Mbretërinë e Bashkuar? Në vitin 2024 – dhe ndoshta vetëm më 2024 – të dyja u ndërthurën ngushtë, të shënuara në mënyrë të pashlyeshme nga lazdrimllëku [brat].

Pyetja për ata mbi moshën 25 vjeç: Çfarë është saktësisht brat? Fillimisht, është titulli i albumit të gjashtë të Charli xcx-it, i nominuar për çmimin Grammy, i publikuar në qershor. Por, ta kufizosh termin në 15 këngë me tinguj sintetik dhe bas pulsues që të nxisin të çlirosh nga vetja “vajzën e ahengjeve” [365 party girl], kjo do të ishte një padrejtësi.

Sipas yllit britanik të pop-it, fjala është për “një atmosferë disponimi”. Në vitin e një zgjedhjeje presidenciale amerikane, të bazuar në atmosferë, ofroi një shkëlqim të papritur shprese për Amerikën e kaltër: miratimi i fuqishëm i Charlit për Kamala Harrisin me cicërimën “kamala është brat”, i dha përkohësisht frymë një fushate të vështirë të demokratëve. Përdorimi entuziast i kopertinës së gjelbër të ndezur të albumit dhe i tingujve agresivë të hiperpopit, ndërthurur me fraza që mbahen mend në videot 10-sekondëshe në TikTok, premtoi të bëhej një thirrje bashkimi për Brezin Z. Për një moment, dukej sikur Harris ishte në mes të një vere të lazdrimllëkut, duke shijuar disa muaj të mbushur me vetëbesim dhe energji të lartë. Fatkeqësisht, në nëntor, atmosfera nuk u përkthye në vota.

Suksesi i jashtëzakonshëm i albumit dhe estetika që e shoqëron mund të paralajmërojnë kthimin e popit të recesionit, të muzikës dens nga dekada e parë dhe e dytë e shekullit XXI, e karakterizuar nga optimizmi i palëkundur përballë vështirësive financiare (siç thotë kënga e Pitbull dhe Ne-Yo e vitit 2014: “Këto janë 20 dollarët e fundit që kam, por sonte do të kalojë mirë”). Përballë krizës së kostos së jetesës, termi është ilaçi i Brezit Z për patologjitë e shoqërisë.

Kush i kushton rëndësi borxhit të rritur të studentëve dhe tregut të pamëshirshëm të punës kur, sipas termit brat, gjithçka që të duhet për t’u argëtuar është “një pako cigaresh, një shkrepëse Bic dhe një fanellë e bardhë me rripa”?

Lufta në Lindjen e Mesme [War in the Middle East]

(War – emër) luftë e armatosur midis vendeve ose grupeve

Nga: Andrew England

Në Lindjen e Mesme, viti 2024 do të mbahet mend si një nga vitet më shkatërrimtare në historinë moderne. Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e veta. Një numër i paimagjinueshëm jetësh është shkatërruar.

Masakra filloi në fund të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, ku militantët palestinezë vranë rreth 1 200 njerëz dhe morën 250 pengje. Që atëherë, armët rrallë kanë heshtur.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë të fuqishme në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, duke vrarë mbi 44 mijë njerëz dhe duke e kthyer këtë territor të rrethuar në një tokë të shkretuar.

Pas 7 tetorit, lëvizja militante Hizbollah filloi të sulmonte Izraelin, duke u solidarizuar me Hamasin, duke hapur kështu një front të ri në kufirin izraelito-libanez. Militantët aleatë të mbështetur nga Irani, përfshirë rebelët nga grupi Huti në Jemen dhe milicitë shiite në Irak dhe Siri, gjithashtu lëshuan raketa, predha dhe dronë drejt Izraelit. Ndërkohë, forcat izraelite dhe kolonët hebrenj intensifikuan sulmet dhe bastisjet në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ndërsa konflikti vazhdonte të përshkallëzohej, Irani dhe Izraeli shkëmbyen zjarr direkt për herë të parë në prill. Ata e përsëritën këtë akt në tetor, me intensitet më të madh.

