LAJMI I FUNDIT:

Bizneset në Shqipëri kërkojnë bashkim ekonomik me Kosovën

Bizneset në Shqipëri kërkojnë bashkim ekonomik me Kosovën

Plani strategjik që do të ndiqet. Synohet unifikimi i tregut prej rreth 6 milionë konsumatorësh. Panairi starton nesër me datë 26 qershor

"Konfindustria" shpalli dje nismën e Krijimin të Tregut të Hapur Shqiptar dhe Rajonal, me pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përgatitjet e kësaj nisme kanë nisur që prej një viti, por situatat gjeopolitike në rajon, ndikuan në shtyrjen e saj. Në thelb, bizneset shqiptare industriale kanë shfaqur interesin e liberalizimit të tregut në raport me Kosovën, që garanton një numër konsumatorësh në rreth 6 milionë vetë.

"Krijimi i Tregut të Hapur Shqiptar është nismë e ‘Konfindustrisë‘ në shprehje të interesave të industrialistëve të Shqipërisë dhe Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të hapësirave shqiptare dhe njëkohësisht është plotësisht në frymën e politikave dhe direktivave të BE-së, proceseve globalizuese dhe tregjeve të liberalizuara", tha administratori i saj, Gjergj Buxhuku.

Sipas tij, krijimi i këtij tregu është i domosdoshëm, mund të kryhet nga vetë shqiptarët në interes të mirëqenies së tyre. Përveç Kosovës, nisma e "Konfindustrisë" përfshin në bashkëpunim dhe bizneset e vendeve fqinje, të cilat kanë interes të përbashkët për zgjerimin e tregut.


Zbatimi i nismës për krijimin e Tregut të Hapur Shqiptar dhe Rajonal do të kalojë si fillim në disa etapa. Kështu, parashikohet të organizohet në Tiranë, Panairi i Elitës së Industrive Shqiptare, i pari në llojin e tij, për faktin se janë ftuar me kushte shumë të forta përzgjedhjeje vetëm prodhime vendore të industrive shqiptare dhe asnjë prodhim konkurrent i huaj. Do të jenë të prezente gjithashtu kompani shumë të rëndësishme ndërkombëtare, të pranishme në hapësirat shqiptare si investitorë dhe koncesionare.

"Politika duhet vetëm të mos na pengojë dhe njëkohësisht të bëjë çfarë është e mundur për t‘u paraqitur para investimeve të mëdha industriale si një treg sa më i madh dhe i hapur, kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm për thithjen e tyre", tha Buxhuku. Është parashikuar, ndër të tjera, edhe zhvillimi i tre forumeve, të cilat do t‘i përkasin fushave ekonomike të infrastrukturës, energjisë, transportit, naftës, minierave dhe politikave të krijimit të Tregut të Hapur Shqiptar.(Shqip)