LAJMI I FUNDIT:

Bogdanoviq kërkon autonomi të gjerë për serbët në Kosovë

Bogdanoviq kërkon autonomi të gjerë për serbët në Kosovë

Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar se bashkësia serbe është e gatshme të ndihmojë procesin e decentralizimit, por jo mbi bazën e planit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit.

Në një intervistë për BBC-në, Bogdanoviq tha se serbët e Kosovës, sipas planit aktual për decentralizim, nuk kanë marrë numër të mjaftueshëm të komunave dhe ka shtuar se ata duan që të kenë një autonomi të plotë në të gjitha komunat e parapara për t’u krijuar, ku ata përbëjnë shumicën.

Sipas tij do të duhej të krijoheshin kushtet për një dialog të ri mes Prishtinës e Beogradit, përfshirë edhe bisedimet për çështjen e statusit, “ende të pazgjidhur”, por siç tha, pa Martti Ahtisaarin dhe pa ndërmjetësues që propagandojnë pavarësinë e Kosovës.

Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë që Beogradi zyrtar të bisedojë me autoritetet e Prishtinës, që përfaqësojnë shtetin e pavarur të Kosovës.


Autoritetet në Prishtinë ndërkaq kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të serbëve në procesin e decentralizimit në Kosovë, meqë kjo sipas tyre do të ndryshonte mënyrën e jetesës së tyre dhe daljen nga enklavat.

Procesi i decentralizimit është kundërshtuar ndërkaq edhe nga Lëvizja Vetëvendosja si dhe nga banorët shqiptarë të Novo Bërdës, që kanë nënshkruar një peticion kundër këtij procesi. /BBC/