Një muaj më herët, Izraeli kishte intensifikuar ofensivën kundër Hizbollahut. Vrau liderin Hassan Nasrallah, kreu sulme ajrore në të gjithë Libanin dhe pushtoi jugun e vendit. Kryeministri Benjamin Netanyahu mburrej se po ndryshonte “ekuilibrin e fuqisë në rajon.”

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga ShBA-ja hyri në fuqi për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hizbollah më 27 nëntor. Por kjo nuk i heshti armët. Secila palë akuzoi tjetrën për shkelje të armëpushimit, ndërsa Izraeli vazhdoi të bombardonte jugun e Libanit.

Pak orë pasi armëpushimi hyri në fuqi, një tjetër luftë shpërtheu sërish, kur një ofensivë e rebelëve në Siri prishi një ngërç prej vitesh. Brenda më pak se dy javësh, diktatori Bashar al-Assad u përmbys, duke sjellë shpresë dhe gëzim – por, gjithashtu duke krijuar më shumë pasiguri.

Brokasteri [Bro-caster]

(bro-caster – emër) një influencues me një podkast, zakonisht mashkull, që paraqitet si armiku dhe antidoti i elitës liberale

Bryce Elder

“Brokasteri është e kundërta e transmetuesit [broad-caster]”, është ky lloji i shakasë që mund të prisni nga një brokaster. Kjo kundër-lëvizje ndaj kulturës së zgjimit [woke] përqafon seksizmin në një mënyrë të vjetër dhe karakterizohet më shumë nga mendjemadhësia sesa nga humori.

Joe Rogan, një nga podkasterët më të famshëm në botë, është prototipi i një brokasterit. Podkasti i tij, i nisur në vitin 2009, e definoi modelin. Ai ka më shumë se 14.5 milionë ndjekës në Spotify. Sipas një sondazhi të YouGov-it me britanikë, më shumë se katër të pestat e dëgjuesve janë meshkuj dhe shumica janë të moshës nga 18 deri në 34 vjeç.

Edhe pse bindjet politike të Roganit janë të vështira për t’u kategorizuar, ai u jep hapësirë zërave të shkencëtarëve anësorë, ekstremistëve politikë dhe teoricienëve të konspiracionit. Askush nuk e ka të lehtë, me mikpritësin që përdor të njëjtin stil të prerë ndaj teoricienëve të “tokës së sheshtë” si ndaj Donald Trumpit dhe Elon Muskit. Një pjesë e tërheqjes së masave ndaj Roganit qëndron në perceptimin se, nëse mërzitet me ndonjë të ftuar, ai mund t’i rrahë lehtësisht.

Ndërkohë që mbështetja e Roganit për të drejtat e burrave është e matur, brokasterët që ndoqën shembullin e tij janë më të gatshëm të nxisin pakënaqësi të vjetra. Andrew Tate, një ish-kikboksier dhe i vetëdeklaruar si një “alfa mashkull”, është propaganduesi më famëkeq i manosferës me një markë mizogjinie toksike që rezonon në oborret e shkollave.

Në mediat kryesore, brokasterët mund të shihen si pasues të radio-provokatorëve [shock-jocks] si Howard Stern. Mungesa e respektit dhe përdorimi i fjalëve të ndaluara pëlqeheshin nga Brezit X, sepse ato vinin me një distancë ironike.

Më pas erdhi një ndryshim. Anarkia e sajuar e bisedave në radio u zëvendësua nga autenticiteti i sajuar i influencuesve. Nuk ka asnjë pikë ironie në psiko-budallallëqet e Jordan Petersonit, te përshëndetja me grushte e Steven Bartlettit me drejtues ekzekutivë, apo maskuliniteti i ish-marinsit Shawn Ryan. Të gjithë ata duan të merren seriozisht si kërkues të së vërtetës ,ndërkohë që admirohen si karikatura të maskulinitetit. Brokastingu është ajo që ndodh kur një audiencë kërkon përgjigje, por është lodhur nga dëgjimi i ekspertëve.

Sllopi [Slop]

(emër) një vizion për rrjedhjen e trurit në të ardhmen tonë të gjeneruar artificialisht

Nga: Elaine Moore

Pamje të çuditshme të një Jezusi me ngjyrë të ndritshme rozë, i krijuar prej karkalecave të detit, ndoshta nuk ishin ajo që OpenAI-ja kishte parasysh kur paralajmëroi se inteligjenca artificiale (IA) mund të shkatërrojë qytetërimin. Por, kjo është ajo që ndodh kur teknologjitë e reja u dorëzohen njerëzve dhe ata inkurajohen të krijojnë çfarëdo që duan. Dy vite pas revolucionit të IA-së gjenerative, kemi hyrë në epokën e sllopit.

Përhapja e përmbajtjeve sintetike dhe me cilësi të ulët, si Jezusi si karkalec deti, është shpesh e qëllimshme, projektuar për nxitje ose qëllime tregtare përmes kërkesave të çuditshme. Në mars, studiuesit nga Universiteti i Stanfordit dhe Xhorxhtaunit zbuluan se algoritmi i Facebook-ut ishte, në fakt, i “rrëmbyer” nga përmbajtjet mashtruese të krijuara nga modelet nga teksti në imazh – si DALL-E dhe Midjourney. Një llogari në platformën XInsane Facebook AI Slop – ka dokumentuar këto dukuri, duke përfshirë një imazh të Donald Trumpit – i cili u bë favorit gjatë zgjedhjeve amerikane – që shpëton një kotele heroikisht.

Por, sllopi mund të jetë gjithashtu një pasojë e paqëllimshme e modeleve të IA-së që trajnohen në tekste të gjeneruara nga IA vetë – një formë e tërheqjes së brendshme të të dhënave që ka marrë krahasime me Shtëpinë e Habsburgëve, për shkak të efekteve të saj të padëshiruara.

Akseleracionistët do t’ju thonë se kjo është vetëm një pengesë në rrugën drejt përmbajtjeve më emocionuese të gjeneruara nga përdoruesit. Një startup nga San Francisko, Fable Studio, ka njoftuar një platformë transmetimi të ngjashme me Netflix-in, për filma të krijuar nga IA-së. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Spotify-it, Daniel Ek, ka deklaruar se tani njerëzit mund të krijojnë “sasi të jashtëzakonshme përmbajtjeje” në shërbimet e muzikës, pasi kostoja e prodhimit të muzikës është pothuajse zero.

Pyetja është nëse kontrollet e cilësisë do të bien së bashku me uljen e kostos së krijimit. Vini re ngjashmërinë fonetike të sllop me spam – një formë tjetër e budallallëkut të shpërndarë lehtësisht në internet.

Shenjat dalluese që tregojnë përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja mund të ndihmojnë në luftimin e këtij fenomeni. Me kalimin e kohës, përmbajtjet më të dobëta mund të zhduken natyrshëm, pasi nuk tërheqin vëmendjen. Por, nëse kjo nuk ndodh, përmbajtjet me kosto dhe përpjekje zero mund të shkatërrojnë përfundimisht këmbimin e informacionit dhe besimin në internet. Jezusi si karkalec deti mund të jetë vetëm fillimi.

Memevaluta [Memecoin]

(emër) kripto- tokenë të bazuar në shaka, me një tërheqje habitshme dhe të qëndrueshme

Nga: Katie Martin

Rrjedha anarkike e tregjeve po lulëzon në botën e memevalutave [memecoin] – një “klasë asetesh” (nëse mund ta quajmë kështu) që synon ata që e konsiderojnë perëndimin e egër të kriptovalutave jo mjaftueshëm të egër.

Aseti më i madh në botën e kriptove është Bitkoini [Bitcoin] – në thelb, një linjë e kodeve e krijuar nga kompjuterë që shkëmbejnë mes tyre ekuacione. Kësaj, urtësia e turmave i ka dhënë një vlerë prej gati 100 mijë dollarësh për copë. Besimtarët e devotshëm kanë bërë pasuri të mëdha këtu, pavarësisht mungesës së dobisë së përditshme të kësaj monedhe apo institucioneve dhe të ardhurave mbështetëse. Vlera e saj është dyfishuar në vitin 2024, falë jo pak kuriozitetit të Donald Trumpit për kriptovalutat.

Entuziastët këmbëngulin se Bitkoini është e ardhmja e parasë dhe themeli për një rend të ri financiar. Por, Bitkoini është vetëm një aset i kriptove midis mijëra të tjerëve. Mbështetësit e memevalutave nuk pretendojnë të njëjtën gjë dhe hapur manifestojnë marrëzinë e tyre, të rrënjosur në fenomene të përkohshme të mediave sociale. Në përgjithësi, këto kriptovaluta vlejnë fraksione të qindarkave për njësi, por, në total, “vlera” e tyre ndonjëherë arrin deri në miliarda.

Më i njohuri është Dogjkoini [Dogecoin], i bazuar në një qen të famshëm në internet dhe i dashur nga Elon Musk. Nuk është rastësi që roli i Muskut në administratën Trump 2.0 është bashkëdrejtimi i Departamentit të Efikasitetit Qeveritar – ose Doge.

Por, gjërat bëhen shumë, shumë më qesharake. Yjet e rinj të memevalutave në vitin 2024 përfshijnë Mu Dengun [Moo Deng], të bazuar në një hipopotam tajlandez; PNUT-in – një nderim për një ketër të eutanazuar, i dashur nga e djathta amerikane; dhe Hok-tuah [Hawk Tuah], i nisur nga një grua e re që u bë e famshme në internet për një koment të pahijshëm.

Bli herët dhe, nëse të tjerët ndjekin, mund të përfitosh shumë. Bli vonë dhe mund të zbulosh shpejt se ke mbetur me diçka të pavlerë, siç zbuluan shumë blerës të monedhës Hok-tuah. Është një ftesë e hapur ndaj establishmentit financiar dhe jo për ata që janë të kujdesshëm ose të dobët nga zemra.

Ushtruesi i detyrës [Incumbent]

(incumbent – mbiemër dhe emër) mbajtësi aktual i një posti ose pozite

Nga: John Burn-Murdoch

Për më shumë se një shekull, një nga konceptet më themelore në shkencën politike ka qenë ai i avantazhit të ushtruesit të detyrës. Mund ta quash “gravitet elektoral@, një forcë që tërheq gjithçka drejt personit ose partisë që drejton punët. Arsyet janë të shumta: të qenit në pushtet sjell përfitime, si njohja e emrit, rrjete të konsoliduara për mbledhje fondesh, marrëdhënie me mediat dhe rezultatet.

Por nuk është më e qartë nëse kjo mbetet e vlefshme. Shumë nga gjërat që dikur ofronin një avantazh në kutinë e votimit, tani mund të prodhojnë një kundërpërgjigje. Në vitin 2024, kur më shumë se gjysma e popullsisë së botës kishte të drejtë të votonte në zgjedhje, ushtruesit e detyrës u rrëzuan nga pushteti – nga ShBA-ja deri në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë.

Kur tendenca afatgjatë në botën demokratike ishte rritja e qëndrueshme ekonomike dhe progresi në kuptimin më të gjerë, të pasurit sukses në pushtet ishte një gjë e mirë. Në mungesë të një tronditjeje të rëndë ekonomike ose një gabimi të rëndë, partitë mund të zhvillonin fushata të suksesshme të bazuara në përmirësimet e prekshme që kishin sjellë gjatë mandatit të tyre.

Me ngecjen si normë, kjo është përmbysur. “Na votoni nëse dëshironi edhe katër vjet të tjera me standarde jetese të ngrira dhe gjëra të tjera që përkeqësohen@, nuk është një slogan që fiton lehtësisht vota.

Në mënyrë të ngjashme, në një peizazh mediatik gjithnjë e më të fragmentuar, ku politikanët e rinj mund të flasin direkt me votuesit, të qenit i njohur për organizatat kryesore të lajmeve nuk është më ndonjë përparësi e madhe. Nëse Elon Musku realizon vizionin e tij, edhe avantazhi i ushtruesve të detyrave në mbledhjen e fondeve mund të shndërrohet shpejt në një koncept të së kaluarës.

Nëse kjo tendencë vazhdon, ajo sjell pasoja të zymta për centristët, për retorikën e ekuilibruar dhe për sukseset e vogla, por të qëndrueshme, të politikave. Duket se kemi hyrë në një epokë të re ku të gjithë kandidatët, qofshin ata në detyrë apo të jashtëm, kanë një nxitje të fortë për të garuar si populistë të rinj, duke premtuar fitore të shpejta dhe reforma radikale.

Tarifa

(tariff – emër) një taksë mbi mallrat e importuara

Nga: Alan Beattie

Ne, të vjetrit e tregtisë, kaluam vite duke u thënë njerëzve se politika tregtare nuk kishte të bënte më me tarifat. Tarifat në mbarë botën ishin të ulëta dhe në rënie, thoshim ne. Pengesat tregtare, sot, lidhen me rregulloret komplekse teknike, thoshim ne. Dhe, pastaj erdhi i ashtuquajturi “Njeriu i Tarifave”, Donald Trump, për ta kthyer politikën tregtare në një epokë më të thjeshtë dhe më brutale.

Kur Trumpi e quan fjalën “tarifa” si më të bukurën në gjuhën angleze – “është më e bukur se dashuria, është më e bukur se gjithçka” – ai me siguri nuk po mendon për etimologjinë e saj romantikisht gjarpëruese. Na ka ardhur nga një term që fillimisht përdorej nga tregtarët arabë për të nënkuptuar një njoftim ose një inventar, përmes një kombinimi të gjuhëve perse, turke, italiane dhe franceze – një ndërveprim i begatë i tregtisë mesjetare mesdhetare, i mishëruar në një fjalë të vetme.

Por, presidenti i ardhshëm i ShBA-së mendon se tregtia është mënyra se si të huajt, në përgjithësi, dhe Kina, në veçanti, vjedhin nga ShBA-ja, dhe tarifat janë mënyra se si mund t’i ndalojë ata. Ai gabimisht është i bindur se ato paguhen nga kompanitë e huaja: të ardhurat nga tarifat, në të vërtetë, u dërgohen autoriteteve tatimore nga importuesit – dhe, siç treguan tarifat që ai vendosi gjatë mandatit të tij të parë, kompanitë dhe konsumatorët vendas zakonisht përfundojnë duke absorbuar koston.

Megjithatë, për Trumpin, ato janë një zbutës universal, jo vetëm një mjet për të ulur deficitet tregtare, por edhe një burim të ardhurash tatimore dhe një instrument ndikimi gjeopolitik. Ato sigurisht tërheqin vëmendje: kërcënimi i tij për tarifa prej 25 për qind mbi importet nga Kanadaja dhe Meksika, përveç nëse ato rregullonin çështjen e emigracionit të paligjshëm dhe tregtinë e fentanilit, bëri që liderët e tyre të nxitojnë për të treguar se po e merrnin seriozisht situatën.

Shumica e ekonomistëve i urrejnë tarifat, duke i konsideruar ato shtrembëruese dhe të dëmshme. Shumica e qeverive janë larguar nga përdorimi i tyre në një shkallë të madhe. Obsesioni i Trumpit me tarifat përfshin, në të vërtetë, shpëlarjen e pluhurit nga një armë e një epoke të kaluar. Do të kalojmë katër vjet duke mësuar se si një pushkë e vjetër performon në një luftë moderne tregtare. /Telegrafi/